Kryeministri Berisha takon Presidentin e Kosovës, zotin Fatmir Sejdiu
Kryeministri Berisha pati sot pasdite një takim të ngrohtë e miqësor me Presidentin e Kosovës, zotin Fatmir Sejdiu.
Kryeministri Berisha u shpreh se ndjek me kënaqësi ecurinë e mirë të Kosovës, duke vlerësuar se pavarësia ka prodhuar paqe dhe stabilitet.
Kryeministri Berisha dhe Presidenti Sejdiu shkëmbyen mendime lidhur me thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike, ku të dyja vendet kanë potenciale të mëdha për një bashkëpunim të ngushtë mes tyre. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha dhe Presidenti Sejdiu e cilësuan rrugën Durrës-Kukës-Morinë një korridor jashtëzakonisht të rëndësishëm si një urë lidhëse që do të nxisë lëvizjen dhe shkëmbimet jo vetëm ndërmjet dy vendeve, por edhe në rajon. Kryeministri Berisha e informoi Presidentin Sejdiu se pak ditë më parë inauguroi edhe rrugën Has-Qafë Prush, që do të ketë gjithashtu një ndikim pozitiv në lehtësimin e lëvizjes mes dy vendeve.
Presidenti Sejdiu i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet dhe konsideratën e tij më të lartë për reformat e suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe progresin që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre viteve me anëtarësimin e vendit në NATO, në infrastrukturë, në fushën ekonomike etj..
24/06/2009