E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e hapjes së Unionit të anglishtfolësve të Shqipërisë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në  ceremoninë e organizuar me rastin e  hapjes së  unionit të anglofonëve të Shqipërisë.  Në këtë ceremoni  merrnin pjesë Lordi Alan Watson, kryetar i Unionit botëror të anglofonisë, ambasadorja e Britanisë së Madhe në Shqipëri, zonja Fiona McIlwham, delegatë të anglofonive në të gjithë botën, anëtarët e Dhomës britanike të tregtisë, si dhe nxënës, studentë, pedagogë e prindër.

Duke marrë fjalën, kryetari i Unionit të Anglofonisë Botërore Lordi Watson u shpreh se ky union do të ndihmojë në mënyrë të veçantë të rinjtë shqiptarë  për të përmirësuar dhe zhvilluar njohuritë  e tyre në gjuhën angleze, nepermjet projekteve të ndryshme promovuese, të gjuhës dhe kulturës angleze.  Gjate ceremonisë Lordi Watson, i dorëzoi kryeministrit Berisha certifikatën e kryetarit të Unionit të anglofonëve të Shqipërisë.

Kryeministri Berisha, i cili përshëndeti ceremoninë edhe në cilësinë e kryetarit të këtij Unioni shprehu kënaqësinë që  merrte pjesë në një ngjarje kulturore shumë të rëndësishme  për vendin. Kryeministri tha se promovimi i gjuhës angleze është promovimi i një gjuhe globale, e cila çdo ditë e më tepër po përzgjidhet si gjuha e komunikimit ndërkombëtar.

Kryeministri theksoi se 4 vjet më parë, një prej zotimeve të qeverisë për të rinjtë shqiptarë ishte se do të bëhej çdo përpjekje që gjuha angleze të ishte gjuhë e dytë për ta, me besimin se kjo do të ndihmonte për tu hapur atyre rrugën drejt së ardhmes evropiane dhe mundësive më të mëdha për shkollim dhe punësim, brenda dhe jashtë vendit.

Ndër të tjera, kryeministri u shpreh se afrimi natyror me gjuhën  angleze vjen edhe nga fakti se gjuha shqipe bën pjesë në  familjen e gjuhëve indo-evropiane dhe shumë tinguj të gjuhës shqipe janë të ngjashëm me ato të gjuhës angleze. Duke sjellë shembuj konkret, kryeministri tha se njihen shumë fjalë në gjuhën shqipe, prononcimi i të cilave është shumë i ngjashëm me anglishten.

Kryeministri u shpreh se gjuha angleze është para së gjithash gjuha e rinisë. “Të rinjtë e kanë adoptuar më së miri këtë gjuhë, pavarësisht kombit të cilit i përkasin apo kontinenteve, pavarësisht kulturës së tyre apo besimit fetar . Anglishtja është bërë gjuha e mendjes dhe zemrës. Është gjuha e shkencës dhe rinovimit dhe unë besoj se shumë shpejt ky union i krijuar  është një përfitim i madh në të mirë të rinisë shqiptare.”

Kryeministri theksoi se qeveria do të mbështesë  veprimtarinë kulturore të Unionit të anglofonëve në Shqipëri, si dhe iniciativa të tjera, të cilat do të ndihmojnë  në integrimin e të rinjve shqiptarë  dhe në zhvillimin e komunikimit mes tyre dhe mbarë botës.


08/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›