Kryeministri Berisha zhvillon homazhe në nder të ish drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit Astrit Mehja
Kryeministri Berisha zhvilloi sot paradite homazhe dhe vendosi një buqetë me lule, në nder të ish drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit Astrit Mehja, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.
Në homazhet e zhvilluara në mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Shtetit, Kryeministri Berisha u shprehu ngushëllimet familjarëve dhe vlerësoi kontributin e Kolonel Astrit Mehja, si një drejtues i talentuar i Policisë së Shtetit dhe shërbëtor i vendosur dhe i përkushtuar i vendit dhe shoqërisë shqiptare.
Në prononcimin e tij për mediat, pas homazheve, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Erdha të shpreh nderim tim, dhimbjen dhe ngushëllimet e mia, për ndarjen nga jeta të njërit prej shërbëtorëve të përkushtuar të shtetit dhe të vendit, njërin prej drejtuesve të talentuar të Policisë së Shtetit, Kolonel Astrit Mehja. Me këtë rast, unë shpreh ngushëllimet më të thella familjes Mehja, miqve dhe të afërmeve të tij, të gjithë Policisë së Shtetit, pasi sot përcjellim për në banesën e fundit një prind shembullor, një qytetar të shkëlqyer, një shërbëtor të ndershëm dhe të vendosur të vendit dhe të shoqërisë shqiptare, një drejtues të talentuar të policisë. Edhe njëherë, ngushëllimet më të sinqerta familjes Mehja.”
18/12/2011