Kryeministri Berisha merr pjesë në përurimin e punimeve për rikonstruksionin dhe sistemimin e lagjes Kombinat
Sot paradite, Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në perurimin e disa objekteve në lagjen Kombinat, pjesë e projektit "Rimëkëmbja e shërbimeve esenciale në Tiranë". Ky projekt është financim Grant i Qeverisë italiane dhe zbatohet nëpërmjet Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
Të pranishëm në ceremoni ishin Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Lulëzim Basha, Ambasadori italian në Tiranë Atilio Massimo Ianucci, deputeti i zonës, z. Buraj Nishani, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendorë në këtë zonë.
Përmes këtij investimi u realizuan;
- Ndërtimi i sistemit të ri të ujësjellësit për pjesën e poshtme të kësaj lagjeje;
- Ndërtimi i sistemit të ri të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza;
- Rikonstruksioni i plotë i rrugëve të kësaj lagjeje;
- Rikonstruksioni i plotë dhe ndërtimi i trotuareve;
- Ndriçimi rrugor;
- Krijimi i hapësirave të reja të gjelbëra në zonën midis rrugëve "Haki Stërmilli", "Llambi Bonata" dhe "Petraq Leka".
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë për qeverinë italiane, për ndihmën e dhënë në zhvillimin e një nga lagjeve me probleme të mëdha sociale, infrastrukturore dhe ekonomike të kryeqytetit. Kryeministri nënvizoi se "kjo është vetëm një pjesë e asaj ndihme të madhe që Italia mike i ka dëshmuar dhe i dëshmon Shqipërisë në të gjitha fushat". Kryeministri Berisha vuri në dukje se janë në zhvillim e sipër dhe një sërë projektesh të tjera të rëndësishme për infrastrukturën e vendit si; autostrada Lushnje-Fier, Shkodër-Hani i Hotit, ndërtimi i Linjës së Transmetimit te tensionit të lartë Tiranë-Elbasan, etj.
Në vazhdim të këtij bashkëpunimi me qeverinë italiane, janë parashikuar të kryhen investime edhe për disa objekte të tjera si; Fusha e grumbullimit dhe trajtimit te mbeturinave te ngurta për qytetin e Tiranës, me një vlerë 6.000.000 EU (kredi e butë) + 400.000 EU (grant), Urbanizimi parësor në lagjen Laprakë, me vlerë 3.000.000 EU, si dhe një sërë projektesh të tjera.