Kryeministri Berisha pret përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga z. Sllobodan Petroviç
- Kryeministri Berisha u shpreh se Presidenti Tadiç është i mirëpritur në Shqipëri dhe dua t’ju them se ne po punojmë për vizitën e tij të ardhshme
Kryeministri Berisha priti sot në një takim të veçantë përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, njëherësh, Kryetar i Partisë Liberale Serbë në Kosovë, zoti Sllobodan Petroviç.
Duke e cilësuar historike vizitën e përfaqësuesve politikë të komunitetit serb në Kosovë, Kryeministri Berisha u shprehu vendosmërinë e tij për të dhënë të gjithë kontributin e mundshëm në interesin më të mirë të bashkëjetesës së qytetarëve të Kosovës, pa dallim nga origjina e tyre etnike. Gjithashtu, Kryeministri Berisha bëri të ditur se qeveria shqiptare do të kontribuojë me një fond modest prej 400 mijë euro për Komunën e Graçanicës.
I pyetur për perspektivën e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, Kryeministri Berisha u shpreh se janë takimet e tij me Presidentin e Serbisë z. Boris Tadiç janë shumë të shpeshta gjatë aktiviteteve ndërkombëtare dhe ajo ç’ka vlerësohet shumë është vullneti i përbashkët për të zhvilluar marrëdhëniet mes dy vendeve, për të hapur një kapitull të ri në këto marrëdhënie. Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se “Presidenti Tadiç është i mirëpritur në Shqipëri dhe dua t’ju them se ne po punojmë për vizitën e tij të ardhshme. Presidenti Tadiç e ka mirëpritur shumë ftesën për të vizituar Shqipërinë”.
Nga ana e tij, zoti Petroviç vlerësoi vizitën e fundit të Kryeministrit Berisha, si dhe vizitën e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme z. Ilir Meta, në Kosovë, të cilët në këto vizita kanë krijuar edhe një lloj besimi brenda komunitetit serb. “Pikërisht në atë kohë ka ardhur edhe ideja, nga Kryeministri Berisha dhe zv/kryeministri Meta, që qeveria e Republikës së Shqipërisë të jetë një nga vendet që do të ndihmojë komunat e reja të krijuara në Kosovë. Ne e vlerësojmë këtë gjest më shumë sesa simbolik, vetëm me faktin duke e ditur se edhe në vendin tuaj situata ekonomike nuk është më e mira dhe në një situatë të tillë ju jeni të gatshëm t’i vini në ndihmë edhe atyre që kanë nevojë. Ndaj, dhe ky gjest i juaj është shumë i rëndësishëm. Unë jam i sigurt se në këtë drejtim ne dërgojmë një mesazh të qartë, i cili do të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës, qytetarëve të Shqipërisë dhe në rajon. Dëshiroj të besoj se shtetet në rajon do të marrin shembullin e qeverisë së Shqipërisë dhe jam i sigurt se edhe miqtë tanë nga Brukseli dhe nga Uashingtoni do ta vlerësojnë shumë pozitivisht këtë projekt të përbashkët tonin”, u shpreh z. Petroviç.
Pas takimit, Kryeministri Berisha dhe zoti Petroviç dhanë një konferencë të përbashkët për media:
Deklarata e Kryeministrit Berisha: “Zonja dhe zotërinj,
Sapo përfunduam një takim të përzemërt, të frytshëm, me delegacionin e qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Partisë Liberale Serbë në Kosovë, zoti Sllobodan Petroviç dhe ministrat e qeverisë së Kosovës. Dua të theksoj që në fillim se kjo vizitë miqësore zyrtare është një vizitë historike. Unë shpreha vlerësimin tim më të madh për vizitën, por edhe për kontributin që Partia Liberale Serbe në Kosovë dhe kryetari i saj z. Sllobodan Petroviç japin për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, në rajon dhe më gjerë.
Këta zotërinj janë burra të cilët me vendosmëri punojnë për një kapitull të ri në marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit serb. Zhvillimi i zgjedhjeve të fundit lokale, të parat pas pavarësisë së Kosovës, pjesëmarrja e Partisë Liberale Serbe dhe fitorja e saj në katër komuna, është dëshmi e një vullneti thellësisht pozitiv të kësaj partie dhe udhëheqjes së saj për një kontribut thelbësor në paqen, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Gjatë bisedimeve diskutuam gjerësisht mbi mundësitë e gjera të bashkëpunimit midis dy vendeve, sikundër shpreha dëshirën e qeverisë shqiptare për të kontribuar me një fond modest prej 400 mijë euro për Komunën e Graçanicës, kryetari i sapozgjedhur i së cilës është këtu midis nesh. Ne ramë dakord që kryetari dhe këshilli i komunës, bashkërisht, të përzgjedhin projektet më me interes për komunitetin që ai drejton dhe qeveris dhe të dërgojë pas Vitit të Ri ekspertët e qeverisë që së bashku të përcaktojmë të gjithë praktikën e lëvrimit të këtij kontributi modest. Gjithashtu, unë theksova se do të ishte i dobishëm edhe binjakëzimi i komunave, kryesisht me popullatë serbe, me komunat dhe bashkitë e vendit tonë.
Unë e garantova zotin Petroviç se mbetem shumë i vendosur të jap të gjithë kontributin që unë mund të jap në interesin më të mirë të bashkëjetesës së qytetarëve të Kosovës, pa dallim nga origjina e tyre etnike. Unë kam mbështetur, publikisht dhe privatisht, krijimin e komunave të reja në Kosovë dhe pata kënaqësinë që gjatë vizitës time atje të mësoja se ishin krijuar edhe gjashtë të tjera. Unë kam bindjen më të thellë se këto komuna janë dhe do të jenë faktor i rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe zhvillimi të komuniteteve vendore.
Edhe një herë dua t’ju uroj mirëseardhjen, të shpreh vlerësimin dhe kënaqësinë time për këtë vizitë miqësore dhe historike të autoriteteve më të larta zyrtare dhe përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë, përfaqësojnë qeverinë, përfaqësojnë Parlamentin, përfaqësojnë pushtetin vendor.
Faleminderit!
Deklarata e zotit Sllobodan Petroviç: “I nderuar zoti Kryeministër Berisha,
Të nderuar përfaqësues të medias,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Shqipërisë,
Dëshiroj të shpreh kënaqësinë e madhe, veçanërisht në ftesën që kemi marrë nga qeveria e Shqipërisë, siç tha dhe vetë Kryeministri, që kjo vizitë është sigurisht edhe një vizitë miqësore. Ne e vlerësojmë vizitën e fundit në Kosovë të Kryeministrit Berisha, si dhe vizitën e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme z. Ilir Meta, të cilët në rastin e kësaj vizite kanë krijuar edhe një lloj besimi brenda komunitetit serb, posaçërisht edhe në atë kohë ka ardhur edhe ideja nga Kryeministri Berisha dhe zv/kryeministri Meta, që qeveria e Republikës së Shqipërisë të jetë një nga vendet që do të ndihmojë komunat e reja të krijuara në Kosovë. Ne e vlerësojmë këtë gjest më shumë sesa simbolik, vetëm me faktin duke e ditur se edhe në vendin tuaj situata ekonomike nuk është më e mira dhe se ju në një situatë të tillë jeni të gatshëm t’i vini në ndihmë edhe atyre që kanë nevojë dhe ky gjest i juaj është shumë i rëndësishëm. Unë jam i sigurt se në këtë drejtim ne dërgojmë një mesazh të qartë, i cili do të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës, qytetarëve të Shqipërisë dhe në rajon. Dëshiroj të besoj se shtetet në rajon do të marrin shembullin e qeverisë së Shqipërisë dhe jam i sigurt se miqtë tanë nga Brukseli dhe nga Uashingtoni do ta vlerësojnë shumë pozitivisht këtë projekt të përbashkët tonin.
Zoti Kryeministër,
Më lejoni që në emër të komunitetit serb të Kosovës dhe po ashtu në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës t’ju falënderoj për ndihmën tuaj, pasi kjo nuk është një ndihmë vetëm për komunitetin serb, por është një ndihmë edhe për institucionet dhe për qytetarët e Kosovës.
Edhe një herë ju falënderoj dhe ju presim shumë shpejt në Kosovë”.
Më pas, Kryeministri Berisha dhe z.Petrovic i’u përgjigjën interesit të medias:
Pyetje: Zoti Kryeministër, kohët e fundit kemi pasur disa takime me Presidentin serb Boris Tadiç në disa aktivitete ndërkombëtare. Si mendoni, cila është perspektiva e marrëdhënieve mes dy vendeve?
Kryeministri Berisha: është e vërtetë që unë në çdo Samit takohem me Presidentin Boris Tadiç dhe ajo ç’ka vlerësohet shumë është vullneti i përbashkët për të zhvilluar marrëdhëniet mes dy vendeve tona për të hapur një kapitull të ri në këto marrëdhënie. Presidenti Tadiç është i mirëpritur në Shqipëri dhe dua t’ju them se ne po punojmë për vizitën e tij të ardhshme. Presidenti Tadiç e ka mirëpritur shumë ftesën për të vizituar Shqipërinë.
Pyetje: Zoti Petroviç, cili është mesazhi juaj pas kësaj vizite në Shqipëri për shtetin dhe a besoni se do të ketë, së afërmi, një njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia?
Zoti Petroviç: Ju falënderoj për pyetjet. Mendoj se një nga pyetjet që më bën duhet të ishte përgjigja nga Kryeministri Berisha dhe zoti Tadiç. Ndërsa sa i përket mesazhit, ai është mjaft i qartë dhe për Partinë e Pavarur Liberale është karakteristike që ne punojmë në praktikë dhe jo në teori. Dhe, unë jam i sigurt që ky aktivitet i yni i përbashkët do të ketë si rezultat marrëdhënie të reja dhe më të mira mes këtyre dy vendeve. Vetë fakti që qeveria e Republikës së Shqipërisë ka një autoritet mjaft të madh dhe të rëndësishëm edhe në qeverinë në Kosovë, që do ë ketë një ndikim më shumë sesa pozitiv, se mund të them se në periudhën e këtyre dy viteve është bërë mjaft në këtë drejtim. Megjithatë unë them se prapë mund të bëhet edhe më shumë.
Pyetje: Zoti Kryeministër, lidhur me një kasetë të transmetuar dje nga Vizion Plus për mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës për vendimin pronën e “Tajvanit” ku në fakt zoti Rama ka deklaruar se nuk ishte dakord me vendimin për shitjen e tokës me çmim të ulët, siç ishte deklaruar nga ju, dhe këshilltarët e grupit të PD-së kanë votuar një pjesë e tyre pro.
Kryeministri Berisha: Ju lutem zonjë, si mund të më pyesni mua për truket që gajaset edhe vetë zoti Rama kur i sheh. Unë nuk mund t’i komentojë ato. Ajo është mënyra më e keqe për të mbrojtur zotin Rama.
Pyetje: Zoti Petroviç, duke qenë se ju jeni anëtar i Kryesisë së Parlamentit, por unë pyetjen e kam më shumë si politikan. Pas zgjedhjeve lokale në Kosovë, a mendoni se do të vazhdojë kualiteti LDK-PDK?
Zoti Petroviç: Ju falënderoj për pyetjen. është edhe një thënie kineze, e cila thotë: ”kur përleshen dy elefantë, atëherë, ajo që sinqerisht dëshirojmë, si pjesë jo vetëm e parlamentit, por edhe e qeverisë, ku partnere janë si ata të PDK-së dhe ata të LDK-së, është të japim përkrahjen dhe mbështetjen tonë për stabilitet. çdo gjë që do të destabilizojë është nuk do të këtë mbështetjen tonë. 24/12/2009