E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron besimtarët shqiptarë për Pashkët

Me rastin e ditës së Pashkëve, Kryeministri Sali Berisha vizitoi sot Kryepeshkopatën e Kishës Ortodokse dhe u takua me Hirësinë e tij Anastas Janullatos, si dhe katedralen e Shën Palit, ku u takua me Arqipeshkvin e Metropolit të Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita.

Kryeministri i uroi besimtarëve të krishterë dhe të gjithë shqiptarëve ditën e Pashkëve, ditën e ringjalljes, të besimit, shpresës dhe frymëzimit për një të ardhme më të mirë.

"Ringjallja është dita e fuqisë hyjnore të njeriut, dita që e frymëzon njeriun të fillojë në çdo rast nga e para për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten, familjen, shoqërinë dhe vendin. Kjo është dita e shpresës së përjetshme dhe e besimit të pashterur. Gëzuar për të gjithë besimtarët shqiptarë," u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha theksoi se qeveria është e angazhuar dhe po punon me përkushtim për një jetë dhe të ardhme më të mirë për gjithë shqiptarët. "Parimet e mëdha të librave të shenjtë janë frymëzuese në përpjekjet tona për të ngushtuar hendekun mes atyre që kanë e atyre që nuk kanë, që është hendeku më i rëndë për një shoqëri. Ky hendek e bën shoqërinë të pabarabartë, e largon atë nga parimet e mëdha morale. Tërë përpjekjet e qeverisë synojnë që të ngushtojë këtë hendek, si një kusht vendimtar për të bërë të mundur që qytetarët të shfrytëzojnë shanset që u ofron liria dhe jeta", u shpreh Kryeministri.

Kryeministri shprehu mirënjohjen për të gjithë klerikët e bashkëpunëtorët fetarë që kanë dhënë një ndihmesë të çmuar në shpalosjen e vlerave morale të individit dhe shoqërisë në tërësi. Këto vlera, theksoi Kryeministri, bazohen në parimet e mëdha të doktrinave fetare, me të cilat ne, shqiptarët, jemi më të pasurit, kemi një pluralitet fetar dhe një harmoni të shkëlqyer.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›