Kryeministri Berisha në Muzeun Arkeologjik në Qendrën e Studimeve Albanologjike, vlerëson zbulimin më të fundit në Apolloni
Kryeministri Berisha ishte sot në Muzeun Arkeologjik në Qendrën e Studimeve Albanologjike, për të parë nga afër zbulimin arkeologjik më të fundit të bërë në Apolloni. Arkeologët shqiptarë në bashkëpunim me arkeologë francez, kanë zbuluar bustin e një aristokrati nga Apollonia, që i përket gjysmës së dytë të shekullit të II pas Krishtit.
Ky prezantim iu bë Kryeministri Berisha nga Profesor Jean-Luc Lamboley, bashkëdrejtori francez i ekspeditës së përbashkët shqiptaro – franceze të Apollonisë, i cili theksoi se ky zbulim, fryt i një bashkëpunimi të gjatë shqiptaro – francez në këtë qendër arkeologjike, është një kryevepër, një nga skulpturat më të bukura të repertorit botëror të periudhës romake të shekullit të dytë të erës sonë dhe një dëshmi tjetër e zhvillimit të lartë kulturor të Apollonisë në kohën e artë të lulëzimit të saj në shekullin e dytë pas Krishtit.
Kryeministri tha se ky zbulim ka vlerë të paçmueshme dhe të jashtëzakonshme . “Vlerat e tij janë të jashtëzakonshme në rrafshin krijues, skulptural, artistik, në rrafshin historik, por gjithashtu janë akoma më të mëdha, si dëshmi e përjetësisë së kombit shqiptarë” theksoi ndër të tjera Kryeministri.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha tha se;
“Dua të shpreh vlerësimin tim më të madh, mirënjohjen më të thellë ju dhe të gjithë ekipit shqiptaro-francez, që zbuloi këtë verë, një kryevepër të gjenisë krijuese në skulpturë të të gjitha kohërave.
Ky zbulim, siç theksuat ju, ka vlerë të paçmuar të jashtëzakonshme. Vlerat e tij janë të jashtëzakonshme në rrafshin krijues, skulptural, artistik, në rrafshin historik, por gjithashtu janë akoma më të mëdha, si dëshmi e përjetësisë së kombit shqiptarë. Një përjetësi e bazuar në vlera të qytetërimit perëndimor.
Shqipëria është një vend i vogël, por me një pasuri të jashtëzakonshme në gjirin e saj, ky territor ka njohur qytetërime të shumta, perandori dhe perandor, por ajo që e bën shumë të veçantë është se në të gjitha kohërat eci si një komb me identitetin e tij të sotëm.
Dua të rikujtoj këtu një historian të shquar austriak, i cili ka shkruar njërin nga librat më të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në mënyrë të përsëritur Johanes Hans shtron pyetjen, çfarë janë këta shqiptarët?
Dhe ajo që është shumë mbresëlënëse shumë impresionuese ta jep përgjigja, se tek shqiptarët gjen element jo të paktë të kulturës helenike, të kulturës romake dhe dikush mund të mendojë se këto janë huazime të shqiptarëve nga këto kultura.
Ky historian i shquar ka mendim tjetër, ai mendon së ilirët morën njëlloj si helene dhe romakët apo trashëgoi njëlloj si helenet dhe romakët nga popullata pre helene , pre romake, shumë nga ata element që sot u atribuohen helenëve apo romakëve.
Komentet e mia nuk kanë lidhje me skulpturën e mrekullueshme, sepse të gjitha vlerësimet do t’ia bëni ju mbi kriteret më të sakta shkencore, por unë dhe njëherë dua t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë, ju z. profesor, Qeverisë franceze, Ambasadores, për këtë ndihmë jashtëzakonisht të çmuar. Ky zbulim për qeverinë shqiptare ka edhe një dimension tjetër të frymëzimit të saj, të detyrimit të saj, për të fuqizuar mbështetjen për arkeologjinë shqiptare, për të fuqizuar bashkëpunimin me vendin tuaj mik dhe vendet e tjera mike në këtë fushë jashtëzakonisht të rëndësishme në rrafshin kulturor në rrafshin historik dhe në tërësi.
Dhe një herë faleminderit shumë, unë u mrekullova nga ky zbulim”.
21/08/2010