E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e universitetit Hëna e plotë

“Në tolerancën, mirëkuptimin, respektin e besimeve të njëri-tjetrit qëndron edhe mesazhi më i fuqishëm, më i shkëlqyer që ky komb i vogël i përcjell qytetërimit të madh perëndimor dhe qytetërimit botëror.”

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të universitetit Hëna e plotë. Kryeministri e përshëndeti hapjen e këtij si një ngjarje të shënuar në historinë e besimit mysliman në Shqipëri. Ne, shqiptarët, - u shpreh Kryeministri - jemi një komb me tre besime të mëdha, jemi një komb me liri të plotë besimi, me respekt të plotë për besimin e njëri-tjetrit. Jam i bindur se ky universitet do të japë një kontribut të madh në konsolidimin gjithnjë e më të madh të këtij virtyti, më i arriri që kanë shqiptarët dhe kombi ynë në veçanti.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“I nderuar Hirësia Juaj Haxhi Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar,

Zotërinj ministra,

Të nderuar përfaqësues të klerit të besimeve të mëdha të Shqipërisë,

Shkëlqesi ambasadorë,

Të dashur studente e studentë të këtij universiteti, prindër e familjarë të tyre,

Sot është një ditë e madhe, një ditë e veçantë në historinë e besimit mysliman shqiptar, por në historinë e besimeve në tërësi, historinë e arsimit shqiptar në veçanti. Sot, ne inaugurojmë universitetin Hëna e Plotë, në të cilin do të përgatiten teologët e besimit mysliman, por edhe specialistë të katër fushave të rëndësishme për vendin. Me këtë rast, unë dua t’i shpreh respektin tim më të thellë Hirësisë së Tij, zotit Haxhi Selim Muça, i cili me përkushtim të madh, durim e mirëkuptim ka ndjekur të gjithë procesin e hapjes së këtij universiteti dhe dua të shprehem këtu se ky është një kontribut i madh që jep për vendin, por edhe kombin shqiptar në tërësi.

Mësimet e Zotit janë mësimet më të mëdha, më të çmuara, më të vyera, janë mësimet mbi të cilat ndërtohet morali njerëzor. Në këtë aspekt, kjo shkollë është një zhvillim i rëndësishëm në formimin, edukimin, promovimin e mësimeve të Kuranit dhe të Zotit. Dua të falënderoj Fondacionin SEMA për mbështetjen e madhe që u ka dhënë dhe u jep shkollave, medreseve, Komunitetit Mysliman në tërësi, në Shqipëri, të falënderoj rektorin e ri të këtij universiteti, zotin Gjana dhe të gjithë stafin e pedagogëve prej 52 specialistësh të shquar të fushave të ndryshme që kanë marrë përsipër formimin, edukimin e studenteve dhe studentëve të këtij universiteti. Dua të garantoj rektorin, stafin e universitetit, të garantoj udhëheqësit e komuniteteve fetare në Shqipëri se qeveria do të bëjë çdo gjë për të mbështetur veprimtarinë e tyre jashtëzakonisht të rëndësishme për infrastrukturën morale të qytetarëve dhe të kombit shqiptar.

Ne, shqiptarët, jemi një komb me tre besime të mëdha, jemi një komb me liri të plotë besimi, me respekt të plotë për besimin e njëri-tjetrit. Jam i bindur se ky universitet do të japë një kontribut të madh në konsolidimin gjithnjë e më të madh të këtij virtyti, më i arriri që kanë shqiptarët dhe kombi ynë në veçanti. Jam i bindur se në respekt të këtij mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe tolerance ndërfetare qëndron edhe forca e besimit tek Zoti e shqiptarëve. Në tolerancën, mirëkuptimin, respektin e besimeve të njëri-tjetrit qëndron edhe mesazhi më i fuqishëm, më i shkëlqyer që ky komb i vogël i përcjell qytetërimit të madh perëndimor dhe qytetërimit botëror. Jam i bindur se ky virtyt, kjo dhunti e ky mesazh, sa njerëzor dhe hyjnor, pas një kalvari të egër u ripërtëri fuqishëm, madhërishëm dhe po rezonon gjithnjë e më shumë në Europë e në botë.

Zonja e zotërinj,

Për 45 vite, ky komb ishte arenë e përballjes midis rrugës së Zotit, besimit tek Zoti dhe rrugës tjetër që dëshironte me çdo kusht t’i bindte shqiptarët se ajo ishte rruga e vetme. Por për qytetarët e këtij  vendi, për besimtarët e këtij vendi, myslimanë, katolikë, ortodoksë, të të gjitha besimeve mbeti gjithmonë e palëkundur ideja se rruga e vetme është rruga e Zotit, se ata, të cilët u përpoqën t’ua paraqesin rrugën e tyre si rrugën e Zotit, përfunduan në galerat e historisë, aty ku e kishin vendin. Kurse ju u ngritët fuqishëm, besimtarë të palëkundur në vlerat më të arrira, në mësimet e shenjta, në besimin tek njëri tjetri. Ndaj le të vazhdojmë ne së bashku të frymëzohemi nga këto mësime, le të vazhdojmë ne sëbashku të respektojmë njëri-tjetrin, le të vazhdojmë ne sëbashku të përhapim këtë mesazh të madh të shpirtit tonë qytetar dhe të jemi të sigurt se do të ecim shumë më shpejt, shumë më me sukses, drejt asaj të ardhmeje që po ndërtojmë me vështirësi, por që po e ndërtojmë me siguri, drejt të ardhmes që meritojmë.

Edhe një herë ju uroj gëzuar këtë ditë dhe ju garantoj ju, zoti Kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, ju, zoti rektor dhe ju, përfaqësuesve të besimeve të mëdha të kombit shqiptar se qeveria, me mirënjohje të thellë ndaj jush, do të bëjë gjithçka për të mbështetur veprimtarinë tuaj jetike për shpirtin dhe infrastrukturën shpirtërore të këtij kombi.”


07/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›