E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Librazhd: Këto katër vite do të jenë vendimtare që ju të ndiheni qytetarë evropian

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje një takim me qytetarë të Librazhdit. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Përshëndetje të përzemërta dhe vëllazërore për ju qytetare dhe qytetarë të Librazhdit të pranishëm në këtë shesh, por edhe gjithë banorëve të këtij rrethi. Ju jap përshëndetjet më të përzemërta dhe ju falënderoj për këtë pritje vëllazërore. Shpreh kënaqësinë dhe krenarinë tonë të përbashkët të takohemi sot këtu si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, të takohemi sot këtu si qytetarë të një vendi, i cili ka aplikuar për të qenë anëtar në Bashkimin Evropian. Ne takohemi sot si qytetarë të një vendi që në katër vite, me punë, me djersë, me përkushtim të përbashkët  i’a dolëm që Shqipëria të qëndrojë për dy vjet rresht në krye të rritjes ekonomike në Evropë, i’a dolëm të dyfishojmë rrogat e mësuesve tanë, i’a dolëm të dyfishojmë rrogat e infermierëve, i’a dolëm të dyfishojmë pensionet e pensionisteve në mbarë fshatrat shqiptare, i’a dolëm të rrisim pensionet në qytet me 50-70 për qind,  i’a dolëm ta bëjmë Shqipërinë të respektuar, të begenisur, të përfillur në Evropë dhe në mbarë botën.

Qytetare dhe qytetarë të Librazhdit,

Jam sot këtu për t’ju premtuar ju projektin tonë të ri të përbashkët, projektin e Librazhdit evropian, projektin e Shqipërisë evropiane. Ky projekt është një projekt shumë konkret. Me këtë projekt qeveria ime do të bëjë që Librazhdi dhe mbarë Shqipëria të kenë infrastrukturën rrugore që meritojnë. Ndaj dhe  jam këtu për t’u zotuar se do të asfaltojmë çdo rrugë të këtij rrethi, rrugën Librazh-Orenjë- Peshkopi, rrugën Qukës-Qafë Plloçë, sikundër dhe çdo  komunë të këtij rrethi do t’a lidhim me rrugë të asfaltuar me rrugët kombëtare. Çdo fshat të këtij rrethi do ta lidhim me rrugë të asfaltuara me qendrat e komunave, në çdo shtëpi tuajën kudo që jeni ne do të garantojmë ujë të pijshëm 24 orë.

Librazhdas evropian dhe shqiptarë evropian do të thotë para së gjithash dhe mbi të gjitha, kushte evropiane jetese. Librazhdas evropian dhe shqiptarë evropian do të thotë punë dhe punësim. Unë ju garantoj se në katër vitet që vijnë ne që punësuam 80 mijë qytetarë do të punësojmë edhe 160 mijë të tjerë. Vetëm në rrethin tuaj janë në ndërtim e sipër apo do të ndërtohen rreth 80 hidrocentrale. Në hidrocentralet, në të gjithë Shqipërinë do të punësohen mbi 60 mijë qytetarë. Në rrugët, në infrastrukturën, në turizmit, në parqet industriale do të punësohen dhjetëra e mijëra qytetarë.

Qytetare dhe qytetarë të Librazhdit,

Kushtet evropiane të jetesës sigurisht lidhen me rrugët e reja, lidhen me ujin e pijshëm 24 orë, lidhen me shkolla më të mira për fëmijët tuaj, lidhen me punësimin tuaj, me shërbimin shëndetësor, por ato lidhen edhe me taksat tuaja dhe me pensionet tuaja. Unë vij sot për t’ju premtuar ju se në katër vitet që vijnë, ne, qytetarët shqiptarë, qytetarët e Librazhdit dhe të mbarë këtij vendi do të ketë rroga dhe pensione më të mira së në gjashtë vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Qytetare dhe qytetarë të Librazhdit,

Dua të shpreh një nderim të madh për fermerët shqiptarë dhe në veçanti për fermerët e Librazhdit. Kudo që unë kaloj në këtë rreth nuk gjej një pëllëmbë tokë të papunuar dhe kjo është merita juaj. Ky është frymëzim i madh për mua në punën time. Dhe, unë ju jap fjalën në këtë shesh se qeveria ime do të financojë me grante çdo projekt të fermerëve të këtij rrethi për nxitjen e prodhimeve tuaja. Unë ju garantoj se do të financojmë çdo projekt tuajin për vaditje, për agrobiznes dhe do të bëjmë çdo gjë që tokat tuaja të japin prodhimet më të mira. Në vitin 2013 pensionet tuaja do të jenë të barabarta me pensionet e qytetit.

Vëllezër dhe motra,

28 qershori po vjen dhe mbarë Shqipëria është në festë. Shqiptarët po i presin me padurim këto zgjedhje për t’i dëshmuar njëri- tjetrit, Evropës dhe mbarë botës se ne votojmë me maturi të plotë demokratike, ne votojmë siç na ka hije, votojmë si qytetarë të lirë, votojmë si qytetarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si qytetarë që shpresojnë dhe janë të sigurt për projektin e tyre evropian. Prandaj, thirrja ime vëllazërore për të gjithë ju është t’i merrni letërnjoftimet e reja. I merrini ato, sepse me këto letërnjoftime ne barazohemi me qytetarët vendeve më të zhvilluara të Evropës. I merrni ato, sepse ato kanë me dhjetëra e dhjetëra përdorime dhe shërbime për ju. I merrni ato edhe për të shkuar ballëlart më 28 qershor në këto zgjedhje, për të votuar me dokumentet më moderne. Kjo është fjala e fundit. Ndaj dhe thirrja ime për të gjithë qeveritarët vendorë në Shqipëri, për militantët e të gjitha forcave politike është; ndihmoni çdo qytetar që të marrë letërnjoftimin e ri.

Nga Librazhdi kam një thirrje për kryetarin e Partisë Socialiste. Zoti Rama, ne shqiptarët po bëjmë 19 vjet në pluralizëm. Ne nuk e dinim se çfarë ishte liria, por ne e fituam dhe tani po e ndërtojmë atë. Në 19 vite pluralizëm, nga fëmija tek më i moshuari, e kanë mësuar se rregullat e garës tregojnë që kryetari i partisë udhëheq listën e deputetëve, të jetë në krye të listës për votim, sepse ky është një standard evropian. Jo vetëm shqiptarët, por në mbarë botën nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar kurrë rasti që kryetari i partisë të mos vendosë emrin e tij në listë.

Zoti Rama, unë të bëj thirrje që ta vendosësh emrin në listë dhe të siguroj se me urgjencë do të mbledhim parlamentin të ndryshojmë ligjin. Dil në ballë të listës. Edhe një herë e them sot se politikani, cilido qoftë ai, e ka për detyrë të pranojë si fitoren ashtu edhe humbjen, e ka për detyrë të ndjekë rregullat e ndershme të lojës. Për këtë qëllim do të të jap 48 orë afat. Uroj që të të mbushet mendja. Në të kundërt, ti e fakton veten se për ty vendi, qytetarët, liria nuk kanë asnjë vlerë përpara karriges tënde, se ti je një burracak i vërtetë që ke frikë nga humbja dhe futesh nën tavolinën e bashkisë.

Qytetare dhe qytetarë të Librazhdit,

Zoti Edi Rama u thotë shqiptarëve se nuk do të votohem, sepse jam votuar në 2007-ën. Po, zoti Rama, por nga viti 2007 e këtej ke mbledhur aq zhul sa as ujët e Shkumbinit nuk ta lan dot. Po, zoti Rama, sepse nga 2007 je ti dhe vetëm ti që rezulton t’u kesh dhënë Eftimëve të tu 70 për qind të lejeve të bashkisë. Këtë, zoti Rama, nuk e bën as djali i Kim Young Il, kryetari i bashkisë së Phenianit. Vërtetë ke marrë votat me certifikatat e falsifikuara në vitin 2007, por nga 2007 dhe këtej shqiptarët nuk ta falin ty, tiranasit nuk ta falin ty, sepse ti ditën kur Shqipëria do të merrte ftesën për anëtarësim në NATO, i mashtrove ata dhe u the se Shqipëria nuk do të ftohet. Shqiptarët nuk ta falin ty qytezën Rama-Delijorgji, 52 pallate në qendër të Tiranës. Si mendon ti, se shqiptarët t’i pranojnë këto standarde? Jo, zoti Rama, kurrën e kurrës. Shqiptarët nuk mund të ta falin kurrë ty kërkesën që i’u bëre kancelarive të huaja duke u thënë mos e pranoni Shqipërinë se do të prish zgjedhjet. Shqiptarët nuk mund ta falin ty dhunimin që ti i bën Kodit të Vdekjes. Ndaj, harroje 2007-ën. Fitove me certifikata, por në qoftë se je burrë dil në shesh. Urdhëro të të votojnë dhe ta provosh veten përballë shqiptarëve. Megjithatë, vëllezër dhe motra, ne do t’i japim edhe 48 orë afat dhe në qoftë se ai kthen mendjen do ta vendosim në listë.

Unë do ta mbyll këtë fjalë duke ju përshëndetur edhe një herë vëllazërisht, duke u zotuar përpara jush se për mua këto katër vite do të jenë vendimtare që ju të ndiheni qytetarë evropian, do të jenë vendimtare që qytetarët e këtij rrethi të kenë rrugë evropiane, të kenë furnizim me ujë evropian, të ketë rroga dhe pensione evropiane, të kenë punësim evropian, të shfrytëzojnë pasuritë e rrethit të tyre të mrekullueshëm për të mira materiale për vete dhe për mbarë shqiptarët. Vitin e parë të mandatit tonë të dytë, premtimi im solemn në këtë shesh është lëvizja e lirë për ju dhe për mbarë shqiptarët.

Dy ditë më parë Evropa u gdhi blu. Më 29 qershor Shqipëria do të gdhihet blu. Ne duam me vete çdo njërin prej jush. Dua të që së bashku të vazhdojmë ndryshimin. Më 28 qershor votoni numrin 10, votoni Partinë Demokratike, 10 është më e mira, 10 është shansi, 10 është e vërteta.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!”


09/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›