VENDIM PËR PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8872, DATË 29.3.2002, “PËR ARSIMIN DHE FORMIMIN PROFESIONAL NË REPUBLIKËN E SHQIPËRIS˔”
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8872, DATË 29.3.2002, “PËR ARSIMIN DHE FORMIMIN PROFESIONAL NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8872, DATË 29.3.2002, “PËR ARSIMIN DHE FORMIMIN PROFESIONAL NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I :
Në ligjin nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, të bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Në të gjitha nenet e ligjit fjalët “arsim i detyruar” zëvendësohen me “arsim bazë”.
Neni 2
Pikat 2, 3 e 4, të nenit 11, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“2. Arsimi profesional, publik dhe privat, fillon pas mbarimit të arsimit bazë, me kohëzgjatje 3 vjet (2+1) dhe ndahet në dy nivele:
a) Niveli i parë vazhdon dy vjet;
b) Niveli i dytë vazhdon një vit pas nivelit të parë.
Me mbarimin e nivelit të parë, krahas dëftesës së përfundimit të këtij niveli, nxënësit pajisen me certifikatë aftësimi profesional, të nivelit të parë.
Në përfundim të nivelit të dytë, nxënësit marrin dëftesën e përfundimit të këtij niveli dhe certifikatën e aftësimit profesional, të nivelit të dytë.
3. Arsimi i mesëm teknik, publik dhe privat, fillon:
a) pas mbarimit të arsimit bazë dhe zgjat katër vjet;
b) pas mbarimit të tri viteve të arsimit profesional dhe zgjat një vit.
Nxënësit, që mbarojnë shkollat teknike, publike dhe private, krahas dëftesës së pjekurisë, marrin edhe certifikatën e aftësimit, profesional dhe teknik, dhe u njihet mbarimi i shkollës së mesme dhe mundësia e vazhdimit të studimeve në institucionet e arsimit të lartë.
4. Formimi profesional, publik dhe privat, zhvillohet përmes kurseve të formimit, të riformimit dhe të riaftësimit profesional, me kohëzgjatje deri në dy vjet.”.
Neni 3
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI