E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në promovimin e albumit historik fotografik të autorëve Prof. Dr. Aleksandër Meksi dhe Xhevair Lleshi; “100 vjet pavarësi”

Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në promovimin e albumit historik fotografik të autorëve Prof. Dr. Aleksandër Meksi dhe botuesit e studiuesit Xhevair Lleshi, të titulluar “100 vjet pavarësi”. Ky album fotografik sjell pamje të ilustruara ngjarjesh dhe personalitetesh të rëndësishme që kanë shenjuar historinë e Shqipërisë përgjatë 100 viteve shtet.

Kryeministri vlerësoi punimet e këtij albumi duke u shprehur se ai sjell fotografinë më autentike të historisë sonë. Kryeministri tha se ky 100 vjetor duhet të jetë një mundësi e madhe reflektimi për ne shqiptarët, për historinë tonë. Duke bërë një përmbledhje të fakteve historike edhe përtej 100  viteve, kryeministri tha se në to gjejmë një histori ndoshta nga më uniket, ku kemi periudha me të cilat nuk mund të mburremi, por kemi dhe periudha  të një mrekullie të vërtetë kombëtare, në të cilat, jemi ngritur nga hiri si Feniksi.

Duke nisur nga periudha e Skënderbeut, të cilin Kryeministri e vlerësoi si një figurë nga më uniket në historinë e njerëzimit, një burrë që krijoi shtetin, në një kohë kur të gjitha shtetet kishin rënë, Kryeministri u ndal edhe në shumë figura të tjera të shquara, si Ismail Qemali, Sulejman Delvina, etj, që kanë ditur, me mençuri e guxim, të ngrenë shtetin e të mbrojnë integritetin territorial të tij.  

Në  fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

"Një vepër si kjo që promovojmë sot përfaqëson, paraqet, fotografinë më autentike të historisë sonë. Siç theksuat dhe të gjithë ju, me të drejtë, ky 100 vjetor duhet të jetë një mundësi e madhe reflektimi për ne shqiptarët, për historinë tonë. Në qoftë se hedhim vështrimin në 100 vitet që shkuan, por edhe në 1000 vite të shkuara e më tutje, ne gjejmë një histori ndoshta nga më uniket. Duke vështruar këtë histori, të krijohet përshtypja se ky komb periodikisht ka vdekur - çka nuk ka ndodhur në të vërtetë - dhe është ringjallur. Përse e them këtë? Kombi, në udhën e tij, natyrisht, ka identitetin për të qenë i tillë. Identiteti është genik por ky është njëri aspekt i identitetit. Identiteti i kombit është ai që krijon ai, që prodhon ai, që realizon ai. Nuk mjaftojnë vetëm genet.

Mirëpo, po të shohësh kombin tonë, kemi periudha me të cilat nuk mund të mburremi, në të cilat nuk mund të themi se kemi jetuar midis qenies e mosqenies, në alternativën shekspiriane “to be or not to be”, por, në të cilat, në kuptimin më të vërtetë të fjalës, jemi ngritur nga hiçi. Kemi periudha të të një mrekullie të vërtetë kombëtare. Kemi periudha të tjera, momente të tjera, në të cilat, jemi ngritur nga hiri si Feniksi, ose ta quajmë ndryshe, kemi periudhat e një mrekullie të vërtetë kombëtare.

 Le të marrim periudhën e Skënderbeut. Sigurisht, para tij, ne kemi pasur organizimet tona, kemi pasur principatat tona. Sigurisht që shqiptarët ia dolën që të dalin nga pushtimi më barbar që kohërat kishin njohur, pushtimi i Dushanit. Por prapë se prapë, historia nuk është aq e pasur. Në këto momente, në trojet shqiptare shfaqet një figurë nga më uniket në historinë e njerëzimit, një burrë që krijoi shtetin, në një kohë kur të gjitha shtete kishin rënë dhe bizanti ishte në shpartallim e sipër. Ky komb, që kishte atë shkallë organizimi, nxori një fenomen, i cili siç thotë Johannes Hann, është “Unik dhe i pashembullt në histori”. Por periudha e Skënderbeut u mbyll me vdekjen e tij. Nënat e motrat tona lidhën shamitë e zeza në kokë dhe i mbajnë deri në ditët e sotme, si kujtim e nderim ndaj tij. Por, pas tij çfarë ndodhi? Shqiptarët në Perandori u bënë gardianë ndër më kryesorët e saj, Barbarosa ishte zot i detete, Sinan Pasha ishte një nga njerëzit më të shquar të Perandorisë. I gjithë softi, e gjithë gjenia e kombit u derdh në perandorinë otomane. Ndërsa këtu mbetën fustanellat, varfëria dhe mbetën pushkët që shqiptarët nuk i hoqën kurrë nga duart.

Vjen momenti tjetër momenti në të cilin shqiptarët, trojet e shqiptarëve, duhet të copëtoheshin në të gjitha anët. Ky ishte Kongresi i Berlinit, kur burri më i shquar e i fuqishëm i kohës u shpreh se “shqiptarët janë vetëm një shprehje gjeografike”. Pikërisht në këtë moment dramatik, ndodh një mrekulli tjetër shqiptare. Këta ofiqarë të njërës prej perandorive më briante, u rikujtuan se ishin shqiptarë dhe u mblodhën në Prizren. A mund të imagjinohet një mrekulli më e madhe, se sa pas disa shekujsh,  - që disa e quajnë robëri, por të tjerë e quajnë bashkëqeverisje -, këta ofiqarë do të mblidheshin në Prizren dhe të shpallnin bashkimin e vilajeteve shqiptare dhe te rithemelonin sensin e bashkimit kombëtar. Kombi ka qenë i bashkuar më parë dhe ne duhet ta shohim historinë siç ka qenë, por këta do të ndiznin flakën e bashkimit kombëtare. Sërish kombi u ngrit edhe njëherë nga hiri, si Feniksi.

Vijmë në periudhën e Pavarësisë. Po të shohim Ismail Qemalin, ai ishte vet një deshendent i familjes së Sinan Pashës, ishte një ofiqar nga më të rëndësishmit e perandorisë, por ai ishte një vizionar i madh dhe një burrë me kurajën e Skënderbeut. Ai e kuptoi se Shqipëria, kombi, mund të shpëtohej vetëm duke shpallur Pavarësinë dhe, duke pasur pothuajse gjithë botën kundër, ai vjen në Vlorë me një grup zyrtarësh shumë të paktë dhe shpall pavarësinë e vendit. Përsëri atë e përzënë dhe janë vite të tëra, për të cilat ne jo vetëm që nuk mund të mburremi, por edhe mund të turpërohemi me ato që bënin për Shqipërinë. Vetëm në Paris, ne kishim 5 delegacione gjoja për të përfaqësuar çështjen shqiptare, por që harbutërisht ziheshin njëri me tjetrin, në Konferencën e Parisit.

Por kishte edhe ndonjë grup tjetër këtu, të cilët do të vendosnin të hidhnin poshtë të gjitha projektet  e copëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë. Ata nuk u mblodhën dot në Tiranë, sepse ishte qeveria e Durrësit që do t’u vinte pushkën, por u mblodhën në Lushnje dhe, në një mrekulli tjetër të vërtetë, njerëz si Feliski, do të vendosnin integritetin territorial. Po ashtu, lufta e Vlorës përbën një nga luftërat më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Fuqitë e asaj kohe kishin rënë 100 për qind dakord që ky vend të ishte protektorat. Por një grup i vogël burrash që u mblodhën në Lushnje, thanë; Jo,  jemi të pavarur!. Ata arritën që, në një kohë të shkurtër, të shkonin drejt zgjedhjeve. Qeveria e Sulejman Delvinës, jo vetëm vendosi integritetin territorial të Shqipërisë, por përcaktoi dhe formën demokratike që shkoi drejt zgjedhjes. Më vonë pati  grushte shteti e veprime të tjera. Por kishte një njeri në histori  që do t’i jepte kësaj toke shtetin që duhej ta kishte.

Përse unë them se ne shpesh herë kemi vdekur në histori?! Sepse ne u pushtuam më 7 prill 1939 dhe asnjë qeveri e botës nuk protestoi, qoftë edhe me një fjalë. Askush. Unë kam marrë pjesë në festimet  e  70 vjetorit të  sulmit të Gjermanisë kundër Polonisë dhe, kur rrija i ulur aty, mendoja; këta u pushtuan pas nesh, ne u pushtuam para tyre, po ishim të pa regjistruar. Cili ishte qëndrimi i shqiptarëve? Luftë. Edhe kjo është një ngritje si Feniksi, sepse shqiptarët nëse nuk do të luftonin në Luftën e Dytë Botërore, absolutisht, përsëri labirintet dhe honet e historisë ishin të gatshme t’i gllabëronin.

Pas Luftës, vjen vdekja klinike, diktatura më mizore që shqiptarët nuk duhet ta harrojnë kurrë. Atë që i kanë bërë shqiptarët vetes nuk ua ka bërë askush në të gjitha pushtimet. 45 vjet ajo ishte kalvari më i egër i këtij kombi. Ne jemi dëshmitarë të kësaj. Përvec Zërit të Amerikës, nuk kishte zë tjetër, si ato të vargjeve; “Shkon bota sipri, me kambë, të shklet/ e nji fjalë t'ambël askush s'ta flet. Ne jemi dëshmitarë të kësaj.

Por sërish, kur menduam se do mbetemi si Kuba, u ngritëm si Feniksi. Sot jemi anëtar të NATO-s, sot punojmë për të ecur drejt Bashkimit Evropian. Faqja më e ndritur nga luftërat e Skënderbeut deri më sot, është lufta e fundit çlirimtare në Evropë që bënë shqiptarët, lufta e Kosovës. Sigurisht, që rol vendimtar në këtë luftë kishte NATO-ja, por në meritën më të jashtëzakonshme të shqiptarëve ishin dy gjëra: së pari, ata arritën të fitojnë mendjet dhe zemrat e burrave dhe grave, shtetarëve, ligjvënësve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të perëndimit. Së dyti, qëndruan si komb i vetëm, pa u lëkundur, pa u tërhequr, në kushtet më të vështira.

Së fundi, unë dua t’i përgëzoj shumë përzemërsisht autorët e albumit, sepse ata kanë paraqitur aty të vërtetat historike tonat, me të cilat edhe mund të mund të mburremi, por kemi edhe motive për t’u turpëruar. Sidoqoftë, sot jemi të lirë dhe vijmë në këtë 100 vjetor me mirënjohjen më të thellë ndaj atyre që, me sakrificën e tyre, bënë të mundur që shqiptarët të jenë sot të lirë kudo që ndodhen dhe me një besim të madh tek e ardhmja e tyre”.       


24/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›