E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi prezanton projektin “Rruga e Mijëvjeçarit për Paqen” në nderim të kujtimit të Nënë Terezës

26 gusht 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, prezantoi sot projektin “Rruga e Mijëvjeçarit për Paqen” në nderim të kujtimit të Nënë Terezës, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së saj. Projekti vjen si një nismë e Kryetarit të Shtetit në bashkëpunim me Unionin për Paqen dhe Bashkinë e Tiranës. Për ndërtimin e “Rrugës së Paqes” në një rrugë tek Liqeni Artificial i Tiranës do të vendosen gurë, që mbajnë firmën e shumë Presidentëve nga mbarë bota, si simbolikë e vullnetit të tyre për paqen dhe tolerancën.

Me këtë rast, në mjediset e Presidencës u zhvillua një ceremoni e posaçme, ku ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, Kryetari i Unionit për Paqen, Xhanfranko Kosta, personalitete të kulturës, anëtarë të kabinetit të Presidentit, etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Topi shprehu bindjen se “në kujtim të Nënë Terezës dhe veprës së saj, ne shqiptarët duhet të bëjmë më shumë se të tjerët, por kjo rrugë që do të ndërtohet dhe shumë aktivitete të tjera që institucionet shqiptare kanë zhvilluar gjatë këtij viti, më lejojnë të vë në dukje e të theksoj se jemi në udhën e duhur”. “Murgesha shqiptare, e cila që nga fëmijëria e saj përcolli në kujtesë traditat shqiptare të mikpritjes, besës, bujarisë së lidhjes së pazgjidhshme të shtëpisë së shqiptarit me mikun dhe Zotin”, - nënvizoi Presidenti.

Duke e çmuar figurën e Nënë Terezës si fuqia morale më e spikatur që do të ndikonte në vetëdijen e kohës sonë me filozofinë e dashurisë, Kryetari i Shtetit shqiptar theksoi se “Nënë Tereza është njëkohësisht dëshmia se në çfarë lartësie morale mund të ngrihet njeriu shqiptar”. “Kjo është një dëshmi se me çfarë kulture të lartësuar është i pasur populli shqiptar, i pasur jo vetëm me inteligjencë të rrallë, me kurajo të jashtëzakonshme, por edhe me virtyte të mëdha njerëzore, me humanizëm të thellë, me ndjenjën e fisnikërisë e mëshirës në kuptimin më të madh të kësaj fjale”, - vuri në dukje Presidenti.

Në përfundim, Presidenti i Republikës u shpreh se “Nënë Tereza na flet shumë që të mos harrojmë porositë që ajo na la, porositë që i la njerëzimit, që të ecim në rrugën e paqes, harmonisë e bashkëjetesës si në të vetmen rrugë të përshkueshme”, - duke theksuar se “kështu kemi më se të drejtë të krenohemi për shqiptarësinë e saj dhe të identifikohemi në botë si të sajët dhe ta quajmë me plot gojë e krenari atë si tonën”.

Në vijim, të pranishmit në këtë veprimtari u përshëndetën dhe nga Kryetari i Unionit për Paqen, Xhanfranko Kosta, i cili, pasi vlerësoi në mënyrë të veçantë jetën dhe veprën e Nënë Terezës, mes të tjerash shprehu mirënjohjen për "Presidentin e Republikës, Kryetarin e Bashkisë dhe të gjithë ata që do të punojnë për këtë iniciativë dhe për këtë projekt të jashtëzakonshëm”.

Në përfundim të veprimtarisë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama në vlerësim të figurës së Nënë Terezës, iu referua shprehjes së "njërit prej Sekretarëve të Kombeve të Bashkuara, Perez de Kuelarit, i cili ka thënë se ‘Kombet e Bashkuara janë Nënë Tereza dhe Nënë Tereza është Kombet e Bashkuara. Nënë Tereza është paqja në bot뒔. Gjithashtu zoti Rama, në emër të Bashkisë të Tiranës, të të gjithë qytetarëve dhe qytetareve të kryeqytetit falënderoi Presidentin e Republikës, Unionin e Paqes dhe "të gjithë ata Presidentë dhe autoritete të larta jo vetëm shtetërore, por edhe morale, apo figura publike të kulturës së gjallë shqiptare, apo botërore që kanë pranuar dhe vazhdojnë të pranojnë të vënë emrin e tyre në këtë rrugë.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›