Fjala e kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

“Të nderuar deputetë,
E nderuar zonja Kryetare e Parlamentit
Dje kombi çek, kombet e lira në Europë dhe në botë, humbën një nga liderët më të shquar të lirisë së shekullit të 20, ish-presidentin e Çekisë Vaclav Havel. Kombet ish-komuniste, kombi çek dhe kombet e tjera që përjetuan diktaturat komuniste, kishin tek Vaclav Havel misionarin, frymëzuesin e përpjekjeve të tyre për liri dhe dinjitet por dhe të revolucioneve të tyre paqësore.
Vaclav Havel ishte intelektuali, kryedisidenti i Europës ish-komuniste, i cili në 30 vite disidencë, përjetoi përndjekjen, persekutimin, privacionet, burgosjen por nuk u mposht, qëndroi fuqishëm në besimin e tij tek liria dhe e vërteta, në besimin e tij tek dashuria. Në të gjitha veprat e tij, ai u përpoq tu dëshmojë qytetarëve çek dhe të mbarë botës, absurditetin e regjimit totalitar. Ndaj dhe vetëm pak muaj pasi doli nga burgu ai u shndërrua në udhëheqësin shpirtëror të lëvizjes demokratike të Çekosllovakisë dhe udhëhoqi atë që u quajt revolucioni i kadifenjtë, i butë, paqësor, duke frymëzuar kështu të gjithë popujt e tjerë në rrugën e përmbysjes paqësore të regjimeve totalitare.
Shqiptarët kishin tek presidenti Havel një mik të shquar të vërtetë. Kam pasur rastin ta takoj disa herë. Në takimet e mia ndërkombëtare interesi i tij për Shqipërinë ishte shumë i madh. Për të nderuar kujtimin e Vaclav Havel liderit të shquar të lirisë, shkrimtarit të saj, dramaturgut të saj europian të madh, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje. I paharruar qoftë kujtimi i tij.
- Zhvillim shumë i rëndësishëm ishte takimi në Komisionin e Venecias, ku delegacioni ynë u kryesua nga Kryetarja e Parlamentit zonja Topalli. Dua të shpreh edhe njëherë falënderimet e mia të përzemërta, për këto institucione, që janë sot institucionet me ekspertizën më të madhe në botë për zgjedhjet , siç është Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR-i dhe rekomandimet e shkëlqyera, objektive të dobishme që ato kanë paraqitur. Sikundër garantoj se do të punohet me seriozitetin më të madh për konkretizimin e tyre në ligjet udhëzimet, vendimet e këtij vendi. Në këtë delegacion, siç e morët vesh, kishte dhe anëtarë të opozitës dhe është pozitive që opozita ndihet e kënaqur dhe ka pranuar plotësisht rekomandimet e drejta dhe të bazuara të këtyre dy institucioneve. Uroj dhe dëshiroj që Komisioni i Reformës Parlamentare, në frymën e bashkëpunimit, në frymën e mirëbesimit, në frymën e mirëkuptimit, duke pasur tashmë një dokument të shkëlqyer, serioze përpara, të vazhdojë punën me intensitet në realizmin e kësaj reforme të rëndësishme për vendin.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Dua t’ju informoj se qeveria do të sjellë brenda ditëve tek ju një akt normativ me të cilin ne do të shtyjmë edhe dy muaj të tjerë periudhën e faljes për regjistrimin e banesave në tërësi dhe të ndonjë pasurie tjetër, për arsye se ky proces i faljeve ka ecur në mënyrë të shkëlqyer, por siç e kemi ne, që shumë presim deri para fundit apo fundin, këto ditë ka një dyndje të jashtëzakonshme në të gjitha zyrat e regjistrimit të pasurive dhe është faktikisht krejt e pamundur përballimi i këtij vëllimi, ndaj dhe kemi diskutuar dhe vendosëm që tua sjellim aktin normativ për të shtyrë deri në ditën e fundit të muajit shkurt këtë proces. Deri më sot, vetëm banesa janë rivlerësuar në një shumë prej rreth 700 milion dollarësh dhe kanë përfituar mbi 14 mijë familje, por janë në një dyndje reale, në zyrat e regjistrimit të pasurive, kështu që ne gjykuam se janë edhe emigrantët që kthehen dhe kjo do të ishte një lehtësim për ta, ndaj dhe ky akt është i domosdoshëm.
Ne kemi miratuar gjithashtu dhe një vendim tjetër, sepse ju jeni në dijeni për një situatë të jashtëzakonshme thatësire në digat dhe hidrocentralet. Thatësirë kjo, e cila ka imponuar të importohet energji sa kurrë ndonjëherë në historinë e vendit. Importi i saj ka arritur deri në 17 milion kilovat orë. Ne i përmbahemi parimit se çmimi më i lartë i energjisë është mungesa e saj dhe bazuar në këtë parim, në mënyrë absolute, nuk do të ndërpritet qoftë edhe një orë të vetme kund energjia për shkak të çmimit. Kemi gjetur dhe kemi blerë. Çmimet u rritën, keni parasysh, që deri para 3-4 ditësh, alpet e Zvicrës dhe alpet e Austrisë kanë qenë pa borë dhe pa turizëm, është një thatësirë që në memorien e motit dikush thotë 10 vjeçare dikush 50 vjeçare dikush thotë 100 vjeçare, por e vërteta është se kuotat e liqeneve dhe hidrocentraleve tona, kanë qenë në nivele jashtëzakonisht të ulta dhe sërish pavarësisht nga kjo për tu mbushur dhe për të kapur nivelet optimale jemi fare, fare larg.
Ndaj dhe qeveria është detyruar, që javën që shkoi, të miratojë një akt normativ për të mbuluar e për ti dhënë garanci sovrane KESH-it, për një kredi tjetër prej 50 milion dollarësh. Duhet ta themi këtu se nuk mund të parashikojmë sesi do të jetë sepse kjo thatësirë të paktën në grafiket që japin dhe stacionet më serioze, nuk ka qenë e parashikuar në këtë mënyrë. Nëntori ka qenë i parashikuar me reshje të fuqishme, por në fakt nuk ka pasur as gjysmën, as çerekun e tyre. Por këto janë punët e Zotit, nuk e kemi në dorë. Ne kemi në dorë të bëjmë gjithçka që qytetarët të mos bien në errësirë, kjo është detyra jonë, ndaj dhe ne dekretuam garancinë e kredisë prej 50 milion dollarësh, dhe në çdo rrethanë do t’ju garantoj se buxhetit do ti behet çdo modifikim i nevojshëm dhe vendi në ndërprerje energjie nuk do të shkojë. E kemi lënë prapa atë periudhë, natyrisht është blerë me çmime më të shtrenjta. Bosnja që është një nga eksportuesit e rëndësishëm është shndërruar në një importues, këto javët e fundit.
Janë marrë masa dhe do të vendoset në punë me kapacitete të plota TEC-i i Vlorës, kostoja e prodhimit me të është shumë e lartë por edhe njëherë çmimi më i lartë i energjisë është mungesa e saj dhe ne do të bëjmë gjithçka për të garantuar furnizimin me energji të qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të pranojmë dhe nuk kemi pranuar që të adaptohen praktika ndërprerje, për mungesë të energjisë. Mendova t’ju informoj për këtë.
Megjithatë me gjithë këto, kam shumë kënaqësi t’ju njoftoj se me ato ndërhyrje që kemi bërë në buxhet dhe me shkurtimet në shpenzime që u bënë në qershor, prapë se prapë, borxhi jo vetëm që nuk rritet në raport me vitin e kaluar por do të ketë një rënie të lehtë. Ka qenë 59.7 përqind mbyllet me 59 përqind.
E vërteta është se po të mos ishte ky akti i fundit normativ edhe më mirë do të ishte, por ky akti i fundit normativ kishte një emergjence. Rëndësi të jashtëzakonshme ka që ne bëmë një kontroll shumë serioz, shumë të vendosur të borxhit publik dhe faktikisht vitin e kaluar ishte 59.7 përqind dhe këtë vit do të jetë rreth 59 përqind. Në nivele plotësisht të kontrollueshme është inflacioni. Njëmbëdhjetë mujori ishte 2.9 përqind, presim dhe dhjetorin. Unë përgëzoj dhe Bashkinë e Tiranës ku një punë shumë të madhe po bën Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit e kësaj Bashkie për tu dhënë një përgjigje pashpirtësisë së atyre që rrisin çmimet në festa dhe shpresoj që edhe tek ne të konsolidohet tradita e çdo vendi të qytetarët që ajo që nuk ndodh kurrë është rritja e çmimeve në festa.
Uroj dhe dëshiroj që këtë praktikë ta ndjekin të gjitha bashkitë dhe komunat e tjera. Vendet e tjera që nuk rrisin, përkundrazi ulin çmimet për rastin e festave dhe e sigurtë është që nuk humbasin, e sigurtë është që fitojnë, por respektojnë një kod moral fitimi, që duhet ta ketë çdo njëri dhe zoti Ministër i Financave, doganat duhet të bëjnë gjithçka që mallrat ushqimore që hyjnë duhet të kenë përparësi në zhdoganime në mënyrë të mos mund të ketë rritje çmimi, për shkak të mungesës.
Faleminderit!
19/12/2011