Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në inagurimin e zgjerimit të terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha mori pjesë sot në inagurimin e zgjerimit të terminalit të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”. I filluar në vitin 2008, zgjerimi i terminalit kushtoi rreth 20 milionë euro dhe ka një kapacitet prej 1.5 milionë deri në 1.8 milionë pasagjerë në vit. Kryeministri Sali Berisha, duke e cilësuar si një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, theksoi se zgjerimi i këtij terminali, e kthen aeroportin “Nënë Tereza” në arritjen më të mirë dhe investimin më të shkëlqyer në këtë vend. Në inagurimin e zgjerimit të terminalit të aeroportit “Nënë Tereza” merrnin pjesë disa ministra, si dhe ambasadorë të akredituar në Shqipëri. Drejtori Ekzekutiv i HOCHTIEF AirPort dhe kryetar i Këshillit Administrativ të Aeroportit, vlerësoi faktin që qeveria shqiptare është një partner, e cila ka mbështetur që në fillim themeluesit e “Tirana International Airport”. “I dashur zoti kryeministër, për këtë unë dua t’ju falenderoj. Unë besoj se bashkëpunimi me ju dhe me ministrat tuaj është veçanërisht një shembull se sa produktive mund të jetë një skuadër e vërtetë”.
Në fjalën e tij përshëndetëse kryeministri Sali Berisha u shpreh:
Zotërinj ministra, shkëlqesi ambasadorë, zoti Kalenda, zoti Noe, zonja Gebbeken, i dashur Xhef, të dashur pjesmarrës në këtë ngjarje shumë të rëndësishme për vendin, ndërtues, aksionerë, financues, operatorë të këtij aeroporti.
Doktor Kalenda, dua të shpreh kënaqësinë time të madhe, që në një kohë rekord, ne inagurojmë finalizimin e punimeve të fazës B të aeroportit të Tiranës, fazë e cila filloi ndërtimin në vitin 2008 dhe përfundoi në kohën më të shkurtër. Këto doktor Kalenda janë ritmet për të cilat ka nevojë Shqipëria, janë vetëm këto ritme ato që mund t’i bëjnë të mundur vendit tim, që të ndërtojë të ardhmen. Por faza B e aeroportit që inagurojmë ne sot, ka një domethënie shumë të madhe. Së pari dua të theksoj se ky aeroport është bërë pasaporta më e shkëlqyer e Shqipërisë, me shërbimet e shkëlqyera që ofron, me sigurinë e madhe që garanton, me arkitekturën që përshtatet plotësisht me peisazhet që rrethojnë, personelin e përgjegjshëm dhe shumë profesional që e drejton. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” është absolutisht arritja më e mirë dhe investimi më i shkëlqyer në këtë vend. Por domethënia e fazës B, është gjithashtu e madhe, në aspekte të tjera. Ne filluam ndërtimin e saj në një kohë krize të madhe europiane dhe botërore. Filluam në mars të vitit të kaluar, sot ne inagurojmë atë, pasi gjatë këtij viti aeroporti ka shënuar në dallim nga të gjitha aeroportet e tjera të Europës një rritje me 10 përqind. Në rast se të tjerët kanë pasur një rënie prej 4 qind, i takon këtij aeroporti të ketë pasur rritjen më të madhe në Europë. Banka e Shqipërisë ka njoftuar këto ditë se investimet e huaja në Shqipëri në 6-mujorin e parë të vitit 2009, u rritën me 59 përqind krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2008. Investimet në këtë aeroport janë një pjesë parësore e këtij investimi të rëndësishëm të viti 2009.
Duke përshëndetur dhe falenderuar edhe një herë, të gjithë ata që bënë të mundur këtë performancë dhe këtë shtesë të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, dua të garantoj doktor Kalendën dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij se në qeverinë time do të ketë një partner që vlerëson shumë kontributin e tyre në zhvillimin e këtij vendit. Faza e dytë e aeroportit është dëshmi e ritmit të ndryshimit të Shqipërisë. Unë qarkova vendin tim për të bindur qytetarët shqiptarë se Shqipëria po ndryshon dhe nuk ka dëshmi më të shkëlyqer se kjo, se Shqipëria po ndryshon. Unë do ta mbyll fjalën time me mirënjohjen time më të thellë për të gjithë ju dhe me kërkesën që shiritat blu dhe gërshërët t’i bëjmë gati së shpejti për fazën e tretë të këtij aeroporti. Duket doktor Kalenda se ne do të kemi privilegjin e madh që së bashku të proçedojmë.
09/09/2009