Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e Qendrës së re Tregtare ABA, një bashkëpunim me grupin e njohur italian COIN
Inaugurimi i kësaj qendre është gjithashtu dëshmi e vitalitetit, entuziazmit të ekonomisë shqiptare, të sipërmarrjes së lirë në Shqipëri.
Në një hark kohor as tre mujor, në Tiranë dhe periferinë e saj, vetëm në sektorin e magazinave të shitjes janë inauguruar investime prej rreth 160 milion dollarë, Qendra ABA, Praktiker, City Park, Megatek dhe shumë kompani të tjera.
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin e Qendrës së re tregtare ABA, një bashkëpunim me grupin e njohur italian në fushën e veshjeve dhe të pajisjeve shtëpiake COIN. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ambasadori italian në Tiranë Saba D’Elia.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha e konsideroi Qendrën e re Tregtare dhe vendosjen në Shqipëri të një prej 10 kompanive më të mëdha të shitjes në Europë, grupit COIN një ngjarje të madhe për jetën e kryeqytetit dhe për tregun shqiptar në tërësi.
“Inaugurimi i Qendrës Tregtare të Tiranës dhe i kompanisë COIN shënon një investim të madh prej 65 milion euro, sikundër shënon gjithashtu një punësim të konsiderueshëm prej 400 punonjës në të gjithë sektorët e saj,” tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha u shpreh se inaugurimi i kësaj Qendre, si një bashkëpunim shqiptaro-italian i sektorit privat, është edhe një zhvillim shumë i mirëpritur, në sintoni të plotë me marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe të gjithanshme që ekzistojnë midis dy vendeve, si dhe dëshmi e vitalitetit, entuziazmit të ekonomisë dhe sipërmarrjes së lirë në Shqipëri.
Ambasadori italian D’Elia e vlerësoi gjithashtu, hapjen e kësaj qendre dhe prezencën e grupit COIN në Shqipëri si një moment tjetër të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike.
“Grupi COIN, - tha ambasadori D’Elia - ka punuar së bashku me miqtë shqiptarë prej muajsh të tërë për të realizuar këtë qendër kaq të fuqishme dhe të rëdësishme. Grupi COIN ëhstë një grup mjaft i rëndësishëm jo vetëm në Itali, por edhe në Europë në fushën e veshjeve dhe të pajisjeve të shtëpisë. Shembull i bashkëpunimit të shkëlqyer midis dy vendeve është edhe zgjedhja që ka bërë grupi COIN për të hapur në Shqipëri qendrën më të madhe të saj jashtë Italisë.
Ambasadori italian tha se përurimi i qendrës përkon edhe me nismën e re të ambasadës italiane të titulluar “Itali dhe Shqipëria 2010, dy popuj, një det, një miqësi”, që do ë marrë udhë ditën e diel, më 14 mars.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të nderuar zotërinj ministra,
Zoti Ambasador D”Elia,
Të nderuar drejtues të kompanisë COIN, qendrës Tregtare të Tiranës ABA,
Zonja dhe zotërinj,
Sot, në kryeqytetin e vendit, inaugurohet Qendra më e madhe, më e bukur, më e fuqishme tregtare e tij dhe e vendit, ABA dhe magazinat e një prej 10 kompanive më të mëdha të shitjes në Europë, grupit COIN. Kjo përbën një ngjarje të madhe për jetën e kryeqytetit dhe të vendit, për tregun shqiptar në tërësi. Ndaj me këtë rast, dua të përgëzoj të gjithë ekipin, pronarët e ABA-s dhe të COIN, punonjësit e kësaj Qendre dhe t’u uroj atyre suksese dhe mbarësi në veprimtarinë e tyre shumë të rëndësishme.
Inaugurimi i Qendrës Tregtare të Tiranës dhe i kompanisë COIN shënon një investim të madh prej 65 milion euro, sikundër shënon gjithashtu një punësim të konsiderueshëm prej 400 punonjës në të gjithë sektorët e saj. Por, siç theksoi ambasadori D’Elia, inaugurimi i kësaj Qendre, si një bashkëpunim shqiptaro-italian i sektorit privat, është gjithashtu një zhvillim dhe ngjarje shumë e mirëpritur, në sintoni të plotë me marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe të gjithanshme që ekzistojnë midis dy vendeve, dy kombeve dhe dy qeverive tona, është dallëndyshja e parë e pranverës italiane në Shqipëri, e cila, siç njoftoi ambasadori, fillon javën e ardhme me një nga shfaqjet më të bukura akrobatike që kryeqyteti ka pasur ndonjëherë.
Inaugurimi i kësaj qendre është gjithashtu dëshmi e vitalitetit, entuziazmit të ekonomisë shqiptare, të sipërmarrjes së lirë në Shqipëri. Ata, të cilët investuan në Qendër, grupi COIN me investimet e tij, nuk kanë gabuar. E kundërta, kanë bërë zgjidhjen më të drejtë, sepse investuan në kryeqytetin e një vendi që vitin e kaluar mbajti më lart se çdo vend tjetër flamurin e rritjes ekonomike. Shqipëria edhe këtë vit do të kryesojë me rritjen e saj ekonomike. Në një hark kohor as tre mujor, në Tiranë dhe periferinë e saj, vetëm në sektorin e magazinave të shitjes janë inauguruar investime prej rreth 160 milion dollarë, kjo qendër, Praktiker, City Park, Megatek dhe shumë kompani të tjera. Këto janë shërbime që punësojnë një numër shumë të madh punonjësish, por, nga ana tjetër, ky sektor është lakmusi i shëndetit, entuziazmit, optimizmit të tregut, është pararoja e tij. Asgjë nuk dëshmon në saktë dhe më qartë shëndetin e një ekonomia, sepse dinamizmi i shitjeve, sesa zhvillimi i sektorit të magazinave të shitjes.
Ekonomia shqiptare, si pjesë e ekonomisë globale, nuk është se nuk i ndjeu pasojat, por u qëndroi atyre në një mënyrë shumë solide, u qëndroi atyre, sepse reformat e shndërruan atë në ekonominë me taksat më të ulëta në Europë, u qëndroi atyre, sepse reformat bënë që kjo ekonomi të ketë barrën më të lehtë administrative publike, të përballet me administratën më të vogël, u qëndroi atyre, sepse politikat e qeverisë janë thellësisht të orientuara nga tregu dhe nga investime të mëdha, që të gjitha në funksion të tregut, që të gjitha në ndihmë të tregut. Janë këto arsye, të cilat bëjnë që në një hark kohor tre mujor, në Tiranë, të zbresin kompani europiane dhe botërore dhe të tjera po kaq të mëdha po përgatiten për të çelur së shpejti veprimtarinë e tyre. Ekonomia shqiptare është pjesë e ekonomisë globale, por ka filluar këtë vit një start shumë të mbarë.
Zonja dhe zotërinj,
Tre ditë më parë dëgjuat se Republika Popullore e Kinës pati një rritje të eksporteve prej 44 përqind. Dy muajt e këtij viti, Shqipëria ka pasur një rritje eksportesh ‘Made in Albania ‘ 100 përqind. Kjo është e vërteta dhe këto të dhëna janë shumë inkurajuese. është pikërisht ky background, kjo bazë që bëjnë që dallëndyshet të vijnë në Tiranë edhe në mes të dimrit. Le t’i urojmë pronarëve, sipërmarrësve, menaxherëve dhe të gjithë punonjësve të kësaj Qendre të mrekullueshme, suksese. Faleminderit.”
12/03/2010