E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Reformat e administratës publike shënuan ndryshime të mëdha dhe epokale

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në punimet e konferencës kombëtare me temë “Mbështetje për Departamentin e Administratës Publike Shqiptare”, organizuar nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike. Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian dhe qeveria gjermane.

Kryeministri Berisha vlerësoi administratës publike shqiptare, e cila në zbatim të politikave të qeverisë ia ka dalë këto vite të shënojë, me anë të reformave të thella, ndryshime të mëdha dhe epokale në vend. Kryeministri shprehu falënderime për të gjithë ata që sponsorizuan dhe bënë të mundur përgatitjen e paketës ligjore për shërbimin civil, duke vlerësuar se ajo përbën një bazë të re të shkëlqyer të përmirësimit të veprimtarisë së administratës publike. “Universiteti i Administratës publike, - tha më tej Kryeministri, - duhet të jetë një tjetër objektiv madhor”.

Kryeministri Berisha garantoi Departamentin e Administratës Publike dhe punonjësit e administratës se qeveria është e vendosur të mobilizojë të gjitha resurset, të japë gjithë mbështetjen për reformimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të saj, si kushti kryesor për reformat perpetuum mobile të kësaj shoqërie.

Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht për organizimin e kësaj konference për një nga çështjet më të rëndësishme, reformën në administratën publike. Në shekuj studiuesit u përkushtuan të gjejnë në fizikë, në mekanikë apo gjetiu atë që quhet perpetuum mobile. Në fakt ajo ekziston në shoqërinë që ne jetojmë. Perpetuum mobile e kësaj shoqërie janë reformat dhe vetëm reformat. Shoqëria që ne jetojmë sot, shoqëria e lirë, jeton dhe mbijeton të gjitha sfidat, sepse ajo në vetvete disponon mekanizmin e reformës së pandërprerë, e reformës së vazhdueshme.

Në këtë kontekst promotori i kësaj reforme, që është administrata publike, ka një mision jashtëzakonisht të rëndësishëm, të cilin mund ta përmbushë vetëm duke pranuar të reformohet në mënyrë të pandërprerë, të reformohet duke mbajtur parasysh këtu një thënie gjeniale të Presidentit Regan se: qeveria është problemi. Shefi i ekzekutivit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e dinte mirë se qeveria ishte vetë zgjidhja, por burokracia e qeverisë është dhe problem serioz për individin, për qytetarin, për shoqërinë. Reformimi i administratës publike dhe formimi i saj me të gjitha aftësitë për t’u përballur me sfidat e kohës mbetet detyra më konstante. Unë dua të shpreh mirënjohje të thellë dhe vlerësim të madh ndaj administratës publike shqiptare, e cila në zbatim të politikave të qeverisë shqiptare ia ka dalë këto vite të shënojë, me reforma të thella, ndryshime të mëdha dhe epokale në këtë vend. Nuk ka fushë në të cilën reformat e projektuara dhe realizuara nga kjo administratë të mos kenë shënuar një horizont të ri, një nivel të ri.

Këto kanë qenë dhe janë vite transformimesh të mëdha. Nga një vend tërësisht i papërfillshëm për biznesin, nga një vend me kaos të madh në prokurime, nga një vend ku korrupsioni ishte shndërruar në sistem, nga një vend ku krimi i organizuar bënte ligjin, nga një vend ku indeksi i penetrimit në internetit ishte ndër më të ulëtit në botë, sot në saj të këtyre reformave Shqipëria renditet në pozicione shumë të lakmueshme në rajon dhe në botë në klimën e biznesit. Ekonomia e saj është ndër ekonomitë e pakta që nuk njohu recesion. Shqipëria është i vetmi vend që në një hark kohor katër vjeçar dyfishoi të ardhurat buxhetore. Shqipëria ka vendosur sistemin më transparent që ekziston në prokurimet publike. Po ashtu janë ndërmarrë dhe seri reformash të tjera në sistemin e inspektimeve dhe sistemin e investime të huaja. Pra një tërësi reformash bëri që ekonomia shqiptare në periudhën e cunamit financiar më të madh që kohërat kanë njohur në këto 90 vitet e fundit të mbetet jashtë recensionit.

Reforma të thella e të gjithanshme janë bërë në fushën e arsimit. Këto reforma kanë bërë të mundur që sot në auditorët e universitet tona të ulen mbi 70 përqind e atyre që kanë mbaruar shkollat e mesme, në bankat e shkollave të mesme të ulen mbi 90 përqind e atyre që mbarojnë shkollën 9 vjeçare. Indeksi i penetrimit në interneti në shoqërinë shqiptare sot është rreth 50 përqind nga 4.8 përqind që ishte në fillim të vitit 2006. Reforma të thella e ligjore kanë njohur dhe institucione të tjera shtetërore si gjyqësori, prokuroria, Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive. Reformat kanë qenë dhe mbeten moto e kësaj qeverie. Duke theksuar këto, dua të them se sa më mirë të reformohemi ne vetë si administratë publike, aq më të aftë do të jemi të përmbushim këtë mision jetik për të shndërruar në realitet ëndrrën e çdo shqiptari: Shqipëria vend i zhvilluar. Ky duhet të jetë objektivi madhor që duhet të frymëzojë çdo qytetar të këtij vendi, por mbi të gjitha administratën publike të këtij shteti.

Lidhur me paketën e re ligjore, dua të përgëzoj dhe falënderoj të gjithë ata që kanë sponsorizuar e kanë bërë të mundur përgatitjen e saj. Ajo përbën një bazë të re të shkëlqyer të përmirësimit të veprimtarisë së administratës publike. Duhet të theksoj se gjatë këtyre viteve është përmirësuar dhe rekrutimi në administratë. Në rast se pak vite më parë pranimi në administratën publike i individëve të arsimuar në shkollat perëndimore ishte ekzotik, sot mbi 20 përqind e administratës dhe shërbimit civil janë të arsimuar në shkollat perëndimore. Kombi ka nevojë për softin e tij. Softi i kombit është perëndimor. Vokacioni shpirtëror i shqiptarëve është perëndimor. Ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka për të arritur standardet e vendeve të zhvilluara për arsimimin në Shqipëri, por edhe për të qenë të hapur ndaj atyre që arsimohen në shkollat më të mira të perëndimit.

Universiteti i Administratës publike duhet të jetë një tjetër objektiv madhor, një partneritet publik-privat apo direkt me financim publike. Ky universit është tashme një domosdoshmëri. Unë e di se ekziston një Institut i Trajnimeve të Administratës Publike (ITAP), por që nuk e përfillin në tërësi agjencitë, të cilat kërkojnë vetë të ndërtojnë shkollime e trajnime, duke besuar se kanë vetë të gjitha kapacitetet. Jo, mësimdhënia është mësimdhënie. Ajo ka specifikat e saj dhe ne duhet të ecim me vendosmëri drejt ngritjes së Universitetit të Administratës publike, e cila duhet të ketë dhe orientimin evropian, të Drejtë Evropiane, të Drejtën Komunitare. Kam kërkuar ndihmën e qeverisë franceze dhe jam i bindur se kjo qeveri do të na mbështesë në këtë nismë të domosdoshme. Punonjësit e administratës duhet të mbrojnë vendin e tyre. Periodikisht atyre duhet t’i mundësohen kualifikime në këtë universitet. Sikundër, edhe anglishtja është detyrë. Në qoftë se ne ia kërkojmë anglishten shkollarëve dhe maturantëve, punonjësit e administratës duhet ta kenë të qartë se është detyrë mësimi dhe njohja e saj. Pasi, pavarësisht se çfarë thotë traktati dhe praktika e Lisbonës de facto anglishtja po bëhet gjuha zyrtare, për të mos thënë e vetmja, e Brukselit. Ne komunikimin e kemi të vazhdueshëm dhe konstant. Kështu që edhe në këtë kontekst ne duhet të kemi përparësitë tona.

Dua të garantoj Departamentin e Administratës Publike dhe punonjësit e administratës se qeveria është e vendosur të mobilizojë të gjitha resurset, të japë të gjithë mbështetjen për reformimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të saj, si kushti kryesor për reformat perpetuum mobile të kësaj shoqërie.

Faleminderit!”


01/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›