Kryeministri Berisha merr pjesë në promovimin e librit “Enver Hoxha”, të gazetarit Blendi Fevziu
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e promovimit të librit “Enver Hoxha” të gazetarit Blendi Fevziu. Pjesë e ceremonisë ishte edhe ekspozita me vepra të periudhës së realizmit socialist, në pikturë, grafikë, karikaturë, nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve.
Gjatë pritjes, Kryeministrit Berisha u pyet nga televizioni ABC News se cili është mendimi i parë që i vjen në mendje rreth këtij libri, për të cilën Kryeministri u shpreh:
“Mendimi i parë që më ka ardhur në mendje është: një vepër e shkëlqyer, më e mira e këtij zhanri që unë kam lexuar. Dhe kjo, së pari, për temën që trajton, e cila është tema më madhore e të shkuarës sonë 43 vjeçare, para rënies së diktaturës. Së dyti, libri ka një vërtetësi ekzemplare. Gjer më sot, mbështetësit e Enver Hoxhës nuk kanë qenë në gjendje të përgënjeshtrojnë qoftë një fakt të vetëm të librit. Së treti, libri u fakton shqiptarëve se njeriu që qeverisi Shqipërinë 43 vjet ishte ndofta diktatori më mizor. Unë kam lexuar libra për diktatorë të tjerë, por gjer më sot nuk kam gjetur që ata vetë, me firmë, të urdhëronin ekzekutime pa gjyq, për persona të caktuar, siç gjendjen këto në librin “Enver Hoxha”. Libri është shkruar me stil e lexohet me kënaqësi të madhe.
Libri është dokument i një rëndësie të jashtëzakonshme për të rinjtë shqiptarë, të cilët nuk e kanë njohur atë sistem, por edhe për të gjithë shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e për ata qindra e dhjetëra mijëra shqiptarë që u burgosën, torturuan dhe u ekzekutuan duke pasur për idhull udhëheqësin e Shqipërisë. Ata janë heronj të vërtetë, kanë qenë patriotë të mëdhenj, të cilët njohën shtypjen më të egër, por qëndruan të pamposhtur ndaj nacionalizimit serb. Ata nuk mund të imagjinonin se njeriu për të cilin bënin burgun, për të cilin këndonin e ngrinin dolli ishte një nga armiqtë e egër të Kosovës. Edhe kur Tempo apo historianë të tjerë botonin këto dokumente, ata kurrë nuk mund t’i besonin dhe e vërteta është se libri fakton se për Enver Hoxhën, Kosova nuk ishte asgjë tjetër, veçse një plaçkë tregu me Josip Broz Titon, se Partia Komuniste e Shqipërisë u themelua nga Partia Komuniste e Serbisë dhe u drejtua për vitet e luftës, por problemi është se u drejtua duke luftuar krahun nacionalist, duke përmbysur marrëveshjen e Bujanit, duke bërë gjithçka për shndërrimin e Shqipërisë në republikë të 7-të, u drejtua nga Enver Hoxha, duke kthyer në Kosovë me dhjetëra e qindra kosovarë që kërkonin lirinë në Shqipëri e duke mbushur burgjet në Shqipërisë me kosovarë të tjerë që i konsideronte titistë. Enver Hoxha, me asgjësimin e lirive e të drejtave njerëzore në Shqipëri, bëri që e gjithë bota të mendojë se shqiptarët në Kosovë, ndonëse nën pushtim, kanë të drejta shumë më të mëdha se shqiptarët në Shqipëri. Pra, libri hapi dyert apo hedh dritë në një tunel, i cili shpresoj se do të shkojë duke u ndriçuar gjithnjë e më shumë. Wiston Churchill thotë se sa më lartë të shohësh të shkuarën, aq më mirë e kthjellët projekton të ardhmen. Më vjen shumë mirë që sot, mesa shoh, lexues kryesorë të këtij libri janë të rinjtë. Dhe kjo është një mençuri e madhe e tyre.”
19/12/2011