Kryeministri Berisha ndoqi meshën e mbajtur në nderim të 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij znj. Liri Berisha, ndoqi sot meshën e mbajtur në nderim të 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, në Katedralen e të Lumes Nënë Tereza, në Vaun e Dejës.
Fillimisht, Kryeministri Berisha vendosi një buqetë me lule në shtatoren e Nënë Terezës në qendër të qytetit dhe pas meshës mbajti një fjalim përshëndetës, në të cilin u shpreh:
“Shkëlqesia juaj Nunsi Apostolik, i deleguari i Shenjtërisë së tij Papa Benedikti i XVI,
Hirësia juaj Imzot Rrok Mirdita, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë,
Hirësia juaj zoti Agostini, mikpritës i kësaj ceremonie kishtare në nderim të nënës, të gruas, që i dha më shumë nder se kushdo tjetër në histori kombit shqiptar, njeriut, vlerave të tij.
I nderuar Imzot Angelo Masafra, Ipeshkvi i Shkodrës dhe Pultit,
Zonja kryetare e Parlamentit,
Zoti ministër i Kulturës,
Zotërinj deputetë dhe qeveritarë vendorë,
Zoti kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës,
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Vaut të Dejës,
Sot është një ditë unike në tërë historinë mijëravjeçare të kombit shqiptar. Sot shqiptarët, së bashku me qytetarë të të gjitha kombeve, të të gjitha besimeve, të të gjitha rracave, përulen me nderimin më të madh para gruas, para nënës, sepse askush tjetër në historinë e njerëzimit nuk bëri më shumë për të gjithë të tjerët që e nderojnë sot.
Nënë Tereza nderohet sot në të katër anët e rruzullit. Ajo nderohet, sepse në një shekull askush nuk i dha më shumë në këtë jetë qytetarëve të kësaj bote sesa Shenjtorja e dhembshurisë dhe dashurisë njerëzore.
Gonxhja e kombit tonë çeli në luginat dhe kodrat e Darjeeling-ut, por lulëzoi në Kalkutën e Indisë, në megapolin e dhembjes, vuajtjes, mjerimit, sakrificës njerëzore. Në një nga veprat e saj të shumta ajo shkruan “një ditë mu duk se po hyja në Parajsë. Dera u hap, por tek dera më priti Shën Pjetri dhe më tha se këtu nuk ka të varfër dhe të vuajtur. Unë u ktheva sërish në Kalkutë, mes të varfërve të mi”.
Në histori janë të shumtë ata që kanë luftuar varfërinë, qeveri, shoqëri civile, institucione fetare, por në mbretërinë e Nënë Terezës, përveç asaj dhe motrave të saj, Krishtit që ajo e shihte në çdo njeri, të tjerët mungonin. Ndaj dhe sot ajo nderohet me një shenjë mirënjohje të pakufishme nga mbarë njerëzit e qytetëruar të botës.
Theksoj se ajo ishte gonxhja e kombit dhe shqiptarët duhet ta dinë se ajo çdo ditë është lutur për nënën e saj, e cila e mëkoi me atë dashuri që ajo pushtoi mendjet dhe zemrat e njerëzve të qytetëruar në mbarë botën; është lutur për familjen e saj; është lutur për Shqipërinë dhe shqiptarët çdo ditë.
Sot është një ditë nderimi për Kalkutën, për Indinë, ku Gonxhe Bojaxhi u lartësua në Nënë Terezën.
Sot është një ditë nderimi për Motrat, misionaret e dashurisë dhe dhembshurisë njerëzore, të cilat në 130 vende të botës u shërbejnë, ngjallin shpresë, mjekojnë, ushqejnë, miliona qytetarë të këtij planeti, të braktisur, në vuajtje të mëdha.
Sot është një ditë nderimi për Selinë e Shenjtë. Miku i madh i kombit shqiptar, Papa Gjon Palin e II që nga ballkoni i Ipeshkvisë së Shkodrës do t’ua paraqiste shqiptarëve dhe mbarë botës Gonxhe Bojaxhinë si bijën e këtij kombi.
Sot është një ditë nderimi e veçantë për Papa Benediktin e XVI që udhëheq vitin e nderimit të saj në mbarë botën.
Sot është një ditë nderimi e veçantë për nënën shqiptare, e cila tek Nënë Tereza ka simbolin e saj më të shkëlqyer njerëzor.
Shenjtorët, Profetët, kështu janë, një komb i lind, por ata i përkasin mbarë njerëzimit. E tillë është edhe Nënë Tereza.
Edhe një herë, le të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për nderin e madh që na dha, për shërbimin e madh që bëri një shekull të tërë.
Faleminderit!
26/08/2010