Kryeministri Berisha pret Zv/kryetarin e Konferencës Kombëtare Konsultative të Republikës Popullore të Kinës, z. Vang Zhongyu
Sot paradite, Kryeministri Sali Berisha priti Zëvendëskryetarin e Konferencës Kombëtare Konsultative të Republikës Popullore të Kinës, z. Vang Zhongyu dhe delegacionin që e shoqëronte atë.
Z. Zhongyu i përcolli Kryeministrit Berisha pëshëndetjet e Kryeministrit kinez, z.Wen Jiabao. Ndërsa Kryeministri Berisha i kërkoi z. Zhongyu t'i transmetonte Kryeministrit kinez përshëndet e tij, si dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë.
Të dy palët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike dhe miqësinë tradicionale ndërmjet dy vendeve, duke shprehur vullnetin për thellimin më tej të këtyre marrëdhënieve.
Kryeministri Berisha dhe z. Zhongyu vlerësuan nivelin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve dhe nënvizuan faktin se ato kanë patur dhe vazhdojnë të kenë një rritje progresive.
Kryeministri Berisha e falënderoi z. Zhongyu për ndihmën dhe asistencën e Kinës ndaj Shqipërisë në të gjitha fushat, duke theksuar se granti kinez këtë vit do të përdoret për vendosjen e internetit në të gjitha shkollat shqiptare. Kryeministri vuri në dukje se Shqiperia është një vend me shumë interes për investitoret kinez, duke i ftuar ata të marrin pjesë në të gjitha projektet e parashikuara nga qeveria shqiptare, si në infrastrukurë, energji, turizëm, miniera, etj.
Të dy palët shprehën besimin se shumë shpejt do të fillojnë punimet për hidrocentralin e Bushatit. Z. Zhongyu u shpreh se Kina do të shikojë me përparësi çdo projekt të ri që qeveria shqiptare do të planifikojë të realizojë.
Kryeministri Berisha prezantoi arritjet e qeverisë në reformat e gjithanshme, në veçanti luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe reformat për promovimin e klimës së biznesit dhe investimeve të huaja në Shqipëri.
Kryeministri Berisha dhe zv/kryetari i Konferencës Kombëtare Konsultative kineze,z. Zhongyu, vlerësuan bashkëpunimin e mirë midis dy vendeve në çështjet ndërkombëtare.
Në takim u prek edhe çështja e azilkërkuesve ujgurë. Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare është angazhuar plotësisht në luftën kundër terrorizmit, duke bashkëpunuar ngushtë me SHBA dhe të gjitha shtetet që kontribuojnë në këtë luftë, përfshi edhe Kinën. Vendimi për lejimin e azilkërkuesve në territorin e Shqipërisë ishte një vendim i bazuar vetëm në ndjenjat humanitare, pasi qeverisë shqiptare iu dhanë garanci se azilkërkuesit ujgurë nuk kishin kryer akte terroriste.
Në përfundim të takimit, Z. Zhongyu theksoi se gjatë gjithë vizitës së tij ka evidentuar ndjenjat shumë miqësore që ekzistojnë në Shqipëri për popullin kinez. Të dy palët ndanë të njëjtin vullnet për të punuar dhe thelluar më tej këto marrëdhënie të mira dhe miqësore.