Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e takimit të fundvitit “Me më të mirët e arsimit”
- Ky vit i ri e gjen arsimin shqiptar me arritje të prekshme. Këto arritje do të mundësojnë që, në katër vitet që vijnë, të shënohen hapa shumë më të rëndësishme në reformën arsimore, në përsosjen e saj dhe në rritjen e mëtejshme të cilësisë së mësimit në shkollat e vendit.
Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e takimit të fundvitit “Me më të mirët e arsimit”, organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministri i Arsimit e Shkencës, z. Myqerem Tafaj, drejtues të drejtorive arsimore në vend, drejtues të shkollave dhe mësues, prindër të nxënësve të vlerësuar si më të mirët në këtë fushë, etj.
Në këtë ceremoni u nderuan me çertifikatën e Meritës më të mirët në fushën e arsimit, duke nisur nga nxënës të shkollave 9-vjeçare, nxënës të shkollave të mesme, disa prej të cilëve të vlerësuar me çmime edhe në konkurse e olimpiada ndërkombëtare, si dhe edukatorë e mësues nga shkolla të ndryshmet, të cilët janë vlerësuar nga Ministria e Arsimit dhe Drejtoritë Rjonale Arsimore për meritat e tyre të veçanta në rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Gjithashtu, u vlerësuan me çmime edhe disa shkolla të kryeqytetit dhe të rretheve të tjera të vendit, për rezultate më të mirat dhe cilësi të lartë në mësimdhënie.
Duke përshëndetur këtë ngjarje, Kryeministri Berisha shprehu falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë pedagogëve, mësuesve, edukatorëve të brezit të ri, për punën dhe përkushtimin e dëshmuar në garën e dijes: “Ju falënderoj për rastin që më dhatë t’ju përshëndes përzemërsisht, të përshëndes më të mirët e arsimit, më të mirët e Shqipërisë dhe t’u uroj nga zemra një vit të gëzuar, një vit me suksese, me shëndet dhe me harmoni, me më shumë të mira në familjet tuaja. Gjithashtu, dua të shpreh falënderimin tim , mirënjohjen time të thellë ndaj jush, për punën, përkushtimin, që ju keni dëshmuar në garën më fisnike të njeriut, në garën e te gjitha garave për zhvillimin e një shoqërie dhe të një kombi, siç është gara e dijes.”
Kryeministri shprehu kënaqësinë që Viti i ri e gjen arsimin shqiptar me disa arritje të prekshme. Ai theksoi se këto arritje do të mundësojnë që në katër vitet që vijnë, të shënohen hapa shumë më të rëndësishme në reformën arsimore, në përsosjen e saj dhe në rritjen e mëtejshme të cilësisë së mësimit në shkollat e vendit. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se në qendër të përpjekjeve të qeverisë për një arsim sa më cilësor, është në radhë të parë kualifikimi dhe përgatitja e vazhdueshme e mësuesve. “Në rast se ne katër vitet që kaluam, ia dolëm të shtrijmë internetin dhe kabinetet e informatikës në të gjitha shkollat e vendit, katër vitet që vijnë është detyra jonë që dhe në duart e këtyre vogëlushëve, të ketë kompjuter dhe të fillojnë të lundrojnë në hapësirat e pafundme të tij. është detyra jonë që të bëjmë që në mbarë vendin të kemi arsimin parashkollor ngjitur me arsimin shkollor. është detyra jonë që të mbajmë gjithnjë në epiqendër të të gjitha përpjekjeve tona për një arsim cilësor, mësuesin, personalitetin, dinjitetin, shkollimin e tij më të mirë. Objektivat tona ambicioze në fushën e arsimit do të mund ti realizojmë vetëm duke u përqendruar para së gjithash dhe mbi të gjitha tek mësuesi, problematike e tij, tek mësuesi dhe aftësimi i tij, tek mësuesi dhe kushtet e tij të punës.”
Më pas, Kryeministri iu drejtua me urimin e tij nxënësve të pranishëm dhe familjeve të tyre, duke theksuar se ndihma që japin familjet në arsimin e fëmijëve të tyre është e pazëvendësueshme. “Edhe njëherë ju uroj gëzuar, ju përgëzoj për arritjen e madhe. Ju vini sot në këtë sallë si më të mirët e më të mirëve, vini si shkëlqimet e më të mirëve të vendit. Ju uroj gëzuar”.
Kryeministri shprehu një falënderim të veçantë për familjet e nxënësve, duke theksuar se, në të gjithë suksesin e tyre, ata kanë rolin më kryesor. “Ndihma e tyre është e pazëvendësueshme. Zhan Zhak Rusoi, një nga themeluesit e doktrinës së arsimimit modern, thotë se arsimi është dhurata më e madhe që familja i bën fëmijës së tij. Ndaj le të falënderojmë familjet tuaja, të falënderojmë mësuesit tuaj për arritjet që ju keni realizuar gjatë këtij viti duke dalë më të mirët e më të mirëve”, u shpreh Kryeministri.
Nga ana e tij, ministri Tafaj theksoi se kjo nismë e Ministrisë së Arsimit do të kthehet tashmë në një traditë të përvitshme, në çdo fundviti, si një vlerësim real, por edhe si motivim dhe nxitje për rezultate dhe cilësi akoma më të lartë në sistemin tonë arsimor.
24/12/2009