E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e krijimit të Universitetit të Sporteve të Tiranës

- Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do ta mbështesë këtë universitet me përparësi të madhe dhe se do të investojë në të gjitha drejtimet, me qëllim që të përmbushë me dinjitet misionin e madh që ka

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e krijimit të Universitetit të Sporteve të Tiranës, mbi bazën e Akademisë së Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”. Gjithashtu, Kryeministri Berisha mori pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të sallës së lojërave të këtij Universiteti dhe më pas vizitoi ambiente të tjera të tij.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do ta mbështesë këtë universitet me përparësi të madhe dhe se do të investojë në të gjitha drejtimet, me qëllim që të përmbushë me dinjitet misionin e madh që ka.

Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha:

“Të nderuar ministra,

Zoti Kryetar i Akademisë së Shkencave,

Zoti Rektori i Universitetit të Sporteve të Romës z. Paolo Parisi,

Drejtues të Universitetit të Vjenës,

Të dashur pedagogë, studentë, miq dhe të ftuar në këtë ngjarje të rëndësishme jo vetëm për fushën e sporteve në Shqipëri, por për të gjithë arsimin e lartë dhe vendin në tërësi.

Unë shfrytëzoj rastin t’ju përshëndes shumë përzemërsisht ju zoti Rektor, të përshëndes të gjithë pedagoget dhe pedagogët, të përshëndes studentët e këtij universitetit dhe të gjithë sportistët shqiptarë, për punën e shkëlqyer që bëni dhe që me veprimtarinë, me përkushtimin dhe me rezultatet tuaja, bëtë të mundur që vendi të ketë Universitetin e ri të Sporteve.

Universiteti juaj vjen si rezultat i kontributeve madhore, i lumenjve të djersës, përkushtimit dhe dashurisë së gjeneratave të tëra, plejadave të tëra studentësh, pedagogësh dhe sportistësh që përfaqësuan me aq dinjitet vendin, Shqipërinë, në rajon dhe në botë. Pra, kjo është një vepër e juaja. Unë me shumë kënaqësi, në qeveri, kam pritur vendimin e shpalljes së Institutit tuaj Universitet. Unë vij sot këtu për t’ju garantuar se qeveria do t’ju mbështesë me përparësi të madhe. Ne inauguruam sot një sallë lojërash madhështore, për të cilën gjej rastin të falënderoj edhe një herë Rektorin e Universitetit të Romës z. Paolo Parisi për ndihmën e çmuar.

Unë ju garantoj se qeveria do të investojë në të gjitha drejtimet që ju të përmbushni me dinjitet misionin e madh që keni. Ju do mund të përmbushni misionin e madh, për të edukuar jo vetëm studentët, por në radhë të parë shqiptarët, sepse misioni juaj i parë është misioni i edukimit sportiv, kur të dispononi të gjithë laboratorët, të gjitha pajisjet, të gjitha ekipimet më moderne. Kjo do të shërbejë edhe për të angazhuar studentët dhe pedagogët e universitetit në kërkime shkencore, si një kusht themelor për të qenë shkollë e lartë dhe për të ecur dhe zhvilluar përpara sportet shqiptare në tërësi.

Ne do të investojmë tek ju për të gjitha lehtësirat, instalimet që juve ju nevojiten, me qëllim që të përmbushni një detyrë të madhe kombëtare. Sporti është i një rëndësie parësore kombëtare. Në zhvillimin e harmonishëm të një kombi, asgjë nuk ka më të rëndësishme sesa edukimi sportiv i individit. Ne jemi të vendosur të mbështesim elitën sportive, sepse edhe ata me rezultatin dhe performancën e tyre kanë rol palcor në zhvillimin e sektorëve, por ne mbetemi të vendosur t’ju mbështesim ju në të gjitha përpjekjet për të masivizuar dhe për të shtrirë edukimin sportiv të qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit.

Nuk ka dyshim se në një shoqëri sporti dhe sportet kanë dashamirësit më të shumtë se të gjithë të tjerët. Partitë politike, por jo vetëm ato, do të lakmonin shumë të gëzonin mbështetjen që kanë sportistët dhe sporti në performancën e tyre. Unë e kam të zgjidhur, kam raport unik, gjithnjë bëhem me të mirin në sport.

Ndaj, dua t’ju përgëzoj për reformat e thella që keni bërë në universitet, për degët e reja që keni hapur, për diplomat që jepni, për zgjerimin e spektrit të degëve dhe veprimtarive të këtij universiteti.

Edhe një herë, duke ju falënderuar shumë përzemërsisht për kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë dhe jepni, shpreh nderimin tim më të madh për ju dhe për paraardhësit tuaj, të cilët me përkushtimin, me dashurinë, me sinqeritetin dhe me ndershmërinë e tyre ia dolën që sporti shqiptar të kapë gjithnjë e më shumë horizonte të reja. Edhe ky universitet, jam shumë i sigurt, se do t’u shërbejë këtyre misioneve dhe këtij qëllimi të madh.

Faleminderit!”


21/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›