Kryeministri Berisha mirëpret Kryeministrin e Luksemburgut Jean-Claude Juncker
- Juncker: “Këto vitet e fundit vendi ka bërë përparime shumë të mëdha në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, suksese të mëdha për t’i dhënë Shqipërisë një imazh të mirë në botë”
Kryeministri Sali Berisha mirëpriti sot Kryeministrin e Luksemburgut Jean-Claude Juncker. Pas takimit mes dy kryeministrave, u zhvilluan bisedimet zyrtare mes dy delegacioneve, të kryesuara nga Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Juncker. Në përfundim të bisedimeve, dy kryeministrat bënë të ditur për median çështjet kryesore të takimit:
Kryeministri Juncker: Mirëdita zonja dhe zotërinj.
Sot po kryej vizitën time të parë në Shqipëri. Në fakt, vizita ime është e vonuar, sepse ftesa e Kryeministrit Berisha më është bërë kohë më parë dhe unë e kisha planifikuar disa herë këtë vizitë. Me Kryeministrin Berisha jam njohur në janar të vitit 1995, kur ai ishte President i Shqipërisë dhe asistonte në një takim të nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara në Kopenhagen dhe që nga ajo kohë ne nuk jemi ndarë më, pavarësisht nga funksionet që kemi pasur.
Kam një miqësi të madhe me Kryeministrin, sepse ai i jep një rëndësi të madhe lirive demokratike. Kam simpati për të, sepse ai është një njeri i guximshëm, i cili ka vënë në zbatim reforma të vështira. Admiroj gjithashtu edhe popullin shqiptar, një popull i guximshëm që dëshiron ndryshimet dhe që i pranon realitetet e vështira që sjellin të gjitha këto ndryshime.
Këto vitet e fundit vendi ka bërë përparime shumë të mëdha në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, suksese këto të rëndësishme për t’i dhënë Shqipërisë një imazh të mirë në botë. Ka patur gjithashtu edhe suksese ekonomike që ende nuk janë plotësuar e përfunduar, por që tregojnë se vendi po ecën përpara. Reformat në fushën e politikës fiskale dhe shoqërore janë mbresëlënëse. Këto suksese të mëdha përbëjnë vizionin e ardhshëm të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Kjo do të ndodhë para Samitit të ardhshëm të Aleancës, që do të mbahet në prill të vitit të ardhshëm dhe Shqipëria më në fund dhe në mënyrë formale do të kthehet në gjirin e familjes së madhe evropiane, së cilës ajo i përket dhe nga e cila e larguan vendimet e kobshme të ndarjes së Kontinentit.
Në planin dypalësh, ne kemi vendosur të thellojmë marrëdhëniet tona ekonomike dhe të bashkëpunojmë në kualifikimin e gjyqtarëve. Ne do të fillojmë zbatimin e një programi të nënshkruar midis Shqipërisë dhe Luksenburgut për formimin e bankierëve të rinj, të cilët mund të vijnë e të kryejnë trajnime në Luksemburg.
Ne do të lidhim një marrëveshje për taksimin e dyfishtë, kusht thelbësor për të thelluar marrëdhëniet ekonomike dhe do të vazhdojmë të bashkëfinancojmë projektet hidro-energjetike si dhe do të vlerësojmë mundësitë që ekzistojnë për të vendosur një bashkëpunim edhe në fushët e shëndetësisë, arsimit dhe kulturës.
Pra, ne do të mbetemi miq dhe qëndrimi ynë do të jetë në nivelin e ambicieve tona.
Kryeministri Berisha: Zonja dhe zotërinj,
Sot, ne mirëpresim Kryeministrin e Dukatit të Luksemburgut, zotin Jean-Claude Juncker, një mik i madh dhe i çmuar i Shqipërisë, shqiptarëve dhe i imi, në një vizitë historike në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve. Për mua ishte një rast shumë i gëzuar ta pres dhe t’i shpreh mirënjohjen më të thellë Kryeministrit të Luksemburgut për mbështetjen dhe interesin që Kryeministri Juncker dhe vendi i tij i kanë dhënë demokracisë shqiptare dhe shqiptarëve në tërësi. Vendi i tij ka qenë një vend frymëzues, një vend i vogël, por me emër të madh në Europë dhe në botë, një vend i vogël me rol të madh në procesin e integrimit në BE dhe NATO. Ndaj dhe unë gjithnjë i kam kushtuar dhe i kushtoj një rëndësi të veçantë marrëdhënieve me Luksemburgun.
Shpreh gjithashtu kënaqësinë se kam gjetur të njëjtat ndjenja dhe sentimente nga Kryeministri Juncker dhe vendi i tij. Mbështetja e tyre ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm në nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
Marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë të shkëlqyera, çka e dëshmon edhe vizita e sotme e Kryeministrit Juncker, si një ngjarje kulmore në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Kjo vizitë është paraprirë nga vizita të rëndësishme të zyrtarëve të tjerë të lartë të Luksemburgut.
Marrëdhëniet tona bilaterale në të gjitha fushat janë në zhvillim e sipër. Ne ramë dakord me Kryeministrin Juncker që të punojmë për të krijuar të gjithë bazën më solide ligjore që këto marrëdhënie të zhvillohen me shpejtësi. Luksemburgu i ka dhënë një ndihmë të çmuar Shqipërisë në fushën e infrastrukturës, projektet e qeverisë së Luksemburgut shtrihen nga Durrësi, në Kukës, Mamurras, Laç e zona të tjera të vendit, në furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza, si dhe projekte të tjera në kualifikimin e gjykatësve. Ne diskutuam dhe ramë dakord për kualifikimin e bankierëve, diskutuam për të intensifikuar bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë. Ne ramë dakord të bëjmë përpjekje të përbashkëta që investitorët e Dukatit të Luksemburgut të investojnë në Shqipëri, në fushat ku ata gjejnë interesin më të mirë.
Gjithashtu me Kryeministrin Juncker diskutuam për liberalizimin e vizave. Unë e njoha mikun tim me të gjitha përpjekjet e qeverisë sime për të arritur standardet e nevojshme që shqiptarët e meritojnë të lëvizin lirisht në hapësirën europiane. Sikundër e njoha me të gjitha reformat e tjera që kemi ndërmarrë për përmirësimin e klimës së biznesit dhe luftën kundër korrupsionit, me qëndrimin me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe suksesin e kësaj lufte.
Të gjithë këtë ekspoze ia bëra Kryeministrit të Luksemburgut duke qenë i bindur se Kryeministri Juncker është jo vetëm një mik i madh dhe i çmuar, por edhe një avokat me prestigj të madh dhe besueshmëri të lartë për vendin tonë dhe arritjet tona. Edhe një herë dua t’ju falënderoj shumë përzemërsisht për këtë vizitë.