Kryeministri Berisha mirëpret Ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë Lazar Elenovski
Sot paradite, Kryeministri Berisha mirëpriti në një takim Ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë, zotin Lazar Elenovski.
Të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe ndanë të njëjtin vullnet për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, vecanërisht në fushën ushtarake, për realizimin e reformave në Forcat e Armatosura, në kuadër të integrimit të të dy vendeve në NATO.
Karta e Adriatik 3, nënvizoi Kryeministri, është një kuadër shumë i rëndësishëm për përgatitjen e vendeve tona për integrim në NATO.
Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, zoti Elenovski, siguroi vullnetin e qeverisë së tij për rritjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, veçanërisht në atë ushtarake, duke theksuar se muajt në vazhdim do të jenë shumë të rëndësishëm në përgatitjen tonë për përmbushjen e standardeve, për të merituar ftesën në Samitin e ardhshëm të NATO-s.
Të dy personalitetet shprehën bindjen se vendet e Kartës Adriatik 3, duke u integruar sëbashku në NATO, rrisin stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Qeveria shqiptare, theksoi Kryeministri Berisha, vlerëson përpjekjet konstruktive të qeverisë maqedonase dhe të të gjitha forcave politike në Maqedoni, për implementimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit, si një kuadër shumë i mirë që garanton paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë.
Më tej, Kryeministri bëri një prezantim të reformave të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare, vecanërisht në fushën e mbrojtjes, për të realizuar projektin e madh të integrimit në NATO, duke përfshirë edhe rritjen me 2 përqind të GDP-së për Forcat e Armatosura shqiptare.