Kryeministri Berisha zhvillon një takim dypalësh me Kancelarin austriak z. Verner Faymann
Gjatë vizitës në Salzburg, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim dypalësh me Kancelarin austriak z. Verner Faymann. Fillimisht, dy bashkëbiseduesit u ndalën në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Duke e falënderuar Kancelarin austriak dhe qeverinë e tij për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në proceset integruese, Kryeministri Berisha tha se ky proces duhet të jetë i bazuar mbi meritën, pasi ky është interesi jetik i qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë nevojë për reforma, kritere, norma dhe standarde për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Më pas, Kancelari Faymann vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, të cilat bënë të mundur që Shqipëria edhe në një kohë krize financiare botërore, falë lehtësirave fiskale, klimës miqësore dhe garantimit të tyre, vazhdoi të jetë një vend i preferuar për investitorët. Kancelari Faymann e garantoi Kryeministrin Berisha se ai personalisht dhe qeveria e tij do të vazhdojnë të inkurajojnë dhe nxisin investitorët austriak për të shtrirë aktivitetet dhe investuar në Shqipëri.
Duke shprehur mirënjohjen për qeverinë dhe Kancelarin austriak, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat, Kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë e qeverisë që drejton për të ecur më tej me reformat, në mënyrë që Shqipëria të shndërrohet çdo ditë e më shumë në një histori suksesi për investitorët.
Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të situatës ekonomike në Shqipëri, e cila përballoi mjaft mirë pasojat e krizës ekonomike botërore. Më tej, Kryeministri u shpreh se rritja ekonomike e Shqipërisë në vitin që shkoi ishte 3.5 përqind, ndërkohë që këtë vit rritja ekonomike e saj pritet të jetë edhe më e madhe.
Kryeministri theksoi se qeveria ndërmori një revolucion të vërtetë fiskal duke e shndërruar Shqipërinë në një nga vendet me taksat më të ulëta në Evropë. Kryeministri u shpreh se falë luftës kundër korrupsionit dhe përgjysmimit të taksave, qeveria ia doli të dyfishojë të ardhurat. Gjithashtu, Kryeministri tha se ne adoptuam zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, duke e bërë Shqipërinë një vend të sigurt.
Nisur nga zhvillimet në vendet e tjera, të cilat shkurtuan pagat dhe pensionet, Kancelari austriak u interesua edhe për qëndrimin e qeverisë shqiptare në këtë drejtim. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha e informoi Kancelarin se, përkundrazi, qeveria shqiptare jo vetëm që nuk i ka ulur, por i ka rritur pagat dhe pensionet. Në pesë vitet e qeverisjes sonë, u shpreh Kryeministri, janë dyfishuar pagat në disa sektorë, pensionet dhe ndihma ekonomike.
Kryeministri Berisha theksoi se qeveria ka ndërmarrë këtë vit një shkurtim të shpenzimeve me 25 përqind. Arsimi dhe shëndetësia, u shpreh Kryeministri, mbeten sektorët më prioritarë. Në këtë kuadër, Kryeministri e falënderoi Kancelarin dhe qeverinë austriake për ndihmën e dhënë në modernizimin dhe pajisjen me aparatura moderne të 6 spitaleve rajonale në vend.
Duke u ndalur në investimet e qeverisë në infrastrukturë, Kryeministri u shpreh se në këtë sektor është investuar 8 përqind të GDP-së. “Në katër vite ndërtuam 6000 kilometra rrugë dhe do të ndërtojmë edhe 6000 kilometra të tjerë, ku një pjesë e madhe janë autostrada dhe në to përfshihen edhe tunele, duke pasur parasysh terrenin malor që ka Shqipëria”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri Berisha e informoi Kancelarin Faymann edhe për situatën politike në Shqipëri, ku u shpreh se ekzistojnë hapësira shumë të mira në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin për të gjetur një zgjidhje të përbashkët të problemeve, në mënyrë që të sigurohet arritja e plotë e standardeve në zgjedhjet e ardhshme.
28/08/2010