E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr urime nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) për fitoren në zgjedhjet parlamentare

Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan ka uruar Kryeministrin Berisha dhe Partinë Demokratike për fitoren e zgjedhjeve parlamentare.

Gjithashtu Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan përmes Drejtorit Ekzekutiv, zotit Avni Mustafaj, ka shprehur urimet më të përzemërta për popullin shqiptar “për një proces zgjedhor që u vlerësua nga vëzhguesit ndërkombëtarë, si i lirë dhe i ndershëm”.

Më tej në mesazhin e tij të urimit Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan përgëzon bashkëpunimin e forcave politike për përpilimin e ligjeve të reja në lidhje me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Këto ndryshime ligjore krijuan mundësinë që në Shqipëri të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme”, - ka vlerësuar, Avni Mustafaj, Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan.

Po ashtu, ai tha se “të gjitha forcat politike meritojnë të vlerësohen për kontributin e tyre për të arritur standardet më të larta zgjedhore që janë zhvilluar deri tani në Shqipëri”.

Zoti Mustafaj nga ana tjetër, konsideron se vitet e fundit, Shqipëria ka pasur një progres të konsiderueshëm për sa i përket arritjes së standardeve të caktuara nga institucionet Euro-Atlantike, gjë që solli anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Zgjedhjet e 28 Qershorit, vijon mesazhi, janë një hap i madh përpara drejt procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) është një organizatë jo-fitimprurëse dhe jo qeveritare e përkushtuar ndaj mbrojtjes së çështjeve shqiptare, si dhe promovimit të paqes dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan, me qëllim fuqizimin e  politikave demokratike dhe  inkurajimin e respektit për të drejtat e njeriut, duke ju përmbajtur programeve me karakter edukativ dhe zhvillues.


12/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›