Kryeministri Berisha merr pjesë në takimin e Evropës Juglindore, në Budva
Kryeministri Berisha vizitoi sot Budvën (Mali i Zi) ku mori pjesë në takimin e Evropës Juglindore, një takim i përvitshëm ky që organizohet nga Grupi i Mëngjesit të Lutjeve në Europën Juglindore. Në kete event morën pjesë liderë, politikanë, personalitete nga Evropa Juglindore dhe anëtarë të Kongresit Amerikan, si Senatori i SHBA James Inholfe, kongresmeni Robert Aderholt, Presidenti i Malit te Zi Filip Vujanovic, Kryeministri Igor Luksic dhe Kryetari i Parlamentit Ranko Krivokapic, Ministri i Puneve te Jashtme te Bosnje Hercegovines Zlatko Lagumdzija, ish Presidenti dhe ish kryeministri i Malit te Zi Milo Djukanovic dhe ish Presidenti Kroat Stjepan Mesic etj.
Qëllimi i këtij takimi është të ndajë në frymën e miqësisë, vlera dhe ide për promovimin e mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëjetesës midis kombeve, kulturave dhe besimeve.
Takimi i Europës Juglindore organizohet për të 9-in vit,ndërsa Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve mblidhet çdo vit në Washington DC qe nga 1953.
Kryeministri Berisha nën moton “Bashkim në diversitet” iu adresua pjesëmarrësve me një fjalë.
Kryeministri e vlerësoi takimin si një takim miqësor, në të cilin njerëzit bëjnë gjithçka për të rritur mirëkuptimin, duke besuar se bashkimi në diversitet është forcë, është virtyt, është energji e pashtershme, është një vlerë hyjnore dhe njerëzore .
Kryeministri theksoi se shqiptarët në shekuj i kanë qëndruar parimit “Bashkim në diversitet”, duke e kthyer atë në çelësin e suksesit dhe të mbijetesës si komb. Duke iu referuar historisë, kryeministri paraqiti shembuj, në të cilat dëshmohet shpirti human i shqiptarëve në shekuj, i vlerësuar nga shumë kombe dhe vende, si virtyti më fisnik që i karakterizon ata.
Në fjalën drejtuar të pranishmëve, kryeministri Berisha u shpreh:
“Ky është një rast i mire për mua te flas ne këtë mbledhje dhe ne radhe te pare shpreh falënderimet e mia per zotin Millo Gjukanovic, mikun tim te vjetër i cili me ftoi te marr pjese ne nje mbledhje kaq impresionuese per mua.
Gjithashtu, dua te nderoj një njeri të madh, Abraham Vereide i cili siç e përmendën të gjithë këtu, me një zemër dhe një shpirt të jashtëzakonshëm ia doli të organizoje Mëngjesin e Lutjeve, në të gjithë botën.
Gjatë këtyre 20 viteve kam pasur rastin të marr pjesë në shumë takime të nivelit te larte. Kam bërë vizita të herëpashershme ne OKB. Por, takimi që më ka bërë me shumë përshtypje ështe ai i Mëngjesit te Lutjeve në Uashington ne Hotelin Hilton. Atje ishin te gjithë përfaqësuesit e kombeve anëtare te OKB-se. Dhe në frymën e Mëngjesit të Lutjeve bota jone do te jetë ndryshe dhe më e mirë. Atje ne Uashington, njerëzit i luteshin Zotit dhe perpiqeshin te arrinin në mirëkuptim me njëri-tjetrin me besimin se shpirti i dashurisë, respektit dhe tolerancës është rruga e duhur për të ndryshuar botën për mirë.
Sot ne jemi mbledhur në moton "Bashkim ne Diversitet". Ne kete pike une mbetem shume shqiptar. Arsyet për ketë qëndrim duhet gjetur ne historinë e kombit tim, një histori mjaft e vështirë, por kombi mbijetoi sepse ai mbeti i bashkuar ne diversitet. Gjate historisë sonë, disa dekada me parë pati përpjekje përçarëse ne baza fetare, por kombi mbeti i bashkuar. Me vone një pjese e madhe e shqiptareve te krishtere u kthyen ne myslimane. Historia mund të flasë. Tani ne jemi në vitin e 100 vjetorit te pavarësisë dhe dua tu tregoj një histori. “Një sundimtar i kohës, ne një nga provincat ne konflikt i shkruante presidentit te SHBA-se se ky vend nuk ekziston sepse janë rajone otomane e kështu me radhë. Por, peshkopi i asaj province, një njeri trim dhe i guximshëm i shkruante sekretarit te përgjithshëm te Kombeve të Bashkuara se ne jemi një komb, pavarësisht se me besime të ndryshme fetare.”
Kështu, edhe kombi im në diversitet është model i respektit të plote të diversitetit. Në familjet shqiptare gjen njerëz të cilët i përkasin besimeve te ndryshme. Në libra janë shkruar ngjarje si psh ajo e një këshilltari të një vendi, i cili sot është mik që u ankua tek peshkopi për të ndaluar martesat e besimeve të ndryshme, por nuk mundi sepse peshkopi iu përgjigj se nuk mund të bëheshe një gjë e tillë.
Tre jave me pare isha në Uashington ku jetova një moment shumë të veçantë të jetës sime. Unë vizitova Muzeun e Holokaustit dhe mendoj se do te ishte mire që cdo njeri ta vizitonte. Është vendi që të bën me shumë përshtypje. Nepër galeritë e muzeumit jane të dokumentuara tradhtia ndaj hebrenjve. E vërteta është atje. Kjo sepse Holokausti filloi ne 1933-in. Hebrenjtë u braktisen dhe u dënuan. Më pas u ngritën edhe kampet si ai i Bukenvaldit, Mathauzenit, apo makineri të tjera të vdekjes dhe në ato kushte asnjë komb tjetër nuk i mbështeti hebrenjtë si shqiptarët. Shqipëria ishte vetmi vend, i cili nuk i refuzoi, i cili nuk i dorëzoi ata tek pushtuesit. Asnjë qytetar i vetëm hebre nuk ra në duart e nazistëve. Pas luftës numri i hebrenjve në Shqipëri ishte edhe me i larte se në fillim të luftës. Kështu shqiptarë i shpëtuan, nuk i tradhtuan dhe respektuan kodin tonë të vjetër te zakoneve, besën e shqiptarit, sipas së cilës “miku nuk duhet tradhëtuar”. Por, tej zakonit, arsyeja ishte se shqiptaret janë të bashkuar ne diversitet. Ne e përfaqësojmë këtë diversitet. Prandaj, ne si një komb me shumë besime fetare kemi një privilegj të madh, ne kemi dy mbrojtës: Jezusin dhe Profetin Muhamed. Kështu në mendjet dhe në shpirtrat tanë ne frymëzohemi nga vlera te ndryshme.
Sot ne jemi një komb qe jeton ne vende te ndryshme. Ne jemi te bashkuar ne divesitet. Vendi im ka kënaqësinë te ketë marrëdhënie miqësore me Malin e Zi, me Kosovën dhe vende të tjera dhe natyrisht do te punojmë për një fryme të re në marrëdhëniet tona me Serbinë, sepse te pranosh njeri-tjetrin dhe të punosh se bashku - kjo është e ardhmja.
26/05/2012