E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha pret nje grup nxënësish, përfaqësues të parlamentit Rinor të Kosovës

Dje pasdite, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim të veçantë me nxënës nga Kosova, përfaqësues të Parlamentit Rinor të Kosovës, të shoqëruar nga mësuesit e tyre. Qëllimi i vizites së këtyre të rinjve në Shqipëri është ndërgjegjsimi i shoqërisë dhe i autoriteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, për respektimin e të drejtave dhe të lirive të fëmijëve.

Kryeministri Berisha u shpreh i lumtur që takohej me djem dhe vajza të Kosovës dhe i përgëzoi ata për nismën sensibilizuese te vizitës së tyre.

Kryeministri tha se fëmijët meritojnë vëmendjen maksimale të qeverisë, për të qenë të parët, në plotësimin e nevojave dhe të dëshirës për një të ardhme më të mirë.

Duke theksuar se sa e rëndësishme është për një shoqëri sigurimi dhe garantimi i të drejtave dhe lirive të individit e veçanërisht i lirive dhe të drejtave të fëmijëve, Kryeministri Berisha, ndër të tjera, u foli nxënësve, për vëmendjen e veçantë që do ti kushtohet fëmijëve të komuniteteve në vështirësi, siç janë fëmijët romë. Një program i veçantë do ti dedikohet këtyre fëmijëve, që të sigurojë mirërritjen dhe shkollimin e tyre, duke mos lënë të jenë pre e trafikimit.

Gjithashtu kryeministri Berisha u tha nxënësve se ashtu si në Kosovë, edhe në Shqipëri ka fëmijë të cilët rriten nga një prind i vetëm, për arsye të emigracionit. "Këta fëmijë kanë nevojë për një përkujdesje shumë më të madhe shoqërore dhe ne po përpiqemi të modernizojmë arsimin sepse arsimi është një faktor vendimtar pas familjes, u shpreh kryeministri.

Duke folur për rëndësinë e jashtëzakonshme që ka shkolla në formimin e fëmijëve, kryeministri Berisha i njohu nxënësit me masat që qeveria shqiptare do të ndërrmarrë për dyfishimin e shpenzimeve për shkollat dhe arsimin në tërësi.

Nxënësit e Kosovës, në emër edhe të shumë nxënësve të tjerë që nuk ishin të pranishëm, i shprehën kryeministrit Berisha mirënjohjen dhe admirimin për gjithçka që është bërë dhe do të bëhet, për të garantuar një të ardhme të lirë dhe të sigurt për fëmijët e Shqipërisë dhe Kosovës. Në shenjë të këtij respekti, nxënësit i dhuruan kryeministrit Berisha një medalje mirënjohjeje.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›