E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha nderon kujtimin e tribunit të lirisë, Azem Hajdari, në Ditën Kombëtare të Rinisë

Kryeministri Berisha bëri sot homazhe pranë memorialit të Tribunit të Demokracisë, Azem Hajdari, në Ditën Kombëtare të Rinisë, 8 Dhjetor.

Kryeministri u shpreh se Azem Hajdari hyri në historinë e kombit si lideri i guximshëm i Lëvizjes së Dhjetorit, e cila çliroi shqiptarët nga diktatura më e egër  që ata kanë njohur në tërë historinë e tyre. Kryeministri theksoi se liria që lindi 18 vite më parë, lindi në një regjim terrori, shtypjeje të egër, por ajo u mbrojt dhe u rrit nga uragani i shpresës që buroi nga rinia shqiptare dhe qytetarët shqiptarë.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:  

Sot, ne shprehim nderimin më të madh dhe respektin më të thellë para veprës së tribunit të lirisë, bashkëpunëtorëve dhe shokëve dhe shoqeve të tij studentë, të cilët 18 vjet më parë, me një guxim legjendar, do të përballeshin me diktaturën më të egër të Europës, në rrugët e Tiranës dhe, do ta gjunjëzonin atë.

Azem Hajdari hyri në historinë e kombit si lider i asaj lëvizjeje, e cila çliroi shqiptarët nga diktatura më e egër që ata kanë njohur në tërë historinë e tyre. Më 8 dhjetor, në krye të një grupi të gjerë studentësh dhe pedagogësh të rinj, ai, në një nga rrugët më kryesore të kryeqytetit, zhvilloi një betejë e cila do të sillte gjunjëzimin e diktaturës dhe vendosjen e sistemit pluralist në Shqipëri. Liria që lindi 18 vite më parë lindi në një regjim terrori, shtypjeje të egër, por ajo u mbrojt dhe u rrit nga uragani i shpresës që buroi nga rinia shqiptare dhe qytetarët shqiptarë.

Ndaj ne sot nderojmë më krenarë se kurrë këtë ditë, heroin legjendar të saj, Azem Hajdarin, nderojmë studentët liberatorë, të cilët me të drejtë, ato ditë dhjetori u quajtën nga qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë si engjëjt e demokracisë.

I pyetur nga mediat se cili ka qenë roli i kryetarit aktual të Partisë Socialiste në lëvizjen e dhjetorit, Kryeministri Berisha u shpreh: “Lëvizja e dhjetorit ishte një lëvizje e studentëve, pedagogëve dhe intelektualëve, e cila çeli dyert e lirisë për shqiptarët. Lidhur me pyetjen që bëni, nuk më kujtohet që ai të ketë qenë ditët e para. Erdhi më vonë, por për shkak të disa kritereve radikale ose gjysmë radikale të vendosura nga Partia Demokratike, për shkak se nga njëra anë ai ishte nipi i Byrosë Politike dhe biri i Komitetit Qendror,nuk u pranua në lëvizje dhe krijoi një parti të çuditshme, të quajtur “KIS”,por që s’ka asgjë të përbashkët  me puthjen. Ajo ishte Partia Kristiano - Islamike, që e themeloi së bashku me avokatin dhe tre të tjerë. Me krijimin e asaj partie ata bënë një veprim jashtëzakonisht të mbrapshtë, sepse kërkuan të përziejnë fenë me partitë,me shtetin. Atëherë institucionet ndërkombëtare dhe institucionet e mëdha fetare të botës ndërhynë dhe thanë se nuk mund të shkohet më tej, pasi feja, kisha e xhamia janë të ndara nga shteti. Ky është roli i Kryetarit aktual të PS-së, me qenë se keni kuriozitet. Pra,ai erdhi më vonë për t’u bashkuar me Partinë Demokratike, por nuk e lejuan disa grupe, për shkak të atyre problemeve të tij”.


08/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›