E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e çeljes së Panairit "Agrobiznes 2008”

- Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të bëjë gjithçka për një zhvillimin rural të qëndrueshëm të Shqipërisë

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm pasditen e sotme në ceremoninë e çeljes së Panairit "Agrobiznes 2008”, i organizuar nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar dhe i mbështetur nga Ministria e Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Në fjalën përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të bëjë gjithçka për zhvillimin e qëndrueshëm rural të Shqipërisë. Duke renditur investimet e bëra nga qeveria në këto tre vitet e fundit, Kryeministri u shpreh se janë investuar 104 miliardë lekë, në rrugë, shkollat, ujësjellësit, kanalizimet, sistemet e vaditjes, të kullimit dhe argjinaturat në mbarë Shqipërinë.

Investime të tilla, u shpreh Kryeministri, do të vinë në rritje në mënyrë që fermerët shqiptarë të udhëtojnë në rrugë të standardeve të mira, fëmijët e tyre të shkollohen në shkolla njëlloj si qyteti, shtëpitë e tyre të furnizohem me ujin të pastër dhe të jetojnë në kushte sa më të mira.

Më pas, Kryeministri Berisha i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë z. Emin Gjana, nga ministri i Bujqësisë së Kosovës z. Idriz Vehapi, përfaqësues të biznesit, etj.., vizitoi stendat e panairit ku u ndal dhe bisedoi me prodhuesit dhe tregtarët. Nw kwtw panair marrin pjesw mbi 70 kompani vendase dhe të huaja, nga fusha e industrisë ushqimore. 

Ndër të tjera Kryeministri Berisha u shpreh;

“Shiu për bujqësinë është fjalimi më i mirë. Ndaj, dhe unë do të shfrytëzoj këtë rast për t’ju përcjellë një përshëndetje shumë të përzemërt të gjithë fermerëve  shqiptarë kudo që ndodhen. Përshëndes ata që kanë sjellë prodhimet e tyre në këtë panair dhe ata që nuk janë këtu, por që me mundin, djersën, mendjen, investimin dhe guximin e tyre, realisht kanë ndryshuar faqen e bujqësisë shqiptare.
Tre vjet më parë, me anë të një marrëveshje të bërë me Bashkimin Evropian u detyruam të çojmë në zero doganën me këtë organizëm, vendet e të cilit kanë një traditë të madhe në bujqësi. E gjithë vëmendja ime ishte e drejtuar tek ju. A do mundeshit ju të përballonit hapjen e tregut dhe cilat do të ishin pasojat e hapjes së tregut në prodhimet tuaja? Por, ju çdo muaj dhe çdo vit u dëshmuat të fuqishëm në këtë garë. Eksportet tuaja drejt Evropës jo vetëm që nuk u ulën, por ato pësuan një rritje të madhe. Kjo nuk ishte meritë e subvencioneve, por ishte meritë e mendjes, punës dhe përkushtimit tuaj. Unë e admiroj shumë punën tuaj kudo që shkoj. E vështroj tokën me të njëjtën interes, madje me një interes akoma më të madh, sesa mund të vështroj një kryevepër të pikturës, të cilat unë i dua shumë. Gjithnjë unë gjej frymëzim të madh tek ju. Kaloj në kodrat e Mallakastrës, Librazhdit, në fushat e Korçës e Myzeqesë dhe shoh se si ju i keni qëndisur ato, se me sa mund ju i keni qëndisur ato.

Ndaj, unë zotohem sot këtu para jush se kjo qeveri do të bëjë çdo gjë për zhvillimin e qëndrueshëm rural të Shqipërisë. Në tre vjet ne kemi investuar 104 miliardë lekë, në rrugë, shkollat, ujësjellësit, kanalizimet, sistemet e vaditjes, të kullimit dhe argjinaturat në mbarë Shqipërinë. Investime të tilla nuk janë parë kurrë ndonjë herë më parë  në këtë vend. Në tre vjet ne kemi asfaltuar 1600 km rrugë rurale, kemi ndërtuar qindra shkolla dhe ujësjellës.

Unë ju jap fjalën se këto investime do të vinë në rritje në mënyrë që ju të udhëtoni në rrugë të standardeve të mira, fëmijët tuaj të shkollohen në shkolla njëlloj si qyteti, shtëpitë tuaja të furnizohem me ujin e pastër që meritojnë dhe jeta juaj të jetë një jetë urbane me kushte sa më të mira.

Ju garantoj se do të mbështesim agrobiznesin që prodhimet tuaja të gjejnë përpunimin më të mirë, si dhe do t’ju mbështesim në përpjekjet tuaja për eksportin e prodhimeve. Edhe një herë ju përshëndes përzemërsisht dhe ju garantoj në mbështetjen e plotë të qeverisë, sot dhe për sa kohë ju do të votoni një qeveri që u njeh më mirë se kushdo tjetër hallet, dertet, problemet, kontributin dhe rolin tuaj në këtë vend”. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›