Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale

- Kryeministri Berisha: Unë kam bindjen se shqiptarët do ta fitojnë garën e cilësisë me sigurinë më të madhe dhe me suksesin më të plotë
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot pasdite në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale, të Universitetit të Tiranës. Gjatë ceremonisë së zhvilluar në mjediset e Pallatit të Kongreseve, në një atmosferë festive dhe mjaft të ngrohtë, Kryeministri Berisha i falënderoi ata për ftesën e bërë për të marrë pjesë në këtë ditë kaq të shënuar për ta, si dhe u uroi suksese të mëtejshme. Duke iu drejtuar diplomantëve, Kryeministri tha se “diploma nuk është një fund, por është një mjet dhe mekanizëm për të ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme jetën tuaj, për të ndryshuar Shqipërinë, për të ndryshuar vendin tuaj”
Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se kushtet, laboratorët, bibliotekat, teknologjitë janë të një rëndësie shumë të madhe në universitete, por parësore është liria akademike, liria e studentëve, liria e pedagogëve. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu angazhimin e qeverisë për të mbështetur universitetet që të përballojnë me sukses garën e lirisë. “Sot, në rrafshin sasior, ne qëndrojmë krahas kombeve më të zhvilluara, por gara e vërtetë është në rrafshin cilësor. Kjo është dhe gara më e vështirë dhe më e bukur. Unë kam bindjen se këtë garë shqiptarët do ta fitojnë me sigurinë më të madhe, me suksesin më të plotë”, tha Kryeministri.
Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dëshiroj t’ju falënderoj me mirënjohje për privilegjin e madh që më keni bërë për të ndarë me ju gëzimin e kësaj dite, ndër më të shënuarat në jetën tuaj dhe familjeve tuaja, dita e diplomimit tuaj universitar. Sot, për ju dhe prindërit tuaj, një ndër ëndrrat më të bukura të jetës bëhet realitet, një ëndërr që ka nisur me lindjen tuaj dhe që sot finalizohet me hedhjen në ajër të këtyre kapelave që mbani, me të cilat ju shpërtheni në individualitetin tuaj profesional. Në këtë kontekst dita e diplomimit është ditë frymëzimi e fuqishme e individit, për tu përpjekur dhe për të shndërruar në realitet ëndrra të tjera të bukura. Kjo është një ditë lavdiplotë, sepse është një ditë kulmore e suksesit tuaj. Pas ditësh dhe vitesh përpjekje e ngjitjesh të vazhdueshme në shkallët e dije, ju sot kulmoni me diplomat që merrni. Dita e gradimit është një ditë përgjegjësie e madhe, sepse ju, pas investimesh të mëdha në një projekt, ndër më të bukurit e jetës, që nga ky moment hidhni vështrimin për realizime të tjera të mëdha, të bindur dhe të vetëdijshëm se diploma nuk është një fund, por diploma dhe kjo ditë e madhe ka meritën të jetë thjesht një fillim i ri, një fillim drejt një horizonti tjetër, një fillim drejt arritjeve të tjera më të mëdha. Diploma nuk është një fund, diploma është një mjet, një mekanizëm për të ndryshuar në mënyrë të vazhdueshme jetën tuaj, për të ndryshuar Shqipërinë, për të ndryshuar vendin tuaj.
Të diplomuarit e Shkencave Sociale, të psikologjisë, të filozofisë, janë relativisht një prurje e re në jetën intelektuale shqiptare. Ata kanë qenë për shumë dekada mungestarë të mëdhenj të kësaj jete, por e vërteta është se shkencat tuaja janë shkencat e emancipimit të njeriut, janë shkencat e emancipimit të shoqërisë, janë doktrinat të cilat përcaktojnë horizontet që vijnë. Shkencat janë dhe mbeten të tilla, në shoqëritë e lira janë edhe kurim i shoqërisë e qytetërimit nga sëmundjet e pashmangshme që ai kontrakton gjatë zhvillimit të tij. Ndaj dhe roli juaj në shoqërinë shqiptare vjen dhe do të vijë duke u bërë gjithnjë e më i madh. Hapësirat që ju do të pushtoni do të jenë gjithnjë e më të gjera.
Të dashur diplomantë, profesorë, prindër e familjarë,
Për Shqipërinë edukimi dhe arsimi i lartë janë të një rëndësie jetike. Ato janë jetike për çdo vend, por për një komb kohëhumbur siç ishim dhe jemi ne sërish, për një komb kohëhumbur në kohën e shpejtësive të mëdha, gara e dijes përcakton më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen dhe vendin e tyre në këtë planet. Në këtë kontekst ne kemi bërë përpjekje të mëdha dhe është në kënaqësinë tonë, të të gjithë shqiptarëve, se sot në bankat e universiteteve ka mundësi që të ulet çdo e re dhe çdo i ri që mbaron shkollën e mesme. Kjo është e domosdoshme. Nuk mund të pranonim ne kurrë që universiteti të jetë mollë e ndaluar, për arsye ekonomike apo për arsye të tjera. Sot, në rrafshin sasior, ne qëndrojmë krahas kombeve më të zhvilluara, por gara e vërtetë është në rrafshin cilësor. Kjo është dhe gara më e vështirë dhe më e bukur. Unë kam bindjen se këtë garë shqiptarët do ta fitojnë me sigurinë më të madhe, me suksesin më të plotë.
Studente dhe studentë, diplomante dhe diplomantë,
Njëzet vjet më parë, ata që u diplomuan në bankat e universiteteve të Tiranës u diplomuan në një vend, i cili përpëlitej në honet e mjerimit, në një vend qytetarët e të cilit kishin gjithsej 204 dollarë të ardhura për frymë; në një vend ku papunësia për shkak të falimentimit total të një industrie të bazuar në teknologjitë më te vjetra e jashtë kohe kishte arritur shifra 80 përqind; në një vend i cili në masën 80 përqind ishte një vend rural. Në një hark kohor njëzet vjeçar, harku kohor i jetës tuaj të bukur, ju diplomoheni në një vend krejt tjetër. Në meritën e prindërve tuaj, në meritën e vëllezërve dhe motrave tuaj më të mëdhenj, Shqipëria ka performuar më shumë se çdo vend tjetër në një hark të tillë kohor. Shqipëria nuk është më në grupin e vendeve më të varfra, nuk është më në grupin e vendeve të varfra, nuk është më në grupin e vendeve me të ardhura të mesme, por Shqipëria është në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Shqipëria, me djersën, mundin dhe mendjen tuaj, në turrevrapin e saj, do të kapë së shpejti nivelin e vendeve të zhvilluara, nivelin e vendeve me të ardhura të larta për frymë.
Diploma shënon thjesht një fillim të ri, por duhet të jeni të lumtur që këtë fillim e nisni nga një nivel inspirues, frymëzues. Qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka që universitetet tona ta përballojnë me sukses garën e lirisë. Ne kemi bindjen se janë të një rëndësie shumë të madhe kushtet, laboratorët, bibliotekat, teknologjitë, por parësore, më shumë se çdo gjë tjetër, janë liritë tuaja, është liria akademike, liria e studentëve, liria e pedagogëve, liria e akademikëve. Në këtë liri qëndron dhe shtrati i ngrohtë i mendimit, i krijimit, i projektit për të ardhmen tuaj dhe të ardhmen e vendit. Ndaj dhe me reforma, së bashku me ju, ne do të bëjmë gjithçka të konsolidojmë liritë tuaja për të kërkuar, liritë tuaja për të debatuar, liritë tuaja për të mësuar. Në këtë mënyrë ju do të përmbushni misionin tuaj të madh - arkitektë të vërtetë të së ardhmes së ndritur që Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë.
Edhe një herë ju uroj gëzuar këtë ditë të madhe për ju, familjet tuaja, shoqërinë tuaj dhe mbarë Shqipërinë.
Gëzuar!”
22/07/2011