E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takon Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, z. Hido Bishcevic

Kryeministri Berisha priti, sot paradite, në një takim z. Hido Bishcevic, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC)

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shpreh se është e rëndësishme që vendet e Europës Juglindore të vijojnë thellimin e bashkëpunimit, në veçanti me projekte konkrete në fusha të rëndësishme si ajo e energjisë, infrastrukturave të mëdha rajonale dhe europiane, të cilat do të konsolidojnë funksionimin e tregut të lirë të këtyre vendeve, si dhe do të forcojnë integrimin e tyre, duke i sjelle ato më pranë aspiratave për integrim euroatlantik. Në këtë kontekst, theksoi Berisha, është e rëndësishme të bëjmë çdo përpjekje për liberalizimin e plotë të lëvizjes së lirë të qytetarëve, mallrave e shërbimeve në rajonin tonë.

Pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen, z. Bishcevic theksoi se Shqipëria është një ndër faktorët më të rëndësishëm për bashkëpunimin rajonal, në kuadër të Këshillit për Bashkëpunimit Rajonal. Z. Bishcevic vlerësoi lart përkrahjen që qeveria shqiptare dhe personalisht Kryeministri Berisha i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe projekteve të rëndësishme të tij për konsolidimin e bashkëpunimit rajonal.

Rajoni po shënon progres në të gjitha fushat, u shpreh z Bishcevic, duke theksuar se është e rëndësishme që  procesi i paqes dhe sigurisë në rajon, të përmbyllet me sukses të plotë. Në këtë pikë, të dy personalitetet ndanë të njëjtin qëndrim se shtrirja e EULEX-it në të gjithë territorin Kosovës është esenciale për paqen dhe sigurinë në rajon.

Më tej, z. Bishcevic i paraqiti Kryeministrit Berisha projekt- programet e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për periudhën në vijim, në fusha si energjia dhe infrastruktura, të cilat mbështeten nga Komisioni Europian dhe donatorë të rëndësishëm si, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Z. Bishcevic u shpreh se po punohet për ndërtimin e një mekanizmi të përhershëm bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të BE-së, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe koordinatorëve të vendeve të rajonit, si edhe për shtrirjen e projekteve të këtij Këshilli në fusha si transporti rajonal, parandalimi dhe përballimi i emergjencave,  etj.


09/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›