Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Qeverisë
Fjala e plotë e kryeministrit Berisha e mbajtur gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit të Ministrave:
Si gjithnjë në kërkim të të fundit, mediat sërish duhet ta dinë se kjo nuk është mbledhja e fundit. Do të ketë edhe një tjetër, ndonëse nuk janë të pakët ata, ndër të cilët edhe unë, që do të donim të ma mbyllnim me këtë mbledhje, por është edhe një mbledhje tjetër.
Sot, kemi një seri projektligjesh, vendimesh, shumë të rëndësishme. Do të veçoja ligjin për shpalljen Festë Kombëtare të datës 8 Dhjetor. Kjo ditë shënon ditën e njërit prej akteve më madhore të kurajës, të guximit, të të rinjve shqiptarë të cilët në një moment kur vendi ishte zhytur në izolimin më të madh, varfërinë më të skajshme, dëshpërimin më të thellë, gjetën forcë dhe kurajë shpirtërore, u përballën në qytezën e tyre dhe në rrugët e Tiranës, me diktaturën. Shënuan fillimin e një epoke të re për Shqipërinë dhe shqiptarët të paprecedentë në historinë e tyre të gjatë, një epokë e cila, do të karakterizohej nga ndërtimi i një demokracie të mirëfilltë, ekonomie tregu dhe progresi të pandërprerë të Shqipërisë dhe shqiptarëve drejt familjes së kombeve të zhvilluar dhe qytetëruara perëndimore, nga të cilat shqiptarët, pjesërisht ose tërësisht ishin shkëputur, që në kohën e Bizantit. Por, duhet të jemi të vetëdijshëm se festimi që I bënë qytetarët shqiptarë edhe 19 vjet pas kësaj dite 8 Dhjetorit, ishte një kushtrim, ishte një apel për qeverinë, por edhe një qortim pra, shqiptarët e përjetojnë këtë, si ditën e rilindjes së lirive të tyre. Ndaj dhe shpreh kënaqësinë që qeveria vendos sot për ta shpallur Festë Kombëtare 8 Dhjetorin, në nderim të veprës legjendare të studentëve të këtij vendi, por edhe në nderim të lirive dhe të drejtave individuale të çdo qytetari shqiptar.
Ka edhe një seri vendimesh të tjera të rëndësishme. Tatimi me vlerën e shtuar, disa ndërhyrje në të cilat nuk do të zbardhet ky ligj pa u hequr TVSH për arsimin, në përputhje me premtimin, zotimin solemn elektoral të kryeministrit të vendit, në të katër anët e Shqipërisë. Ndaj edhe zoti sekretar I përgjithshme, në këtë ligj do të shtohet edhe mendimi i heqjes së TVSh-së për arsimin privat në mënyrë që tu bëjmë edhe atyre një dhuratë. është kohë dhuratash edhe për ata, sepse duhet të kemi një vetëdije: baballarët e tyre paguajnë taksa dhe fëmijët i shkollojnë më paratë e tyre. Ndaj edhe kjo do të bëhet pasi një drejtësi sociale, e cila në formën ideale nuk realizohet kurrë, por prapëseprapë është një ideal që thërret dhe me të cilin njeri duhet të luftojë që t’i afrohet sa më shumë.
Problemi i tretë i rëndësishëm që dua të veçoj këtu se janë të shumta, miratojmë dekretin, aktin normativ të qeverisë për finalizimin e buxhetit të këtij vendi. Edhe një herë gjej rastin të përgëzoj në tërësi Ministrinë e Financave për performancën, që është dëshmuar në kushtet e krizës më të thellë që ka njohur bota nga vitet ‘30 gjer më sot. Ka qenë periudha më e vështirë në historinë e Evropës dhe të, nga 1930 gjer më sot. Shqipëria fatmirësisht nuk pati tronditje në themel, siç patën vendet e tjera. Shqipëria nuk zbriti, rritja e saj, mbeti pozitive dhe nuk zbriti siç zbritën vendet e tjera në -6 gjer në -14. Performanca qe e tillë që bëri që ne të përmbushnim jo pa vështirësi, por të përmbushim detyrimet tona së pari ndaj qytetarëve shqiptarë, me rrogat edhe pensionet e tyre. Ne jemi i vetmi vend absolutisht që kemi bërë rritje rrogash dhe pensionesh në Evropë dhe më gjerë. Dhe jo kemi bërë rritje, por kemi bërë rritjen më të madhe në historinë e vendit. Kjo është e vërteta. Këto ditë po shpërndahet dhe vazhdon të shpërndahet i plotë shpërblimi. Dje unë mora një mesazh nga një sanitare në spital, e cila një ditë më parë më kishte shkruar se “nuk po marrim shpërblimin e merituar”, kurse dje më thoshte “unë mora shpërblimin 135 mijë lekë”. Pra shpërblimi po ndahet, po ndahet edhe për pensionistët. Posta Shqiptare më informoi se ditën e parë të fillimit të këtij procesi 42 mijë pensionistë kanë marrë shpërblimin. Pra mendoj se cunami financiar dhe ekonomik, ndonëse u pasqyra, nuk krijoi tronditje në themel, të ekonomisë së vogël dinamike të shqiptarëve. Ndaj edhe me aktin normative bëhet i mundur disbursimi i një shumë të madhe prej 50 milionë dollar të shpenzimeve kapitale, bëhet e mundur mbajtja në limite të pranueshme të deficitit buxhetor, nga 4.2 do të jetë 4.5, bëhet i mundur ose vjen si rezultat i një kontrolli do të thoja të plotë të inflacionit. Nuk ka një performancë tjetër ekonomike financiare, sot të ngjashme me këtë, absolutisht nuk ka, sepse në këtë periudhë në Evropë ka vetëm Polonia një rritje 1.5 përqind dhe të gjitha flamujt e tjerë ekonomikë vazhdojnë të mbeten gjysmështizë.
Ka një vendim të Këshillit të Ministrave për 285 kuota për specializime në mjekësi. Ndërkohë zoti ministër i arsimit duhet të ecim drejt licencimit të Fakulteteve private të mjekësisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, rektoratit të përcaktohen kriteret rigoroze, sigurisht. Zgjerimi i bazë spitalore dhe modernizimi i saj e bën krejtësisht të mundur që të ketë edhe fakultet mjekësie privat, pasi duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se numri i mjekëve për frymë nuk është në standardin evropian dhe ne duhet të rrisim diplomimin e kualifikimin e mjekëve.
Një vendim tjetër i rëndësishëm është se qeveria vendos që shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare t’i kalojë në pronësi pa shpërblim një sipërfaqe toke, ku ai ka një banesë verore. Jam i bindur se çdo shqiptar e mbështet e këtë vendim, por dua të theksoj këto se Ismail Kadare, i ka falur qytetit të Gjirokastrës dhe mbarë Shqipërisë, shtëpinë e tij, ku ka lindur, ku është rritur në Gjirokastër dhe që është bërë absolutisht pika kryesore e referencës së këtij qyteti të lashtë. Gjirokastra ka pasuri të mëdha, për t’u paraqitur vizitorëve, por në krye të tyre me distancë, për turistët që vijnë nga mbarë bota është shtëpia e shkrimtarit të madh Ismail Kadare dhe Ministria e Kulturës në bashkëpunim me autoritet vendore, po bën restaurimin e saj të plotë, ku do të jetë biblioteka, do të jenë një seri mjedisesh që do paraqesin jetën e shkrimtarit, si dhe të familjes. E theksova këtë jo se këto janë dy akte të lidhur me njëra tjetrën, shkrimtari e ka bërë dhuratën e tij kohë më parë, por natyrisht kjo është më e pakta që qeveria shqiptare mund të bënte si një akt vlerësimi për një personalitet botëror të letrave, një shkrimtar siç do të theksonte Princi i Asturias, ndër më të mëdhenjtë e kohërave.
23/12/2009