Kryeministri Berisha në Kamëz: Qeveria mbajti premtimet
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha përuroi një seri objektesh infrastrukturore në Bashkinë e Kamzës, përurime që, sipas tij, janë në përputhje me zotimin e qeverisë për të shndërruar Kamzën në një nga qytetet më moderne të Shqipërisë.
Fillimisht, Kryeministri Berisha inauguroi “Bulevardin Blu”, me gjatësi 3 kilometra, 26 metra i gjerë dhe me vlerë mbi 500 milionë lekë. Më pas, Kryeministri inauguroi rrugën "Skënderbeu", me gjatësi 1 kilometër, 16 metra e gjerë dhe me vlerë 92 milionë lekë, si dhe rrugën "NATO" me gjatësi 1 kilometër, 14 metra e gjerë, me vlerë 66 milionë lekë. Kryeministri Berisha inauguroi gjithashtu fillimin e punimeve në rrugën Çekrez, me gjatësi 1.5 kilometra dhe gjerësi 16 metër, një investim mbi 185 milionë lekë, si dhe fillimin e punimeve të Pallatit të Kulturës në këtë bashki, me vlerë 184 milionë lekë.
"Sot ne inauguruam këtu disa investime të mëdha. Inauguruam "Bulevardin Blu", bulevardin e zemrës dhe shpirtit tuaj, inauguruam Bulevardin "Skënderbeu", Bulevardin e NATO-s, inauguruam fillimin e punimeve për rrugën e Çekrezit, si dhe fillimin e punimeve për një Pallat Kulturor madhështor. Të gjitha këto janë në përputhje me zotimin tonë për të shndërruar Kamzën në një nga qytetet më moderne të Shqipërisë dhe shqiptarëve", u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri kërkoi nga kryetari i Bashkisë të Kamzës z. Xhelal Mziu që të gjejë truallin për të ndërtuar në Kamëz, një nga pallatet më të mira të sportit në Shqipëri.
Më pas, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim elektoral me banorët e Kamzës, ku i ftoi të gjithë ata, pavarësisht nga bindjet politike, të bashkohen dhe të votojnë më 28 qershor për Kamzën evropiane dhe për Shqipërinë evropiane. "Këto tre ditë që na kanë mbetur le të trokasim në zemrën e çdo shqiptari, çdo miku, çdo shoku, çdo shoqeje, çdo të njohuri dhe t'i kërkojmë atij të bashkohet me ne në projektin tonë të madh, në ëndrrën tonë evropiane. 28 qershori është dita e madhe e të gjithë shqiptarëve, është dita e të ardhmes sonë të bukur, është dita e katër viteve të ardhshme që do të ndryshojnë Kamzën dhe Shqipërinë më shumë se kurrë në tërë historinë e tyre", u shpreh Kryeministri Berisha, drejtuar banorëve të Kamzës.
Duke vlerësuar se po shkojmë drejt zgjedhjeve më dinjitoze që ka pasur Shqipëria, Kryeministri Berisha i ftoi të gjithë shqiptarët që të shkojnë në kutitë e votimit bashkërisht si familje, por të votojmë si individë, për të mos dëmtuar zgjedhjet me votim familjar. “Në këto zgjedhje ne shkojmë me dinjitetin më të madh. Ne shkojmë drejt tyre për zgjedhjet më të bukura dhe më dinjitoze që ka pasur Shqipëria. Këto janë zgjedhjet e para që ne zhvillojmë pasi kemi realizuar regjistrin kombëtar elektronik, pasi kemi realizuar listat elektronike të zgjedhësve dhe pasi jemi pajisur me letërnjoftimet elektronike. Thirrja ime vëllazërore për ju dhe për të gjithë shqiptarët është që të shkojmë tek kutitë e votimit bashkërisht si familje, por të votojmë si individë, për të mos dëmtuar zgjedhjet me votim familjar, sepse këtë radhë duhet ti faktojmë vetes dhe Evropës se ne do të trokasim në dyert e saj si qytetarë të lirë, me votën tonë të lirë, me votën tonë individuale dhe me infrastrukturën më moderne”, u shpreh Kryeministri Berisha, duke ftuar qytetarët e Kamzës dhe të mbarë Shqipërisë që në datën 28 qershor të votojnë 10-ën, të votojnë Partinë Demokratike.
24/06/2009