E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të godinës së re të fabrikës Birra Korça

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të godinës së re të fabrikës së prodhimit të birrës “Korça”, investim i biznesit privat me vlerë mbi 20 milionë euro.

Kryeministri Berisha përgëzoi për këtë investim stafin drejtues dhe punonjësit e Birra Korça, e para birrë në Ballkan që ka fituar certifikatën e tregtimit në tregun europian.

Kryeministri e konsideroi këtë investim një dëshmi të gjallërisë së ekonomisë shqiptare. Kryeministri theksoi se në vitin 2010 janë shënuar nga zhvillimet më të mëdha dhe më pozitive në vend, rritja me 70 përqind e eksporteve “Made in Albania” dhe është tejkaluar me 27 pikë, për lehtësitë në regjistrimin e biznesit, mesatarja e vendeve më të zhvilluara, anëtare të OECD-së.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u ndal në krijimin e një klime të favorshme për investimet vendase dhe të huaja, duke siguruar se në këtë drejtim, qeveria do të vazhdojë me reforma të thella edhe gjatë kësaj vjeshte.

“Kudo në vend bëhen investime shumë serioze dhe cilësore, por ndihem i kënaqur dhe i lehtësuar, sepse kjo qeveri ia ka dalë të krijojë një mjedis më miqësorin në Europe dhe botë për bizneset,” u shpreh Kryeministri.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të nderuar zotërinj ministra, zotërinj deputetë, zoti kryetar i bashkisë, zoti prefekt, zotërinj qeveritarë vendorë,

I nderuar zoti president i Birra Korça, z.Irfan Hysenbelliu, i nderuar zoti drejtor i Birra Korça Hozgardt, të dashur punëtorë dhe punëtore, teknikë, inxhinierë dhe inxhiniere, të pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme për Korçën dhe mbarë Shqipërinë,

Para së gjithash, unë dua të përgëzoj përzemërsish presidentin e Birra Korçës, për investimin e tij të madh që bëri në qytetin e Korçës, investim mbi 20 milion euro. Dëshmi e një vizioni të shkëlqyer, por edhe e dashurisë dhe besimit të tij të madh tek Korça. Ky investim ka një rëndësi shumë të madhe për Korçën, sepse në hierarkinë e vlerave, simbolet janë më të çmuarat. Për një shekull, Birra pothuaj është një nga simbolet më të arrira të këtij qyteti, të cilit shijet, kur u ndanë iu dhanë me bollëk. Në këtë kontekst, mund të them se shqiptarët në Korçë kanë kurorën e shijeve të tyre dhe në këto shije, birra është një diamant që shkëlqen. Ky investim ka një rëndësi shumë të madhe dhe të rëndësishëm për vendin, si dhe birraritë e tjera të mëdha të Shqipërisë, të Tiranës, të Vlorës, të qyteteve të tjera.

Tregu shqiptar, duke mbetur gjithnjë i hapur për të gjitha prodhimet europine dhe botërore, gjithnjë e më shumë furnizohet me prodhimet e vendit, nga të cilat në distancë janë absolutisht më të mirat në Europë dhe më gjerë. Duhet ta kemi shumë të qartë se prodhime më të shijshme, se prodhimet e këtij vendi, nuk gjenden në asnjë vend tjetër . Dua të falënderoj bankat për besimin që kanë treguar, Alfa Bank dhe Bankën Credins, të cilat kanë bërë të mundur realizimin e këtij investimi të mrekullueshme, të kësaj fabrike, e cila 5-fishon prodhimin e birrës në qytetin e Korçës dhe do të bëjë të mundur jo vetëm një zgjerim të madh në tregun shqiptar, por edhe eksportin e saj në vendet e tjera. Një birrë që ka fituar e para në Ballkan, certifikatën europine të tregtimit në të katër anët e Europës.

Në këtë fabrikë janë të punësuar 150 punëtorë dhe kjo përbën një lajm të gëzueshëm dhe pozitiv. Ajo prodhon të gjitha varietet më të mira të birrës, bjonde, brune apo të zeza, siç u shprehen parafolësit këtu, pra, birra të një kualiteti të shkëlqyer.

Zonja dhe zotërinj

Ky inaugurim ndodh në një kohë, kur vende të tjera të Europës janë pllakosur dhe kapur nga një krizë e rëndë. Ky inaugurim është dëshmi e një gjallërie të madhe të ekonomisë shqiptare. Dua t’ju them se një nga zhvillimet më të mëdha dhe më pozitive në historinë e Shqipërisë ka ndodhur pikërisht në vitin 2010 dhe ky zhvillim është rritja me 70 përqind, deri më tani, e eksporteve “Made in Albania”, pra, eksporteve shqiptare.

Ky zhvillim ka një rëndësi kapitale, sepse ekonomia shqiptare është një ekonomi reale, një ekonomi me gjallëri të madhe, një ekonomi e bazuar në lumenj djerse dhe mundi, por problemi i saj madhor ka qenë deficiti tregtar, i cili është kompensuar dhe kompensohet nga mundi, djersa dhe dashuria që kanë për Shqipërinë, për familjet e tyre, emigrantët shqiptarë. Këtë vit ka shkëputje të madhe. Këtë vit, eksportet janë rritur me 70 përqind, importet janë rritur me 8 përqind, duke mbajtur regjimet më të hapura. Kudo në vend bëhen investime shumë serioze dhe cilësore, por ndihem i kënaqur dhe i lehtësuar, sepse kjo qeveri ia ka dalë të krijojë një mjedis më miqësorin në Europe dhe botë për bizneset.

Kam ardhur pesë vjet më parë këtu, në fushatë elektorale dhe kam takuar biznesmenë të Korçës, tek ndërtesa e ish kampit të punëtorëve. Ata rreshtuan një seri kërkesash dhe sot, janë të plotësuara e të tejkaluara.

Për ne, shqiptarët, është një arritje historike, që kemi kaluar nga vendi me investime të ndaluara në Europë dhe botë, në vendin që e tejkalon me 27 pikë, për lehtësitë në regjistrimin e biznesit, mesataren e vendeve më të zhvilluara të planetit, anëtare të OECD-së. Për ne, shqiptarët, është një arritje historike fakti se investimi në gjithë sektorët në Shqipëri, krahasuar me vendet mesatare të OECD-së është 7 pikë përpara, 7 përqind më i mirë. Në këto pesë vite, ne e ndryshuam mjedisin për investimet. Dhe siç do të shkruante një nga mediat financiare të botës para 2-3 javësh, vendi që kishte investime të ndaluara, sot, renditet në 63 vendet që tërheq më mirë investimet në botë. Po kështu, në krahasim me investimet, Shqipëria qëndron në pozicionet më të larta, në vendin e 14-të në botë. Në lirinë fiskale është një nga vendet me liri fiskale më të lartë në botë, mbi 94 përqind. Bashkërisht qeveria, biznesmenët, qytetarët ia dolëm t’i japim Shqipërisë fytyrën e biznesit, pa të cilën shqiptarët në këtë vend, nuk kanë dhe nuk mund të kenë të ardhme.

Reforma të thella janë ndërmarrë dhe së shpejti, zbatohen gjatë kësaj vjeshte. Ne do të bëjmë gjithçka dhe nuk do të ndalemi derisa Shqipëria të qëndrojë në krye përsa i përket klimës së biznesit. Ne besojmë se pikërisht në këto reforma qëndron dhe leva e Arkimedit, për ta ndryshuar me shpejtësi këtë vend. Asnjë vend tjetër nuk ka ndryshuar më shpejt, se Shqipëria dhe nuk ka shpejtësinë e ndryshimit të saj, por si vend kohë humbur ka nevojë për shpejtësi marramendëse, edhe më të mëdha dhe ne do t’i realizojmë ato.

Dhe njëherë, unë ju përgëzoj për këtë investim të jashtëzakonshëm që keni bërë dhe ju garantoj ju, komunitetin e biznesit shqiptar dhe jo shqiptar se qeveria do të bëjë gjithçka që ëndrrat dhe projektet tuaja të jenë histori të vërteta suksesi, për ju, familjet tuaja, qytetin, ku investoni dhe vendin tuaj, Faleminderit”.


20/08/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›