Kryeministri Berisha në Patos, inauguron fillimin e punimeve në rrugën Kthesa e Patosit – Roskovec dhe prezanton kandidatët për deputetë të PD-së për qarkun e Fierit

Kryeministri Berisha ishte sot pasdite në Patos ku fillimisht mori pjesë në nisjen e punimeve për rikonstruksionin e rrugës Kthesa e Patosit - Roskovec, investim me vlerë 468 milionë lekë, me gjatësi 10.6 kilometër dhe lehtëson transportin për 25.000 banorë të bashkisë Patos, Roskovec dhe komunat Kuman e Zharrëz. Ky projekt financohet nga BERZH-BEI – IPA dhe qeveria shqiptare, një investim mjaft i rëndësishëm për banorët e kësaj zone, pasi infrastruktura e përmirësuar do të japë rezultate të prekshme për këtë komunitet, duke nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe duke ofruar mundësi reale për një zhvillim social-ekonomik të qëndrueshëm. Njëkohësisht, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është duke përgatitur projektin teknik edhe për segmentin Roskovec – Poshnje, në kuadër të rikonstruksionit të plotë të aksit Kthesa e Patosit –Roskovec - Poshnje.
Në këto tetë vite në bashkinë e Patosit janë realizuar investime shumë të rëndësishme, janë ndërtuar dhe po ndërtohen mbi 30 kilometër rrugë, është rikonstruktuar shkolla e mesme e Patosit, janë rikonstruktuar qendrat shëndetësore në Rërës e Dukas. Në këto tetë vjet në qarkun e Fierit janë realizuar mbi 700 milionë euro investime ose 27 herë më shumë se gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste.
Më pas, Kryeministri Berisha ishte në mitingun elektoral të zhvilluar në qytetin e Patosit, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike për qarkun e Fierit.
Në fjalën e tij, në këtë tubim elektoral, Kryeministri Berisha u shpreh:
Qytetare dhe qytetarë të Patosit,
vëllezër e motra,
zonja e zotërinj,
Përshëndetjet më të përzemërta dhe mirënjohjen time për këtë manifestim, këtë miting madhështor me të cilin ju hapni fushatën elektorale, mirënjohje për mbështetjen që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike në përpjekjen e saj për Patosin e zhvilluar, Fierin e zhvilluar, për Patosin evropian, Fierin evropian dhe Shqipërinë evropiane.
Ne sëbashku kemi hapur një kapitull të ri për vete, për fëmijët tanë dhe gjeneratat që vijnë. Ne firmosëm sëbashku anëtarësimin në NATO; merituam lëvizjen e lirë në mbarë Evropën; kemi firmosur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit; Komisioni Evropian rekomandoi statusin e kandidatit për Shqipërinë, por e bllokoi një njeri për qëllimet e tij, i cili së fundmi u dorëzua, ligjet u votuan dhe ne së shpejti marrim statusin e vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, përpjekje të mëdha kemi bërë për të pasur një infrastrukturë moderne, për të pasur rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, sisteme vaditje. Ne kemi bërë gjithçka që ju qytetarët e Patosit dhe të mbarë Shqipërisë me punën, mundin, djersën tuaj të mund të prosperoni veten.
Në katër vite, në kulmin e krizës ekonomike për Evropën dhe botën, siç konfirmojnë të gjitha institucionet ndërkombëtare, Shqipëria vazhdoi të ketë rritje ekonomike; Shqipëria vazhdoi të ketë ulje të papunësisë. Unë jam këtu për të deklaruar përpara jush se ne këto arritje i konsiderojmë thjeshtë si një bazë për të ndërmarrë 4 vitet që vijnë planin më të fuqishëm të punësimit të qytetarëve të Patosit dhe mbarë Shqipërisë, projektin e rritjes së mirëqenies, rritjes së rrogave dhe pensioneve të qytetarëve shqiptarë. Ne planin e punësimit e bazojmë tek reformat e thella fiskale, te ulja e mëtejshme e taksave. Pak vite më parë ne vendosëm në Shqipëri barrën fiskale më të ulët në Evropë, taksën e të 10-ve. Anëtarësimi në NATO dhe taksa e të 10-ve apo taksa e sheshtë bëri të mundur që në Patos, në Fier dhe mbarë Shqipërinë bizneset vogla të rriten me 80 përqind, bizneset e mesme dhe të mëdha të rriten me 200 deri në 300 përqind, si dhe të rritet në këtë mënyrë vazhdimisht edhe punësimi i qytetarëve.
Çfarë bëjmë ne tani? Ne hoqëm taksat për çdo makineri dhe çdo material që u duhet bizneseve për prodhim. Ne ulëm 20 përqind koston e investimeve në biznese, për zgjerimin e tyre, për rritjen e prodhimit të tyre dhe kjo do të thotë se bizneset do të kenë mundësi të punësojnë edhe shumë më tepër, të investojnë shumë më tepër, të zgjerojnë biznesin e tyre. Në mënyrë që të shtojmë punësimin e qytetarëve, ne hoqëm taksën e të ardhurave personale prej 10 përqind për të gjithë punonjësit me rrogë nën 30 mijë lekë, e cila përbën 1 rrogë shtesë në vit për secilin prej tyre. Për biznesin kjo përbën një avantazh të madh për zgjerimin e investimeve.
Ne do të bëjmë gjithçka për të thithur investimet më të shumta të huaja, në mënyrë që të punësohen shqiptarët. Katër vitet që shkuan ne kemi tërhequr 4.2 miliardë dollarë investime, nga të cilat Fieri dhe Patosi qindra milionë. Ne jemi të vendosur që katër vitet që vijnë të thithim së paku 6 miliardë dollarë investime, me të cilat do të punësohen dhjetëra e mijëra shqiptarë.
Projekte të mëdha kanë nisur dhe nisin së shpejti. Kaskada e Devollit filloi ndërtimin dhe shumë shpejtë do merret vendimi për gazsjellësin TransAdriatik, i cili përfaqëson projektin më të madh energjetik të Evropës që kalon nëpër Shqipëri edhe do të punësojë mijëra qytetarë. Me të do të fillojë procesi i gazifikimit të plotë të familjeve shqiptare. Me TAP-in punësohen mijëra qytetarë, por njëkohësisht ulet kostoja e jetesës, ulet kostoja e energjisë për gatim dhe ngrohje. Shqipëria dhe shqiptarët do të jetë në këtë aspekt një nga vendet e zhvilluara me gazifikim të plotë. Ne jemi të sigurt se katër vitet që vijnë do të punësojmë masivisht fermerët tanë në fermat e tyre. Ne financuam 45 mijë fermerë me grante dhe cilido që del jashtë Patosit do të gjejë financimin edhe efektin e këtij financimi në çdo fshat e komunë të Fierit. Në katër vitet që vijnë, për të rritur më tej punësimin, ne do të trefishojmë gantet për bujqësinë, do të ndërtojmë sistemin më modern vaditës. Nga 56 milionë dollarë që janë financuar, ne do të financojmë 165 milionë dollarë. Dhe kemi vendosur të rimbursojmë me para në dorë çdo fermer për akcizën e naftës, TVSH-në për plehrat kimike, fidanët, duke ulur kështu me 20 përqind koston e investimeve dhe të mjeteve të përdorura për prodhim.
Ne do të punësojmë shqiptarët, sepse ne në të katër anët e vendit, në të gjitha burimet ujore dhe jo vetëm, po ndërtohen dhjetëra dhe do të ndërtohen qindra hidrocentrale, në të cilat do të punësohen së paku 30 mijë qytetarë.
Ne do të punësojmë shqiptarët, sepse ne do të shkojmë drejt dyfishimit të turizmit, i cili punëson sot direkt dhe indirekt 150 mijë qytetarë. Me rritjen e mëtejshme, dhjetëra e mijëra qytetarë shqiptarë do të punësohen në sektorin e turizmit.
Ne do të punësojmë shqiptarët, sepse ne Shqipërinë në të cilën interneti pothuajse nuk ekzistonte e sollëm në moshën dixhitale dhe sot në këtë fushë punojnë mbi 13 mijë shqiptarë. Në katër vitet që vijnë, në fushën e teknologjisë së lartë do të punësohen së paku 26 mijë qytetarë në mbarë vendin. Ky është plani ynë i punësimit, i cili bazohet mbi të gjitha në mundin tuaj, djersën tuaj, vullnetin tuaj për të ndërtuar një jetë më të mirë, për të ndërtuar më shumë në bizneset tuaja, në fermat tuaja, në shërbimet tuaja.
Ky plan bazohet në kompletimin e një infrastrukture moderne në të katër anët e vendit, në ndërtimin e së cilës do të punësohen përsëri dhjetëra mijëra qytetarë.
Ky plan bazohet në integrimin tuaj të mëtejshëm në Bashkimin Evropian dhe përfitimin e qindra milionë euro investime nga Komisioni Evropian.
Cili është projekti tjetër? Projekti tjetër është projekti i mohimeve, i kërcënimeve dhe mashtrimeve. Shoku i autobusit ka sulmuar sot këtu një kompani të huaj, e cila i paguan shtetit shqiptar jo më pak se 200 milionë dollarë taksa në vit, me të cilat do të ndërtojmë rrugët, ujësjellësit, kanalizimet. Kjo kompani ka bërë në këto zona 800 milionë euro investime. Të vish edhe të kërcënosh kompani të juaja, nuk bën gjë tjetër vetëm se ringjall hijen e së shkuarës. Nuk ka vend në botë që e bën këtë, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë zhvilluar pa investimin e kapitalit të huaj. Shoku i autobusit erdhi këtu dhe kudo që shkon, nga xhamat e autobusit mavi, Shqipëria i duket mesjetë.
Unë do t’i them dy fjalë. Banorët e Patosit në mënyrën më të pamerituar vuajnë për ujë dhe kjo, sepse bashkia që e ka tërësisht në administrim ujësjellësin e mban dhe e vjel ujësjellësin për vete. Në qoftë se kryetari i tij (i Ramës) nuk donte të administronte ujësjellësin, mund t’ia linte atë qeverisë, siç bënë kryetari i tij i Durrësit, i cili refuzon të marrë ujësjellësin. Por qeveria edhe sot i inauguroi një ujësjellës për furnizimin e 25 mijë banorëve me ujë 24 orë. Sepse ju paguani taksa.
Vëllezër e motra,
Ju duhet të dini se qeveria ime, qeveria e Partisë Demokratike trefishoi grantet për bashkitë. Çfarë bënë këta zotërinjtë? Ata i shndërruan të gjitha këto fonde në rroga dhe jo në kanale, jo në tuba edhe jo në rrugë për ju.
Kryetari i tyre shëtit poshtë e përpjetë edhe thotë se këtu është mesjetë, sepse uji e ndan qytetërimin nga mesjeta. Zotëri, këtu është papërgjegjshmëri e plotë e kryetares tënde socialiste, e cila të investojë sa më shpejtë në tubacione paratë që qytetarët paguajnë për ujin dhe për t’i furnizojë ata me ujë. Burimi është i stërmjaftueshëm. Ose t’i dorëzojë qeverisë ujësjellësin dhe ne investojmë menjëherë.
Shoferi i autobusit mavi kalon nga një shesh në një tjetër duke bërë fyerje kolektive dhe qytetarët që mbushin sheshet në mitingjet e Partisë Demokratike i quan robër, paçka se vetë në njërin krah kishte sot drejtoreshën e shkollës dhe në krahun tjetër kishte inspektoren e arsimit, që të dyja punonjëse rrogëtare të qeverisë Berisha. Ato nuk janë robër, janë çlirimtare, sepse shkojnë në mitingje të PS-së. Ndërsa këto që vijnë në mitingje të PD-së janë skllevër, janë për t’u fyer. Kjo është e papranueshme. Ju jeni qytetarë të lirë. Çfarëdo detyre që bëni, ju jeni qytetarë të lirë dhe merrni edhe do të merrni pjesë në çdo miting, të cilitdo, të brohorisni për cilindo dhe kjo është liria. Nuk është detyra jonë t’ia mbushim sheshet atij, kur ai tërë ditën vetëm shpif, akuzon, trillon, mohon dhe asgjë tjetër. Atëherë njerëzit, normal, nuk duan ta dëgjojnë, sepse është e njëjta pllakë gramafoni. Kthe nga njëra anë, kthe në anën tjetër dhe e njëjta melodi. Nuk është detyra jonë pse ai vë lente me objektiva për të zmadhuar sheshet, por përsëri nuk dalin.
Ne vazhdojmë të bëjmë një fushatë të qytetëruar, të bazuar në argumente, një fushatë e cila ka në themel besimin te fuqia juaj, forca e iniciativës tuaj ekonomike, liria ekonomike dhe përpjekjen e madhe që ajo të ketë sukses.
Kjo është filozofia jonë!
Ndaj ju ftoj me 23 qershor të votoni 44-ën, të votoni Partinë Demokratike, të votoni fitoren.
Rrofshi ju! Rroftë Patosi! Rroftë fitorja!”
08/06/2013