E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit, i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli iu përgjig sot pyetjeve të gazetarëve lidhur me protestën e Partisë Socialiste.
Pyetje: Si e vlerësoni protestën e Partisë Socialiste dhe qëndrimin e kryetarit të selisë rozë? Kryetarja e Kuvendit: Është një trishtim. Mesa duket duket Kryetari i Partisë Socialiste nuk ka interes për dialog. Pyetje: Zonja Topalli në fakt kanë ndodhur edhe disa incidente, si djegia e flamurit të NATO-s apo edhe incidente me qytetarët. Kryetarja e Kuvendit: Është një gjë që nuk është parë në 20 vjet në Shqipëri. Është parë kur ishim në sistemin e diktaturës. Por kjo nuk është shqiptare, pavarësisht se ishin disa militantë të Edvin Ramës që dogjën këtë flamur. Natyrisht është për tu dënuar rëndë, por kjo nuk ka lidhje me shqiptarët, që janë njerëzit më pro NATO dhe më pro europianë në të gjithë rajonin. Pyetje: A do të reagojë mazhoranca, pasi grevistët kanë thënë se do të qëndrojnë aty deri në një reagim të mazhorancës dhe se madje do të shtohen edhe në numër? Kryetarja e Kuvendit: Unë me këtë rast dua tu shpreh mirënjohjen 12 Ministrave të Jashtëm, të cilët më 30 prill u dërguan një letër autoriteteve më të larta që kanë në dorë vendimin për liberalizmin e vizave. Një mirënjohje e jashtëzakonshme, e pafundme për Ministrin e Jashtëm të Italisë, për Ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, për të gjithë minisrat e tjerë të jashtëm, të cilët u ulën dhe u shkruan një letër atyre që kanë në dorë vendim-marrjen për heqjen e vizave, të cilën mezi po e presin të gjithë shqiptarët. Natyrisht, unë besoj se 22 vetë apo 220 vetë nuk mund ta prishin kurrë ëndrrën e liberalizimit të vizave. Ndaj edhe njëherë dëshiroj tu them Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, autoriteteve kryesore, se shqiptarët janë të vendosur për të ecur përpara në proceset për liberalizimin e vizave dhe për këtë natyrisht është e rëndësishme që dialogu të bëhet në Parlament.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›