Kryeministri Berisha merr pjesë në tryezën e rrumbullakët kombëtare për “Forcimin e Kapaciteteve Institucionale të Këshillit Kombëtar Shqiptar të Personave me Aftësi të Kufizuar”
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në tryezën e rrumbullakët kombëtare për “Forcimin e Kapaciteteve Institucionale të Këshillit Kombëtar Shqiptar të Personave me Aftësi të Kufizuar”.
Duke falenderuar organizatorët e kësaj tryeze, të cilën e cilësoi shumë të rëndësishme për një problem thellësisht sensitiv, që meriton vëmendjen më maksimale, kryeministri theksoi se kjo kategori kanë qenë dhe janë në vëmendjen e plotë të autoriteteve qeveritare dhe se qeveria është e vendosur, të miratojë çdo ligj dhe të firmosë çdo konventë, e cila krijon për këta persona kuadrin ligjor më solid në mbështetje të tyre.
Kryeministri vlerësoi punën e bërë nga organizatat jo qeveritare për t’ju ardhur në ndihmë gjithnjë e më shumë këtyre personave, por ai kërkoi një vëmendje më të madhe edhe nga autoritetet vendore dhe komuniteti. Kryeministri Berisha vlerësoi se asgjë nuk mund të zëvendësojë qeverinë vendore, ndërhyrjen e saj, kujdesin e saj më së pari për këta qytetarë. Në prag të fushatës elektorale, kryeministri ftoi forcat politike që në programet e tyre të qeverisjes vendore të katër viteve që vijnë, që kujdesin, interesin, mbështetjen, kushtet për personat me aftësi të kufizuara, ta shndërrojnë në një përparësi madhore, sepse në këtë mënyrë do ti bëjnë programet e tyre shumë më njerëzore dhe shumë më të prekshmet nga komuniteti në tërësi.
Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të qëndrojë fuqishëm në zbatim të strategjisë, të shëndetit të personave me aftësi të kufizuara, dhe se ajo do të bëjë çdo gjë për një kapitull të ri në riaftësimin dhe integrimin e tyre.
Më gjerësisht në fjalën e tij kryeministri tha:
I nderuar zoti ambasador Wollfarth,
E nderuar zonja ambasadore Mcllwham,
Zotërinj ministra,
Zonja dhe zotërinj të pranishëm
Së pari, shfrytëzoj rastin të falënderoj organizatorët e kësaj tryeze, shumë të rëndësishme për një problem thellësisht sensitiv, një problem, i cili meriton vëmendjen më maksimale, shëndeti i personave me aftësi të kufizuar.
Dua të falënderoj edhe Këshillin Britanik për angazhimin e tij konstant në ndihmë të autoriteteve shqiptare, por një mirënjohje të thellë, dua t’ju shpreh këtu të gjitha organizatave jo qeveritare, të cilat si misionare të vërteta japin një ndihmë shumë të çmuar të pazëvendësueshme në kujdesin, në riaftësimin e personave me aftësi të kufizuar, në mbarë vendin. Kam pasur rastin në mënyrë të përsëritur të vizitoj disa nga këto qendra dhe dua tu shpreh, admirimin tim më të thellë dhe mirënjohjen për punën e shkëlqyer që ata bëjnë. Dua gjithashtu, të përshëndes sot të gjithë personat me aftësi të kufizuar, ti garantoj se ata kanë qenë dhe janë në vëmendje të plotë të autoriteteve qeveritare dhe se qeveria është e vendosur, të miratojë çdo ligj dhe të firmosë çdo konventë, e cila krijon për këta persona kuadrin ligjor më solid në mbështetje të tyre.
Qeveria është e vetëdijshme, se personat me aftësi të kufizuara, përballen si me problematikën personale që ata kanë, përballen dhe me vështirësitë në tërësi të vendit dhe nivelin e tij ekonomik. Qeveria gjatë këtyre viteve është përpjekur dhe ka rritur ndjeshëm mbështetjen ndaj tyre. Unë mund tu them se vetëm nga viti 2007 deri në vitin 2011, buxheti i shteti për këta persona ka pësuar një rritje prej 66%, pra nga 8 miliard në 12 miliardë. Janë konsideruar në zëra të veçantë një seri shpenzimesh, të cilat në raste të caktuara pothuajse janë dyfishuar si mbështetje, por dy çështje qëndrojnë, së pari përdorimi me efiçencë i këtyre fondeve dhe së dyti efiçenca maksimale e përdorimit të këtyre fondeve duhet të vlerësohet me praktikat riaftësuese dhe integruese të personave me aftësi të kufizuara.
Unë mendoj se hapësirat në këto dy drejtime janë shumë të mëdha , në këtë kontekst Këshilli Kombëtar për personat me aftësi të kufizuara, duhet të ketë një rol qendror jo vetëm duhet të monitoroje të mbikëqyrë, por duhet gjithashtu të jetë avokati kryesorë i zbatimit të legjislacionit dhe strategjisë, për personat me aftësi të kufizuar para së gjithash nga autoritete shtetërore dhe nga mbarë shoqëria.
Jam i bindur se me një riorganizim të tij, i cili duhet të njohë një reformim dhe riorganizim ky këshill do të shndërrohet si institucion në një instrument shumë të dobishëm dhe të rëndësishëm në mbështetje të zbatimit të strategjisë për personat me aftësi të kufizuara. Jam i bindur se në rast se do të ndalemi të përqendrohemi në riaftësimin e këtyre personave, me buxhetin ekzistues do të mund të realizojmë shumë më tepër, sikundër ju garantoj se qeveria siç ka vendosur këtë rritje me 66%, siç ka vendosur indeksimin e përvitshëm të këtyre shpenzimeve dhe kësaj page, nuk nguron për të ndërmarrë dhe hapa të tjerë të rëndësishëm.
Por edhe njëherë theksoj se, ne duhet të bëjmë çdo gjë, sepse ndihma më e madhe shpërblimi më i madh, që ne mund tu japim këtyre personave është integrimi zhvillimi i aftësive dhe kapaciteteve të tyre në të gjitha fushat. Ka prej tyre, talente të vërteta në arte, ata kanë secili dhuntitë e tyre, mbështetja e këtyre dhuntive dhe talenteve natyrisht në një kuadër të qartë do të përbënte në një mënyrë shumë më efiçente të përdorimit të fondeve dhe një ndërhyrje me efikase .
Është e domosdoshme, që autoritetet vendore ta kenë përparësi kryesore , është e vërtetë se qeveria qendrore duhet të përcaktojë dhe përcakton fondet, por absolutisht asgjë nuk mund të zëvendësojë komunitetin. Asgjë nuk mund të zëvendësojë qeverinë vendore, ndërhyrjen e saj, kujdesin e saj më së pari për këta qytetarë.
Ndaj dhe jemi në prag të një fushatë, ftoj forcat politike që në programet e tyre të qeverisjes vendore të katër viteve që vijnë, kujdesin, interesin, mbështetjen, kushtet për personat me aftësi të kufizuara, ta shndërrojnë në një përparësi madhore, sepse në këtë mënyrë do ti bëjnë programet e tyre shumë më njerëzor,e do ti bëjnë programet e tyre shumë më të prekshmet nga komuniteti në tërësi.
Edhe njëherë dua tu garantoj se qeveria do të qëndrojë fuqishëm në zbatim të strategjisë, të shëndetit të personave me aftësi të kufizuara, do të bëjë çdo gjë për një kapitull të ri në riaftësimin dhe integrimin e tyre.
Faleminderit.
07/04/2011