E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon homazhe në nder të Kapiten Feti Voglit

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mesditë homazhe në nder të Dëshmorit të Atdheut, Komandant Feti Voglit, efektiv i forcave të kontingjentit “Eagle 4” në Afganistan, i cili ra në krye të detyrës, disa ditë më parë, gjatë një misioni në Kandahar. Ceremoniali shtetëror për këtë rast u zhvillua në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

Kryeministri Berisha vendosi një kurorë me lule dhe u përul në shenjë nderimi para trupit të pajetë të Kapiten Feti Voglit. Më pas, ai i shprehu ngushëllimet familjes Vogli, të afërmve të tij, për ndarjen nga jeta të njeriut të tyre të dashur, por edhe nderimin për sakrificën e Kapiten Voglit, në emër të lirë dhe paqes. Kryeministri la edhe një shënim në Librin e Ngushëllimeve, të hapur me këtë rast.

Pas homazheve, Kryeministri Berisha iu bashkua kortezhit që përcolli arkivolin e Kapiten Voglit drejt varrezave “Dëshmorët e Atdheut”.

Kryeministri Berisha e ka vlerësuar lart kontributin e pavdekshëm të Kapiten Voglit, në një mision fisnik paqeje, duke theksuar se ky burrë i dha nder çdo shqiptari, me sakrificën e tij sublime, në emër të paqes, jetës e lirisë, për të cilën dha edhe jetën.


24/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›