E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë takimin e Kryeministrave të vendeve të Evropës Juglindore, në Salzburg

Kryeministri Berisha ishte të premten ( dje) në Salzburg, Austri, ku mori pjesë në takimin informal të Kryeministrave të vendeve të Evropës Juglindore.

Në këtë takim të organizuar nga Kancelari i Austrisë z. Verner Faymann ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Malit të Zi z. Milo Đukanović, Kryeministri i Maqedonisë z. Nikolas Gruevski.

Më pas, me ftesë të Kancelarit austriak z. Verner Faymann , Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha ndoqi operën “Romeo dhe Zhulieta”, e cila shfaqej në kuadër të festivalit të Salzburgut.

Pas shfaqjes, në një prononcim për mediat e pranishme, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Ky është një Samit tradicional kulturalo - politik, në të cilin Kancelari i Austrisë fton liderë nga rajoni për të shijuar Festivalin e Muzikës Klasike të Operës së Salzburgut, dhe, natyrisht, për të zhvilluar takime.

Unë pata një takim shumë të mirë me Kancelarin austriak z. Verner Faymann. Ne diskutuam gjerësisht për marrëdhëniet bilaterale, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe mora mbështetjen e tij dhe të ministrit të Jashtëm të Austrisë z. Michael Spindelegger, një mik imi i vjetër.

Në takim bisedova gjerësisht edhe me Kryeministrin e Malit të Zi z. Milo Đukanović dhe me Kryeministrin e Maqedonisë z. Nikola Gruevski. Me ta diskutova për marrëdhëniet midis vendeve tona dhe shkëmbimin e vizitave. Pra, atmosfera e takimeve këtu është e njëjtë me backgroundin kulturor që ofron Festivali i mrekullueshëm i Salzburgut".


28/08/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›