Kryeministri Berisha në Roskovec: Do zbulojmë dorën e zezë që vrau deputetin Xhindi. Policia jep 250 mijë euro për ata që ofrojnë informacione të vlefshme
Kryeministri Sali Berisha ishte sot në mesditë në banesën e deputetit të vrarë Fatmir Xhindi, në Roskovec të Fierit për të kryer ngushëllimet e rastit. Në një prononcim për shtyp kryeministri shqiptar Sali Berisha shprehu angazhimin e plotë të qeverisë për të zbardhur ngjarjen si dhe të zbulojë “dorën e zezë që shkaktoi këtë krim”. Sot, për të kryer homazhe kanë qenë në Roskovec edhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli si dhe përfaqësues nga të gjitha grupet parlamentare. Kuvendi u ofrua që deputetit t’i kryhej ceremoniali në kryeqytet, si ligjvënës i tre legjislaturave që ishte i ndjeri, por me dëshirën e familjes, ato po kryhen në Roskovec, ndërkohë që përcjellja për në banesën e fundit bëhet në orën 15.
Policia e Shtetit, 250 mijë euro për informatorin që zbardh vrasjen e deputetit
Policia do të shpërblejë me 250 mijë euro personin që do e çojë atë drejt zbardhjes së vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Policia e Shtetit megjithëse ka angazhuar ekspertët më të mirë të hetimit të krimit për të zbardhur vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi, ka kërkuar ndihmë edhe nga komuniteti. Burime zyrtare nga policia thanë se hetimet e para nuk zbuluan asnjë shkak kryesor që të motivonte vrasjen e deputetit duke detyruar policinë e shtetit të vërë në dispozicion një shumë të majmë eurosh për personin të ndihmon policinë në zbardhjen e krimit. Policia do të shpërblejë informatorin me 250 mijë euro, nëse të dhënat e tij çojnë policinë në zbardhjen e ngjarjes. Policia siguron anonimatin për personin që do japë informacion i cili më pas do të shpërblehet me shumën prej 250 mijë eurosh. Personat që kanë dijeni për këtë ngjarjen mund të telefonojnë në numrat që janë vënë në dispozicion policia.
Rrethanat e vrasjes dhe reagimet e para
Ekzekutimi i tij me kallashnikov u krye mbrëmë pranë shtëpisë së tij në Roskovec rreth orës 21:08. Menjëherë me marrjen e lajmit, Kryetarja e Kuvendit Zonja Topalli, kreu i PS Edi Rama dhe deputetë të tjerë të kuvendit kanë shkuar për të ndarë momentet e dhimbshme me familjarët e deputetit. Policia e shtetit ka reaguar menjëherë duke marrë masa për kapjen e autorëve te cilët deri në orët e para te mëngjesit nuk janë identifikuar. Kjo vrasje u pasqyrua menjëherë nga mediat më të mëdha boterore.
Reagimi i parë i Kryeministrit Sali Berisha: Vdekja e deputetit Fatmir Xhindi nga një akt barbar dhe kriminal, një ngjarje e rëndë dhe shokuese.
Reagimi i kryesocialistit Edi Rama: Është një ngjarje e rëndë sa s’ka më! Është vrarë një qytetar, i cili përfaqësonte shumë qytetarë të tjerë, jo thjesht një njeri si të tjerët. Duke pritur me padurim zbardhjen e rrethanave ne jemi këtu për të shprehur solidaritetin tonë familjes së mikut tonë të ndjerë e për t’ua lehtësuar sadopak dhimbjen e tmerrshme e tronditëse për të gjithë vendin. Nuk është momenti dhe vendi për t’u shtyrë në komente të pavend. Për momentin ne jemi këtu për t’i qëndruar pranë familjes, për të lehtësuar sadopak gjendjen shumë të rendë që është këtu dhe shpresojmë, e përsëris, që rrethanat e kësaj vrasjeje që ka tronditur vendin të zbardhen një orë e më parë. Kjo është një ngjarje krejt e pazakontë.
Reagimi i parë i kryeparlamentares Topalli, në mesnatë, në shtëpinë e deputetit të ndjerë: “Kjo ngjarje jashtëzakonisht e rëndë, ka goditur të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe shprehu bindjen se autori i aktit kriminal do të marrë dënimin më të rëndë. Kjo është një ngjarje kriminale e shëmtuar, jashtëzakonisht e rëndë ka goditur deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, na ka goditur të gjithë neve. Jemi të tronditur për humbjen e deputetit, kolegut që kemi punuar 12 vite, një kontribut që unë e vlerësoj jashtëzakonisht. Unë shfrytëzoj rastin dhe njëherë të shpreh ngushëllimet më të sinqerta në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, timin personal, familjes, miqve, kolegëve të afërmve të dashur për humbjen e kolegut, me të cilin kemi punuar prej kaq vitesh. Në këto momente të vështira duhet t’u japim mbështetjen maksimale policisë dhe gjithë institucionet në kërkim të kriminelit. Unë jam, e sigurt që institucionet do e dënojnë me dënimin më të ashpër. Doja t’u thoja të gjithë gazetarëve që në këto momente kaq të rënda të mbështesim të gjithë bashkë, institucionet e shtetit. Nuk është moment abuzimi dhe duke i mbështetur ato, bëjmë të mundur që të jepet dënimi që i përket vrasësit, kriminelit, që ka goditur Parlamentin e Shqipërisë, jo vetëm deputetin Fatmir Xhindi. Na ka goditur të gjithëve unë jam e sigurt që krimineli do të marrë dënimin më të ashpër”.
Deklarata e parë e Ministrisë së Brendshme, e dhënë rreth mesnatës
Ministria e Brendshme doli me një komunikatë zyrtare mbi vrasjen mbrëmjen e së Shtunës të deputetit Fatmir Xhindi. Fatmir Konja, zëdhënës i MB, tha se rreth orës 21:15 minuta të së Shtunës, nga ana e patrullës së qarkullimit rrugor në aksin rrugor Fier-Patos është konstatuar që familjarë të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Fatmir Xhindi, po e transportonin atë me shpejtësi drejt spitalit të Fierit pasi ishte qëlluar me armë zjarri. “Lajmi u konfirmua më pas nga autoritetet e spitalit të Fierit, ku deputeti Fatmir Xhindi ishte dërguar nga familjarët e tij në gjendje të rëndë pas goditjes me armë zjarri, për shkak të së cilës ka humbur edhe jetën”, - deklaroi Konja. Ai detajoi se forcat e policisë së Fierit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje ku kanë konstatuar se deputeti Fatmir Xhindi është goditur me armë zjarri brenda oborrit të shtëpisë së tij në kohën kur sapo kishte parkuar automjetin e tij. Konja tha se policia së bashku me Prokurorinë e Qarkut Fier ka nisur hetimin dhe mbledhjen e të gjitha provave në vendngjarje. “Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë angazhuar të gjithë ekspertët më të mirë të hetimit të krimeve të rënda dhe siguron opinionin publik dhe familjen e deputetit Xhindi, se do të kryhet një hetim i hollësishëm dhe i thellë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, për zbulimin e shkaqeve të saj dhe gjetjen e autorëve të këtij krimi të rëndë”, - deklaroi Konja, duke shtuar se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të mbajnë të informuar në vijimësi opinionin publik përmes medias.
Ngushëllim për familjen e deputetit Xhindi
Gazeta 55 ngushëllon familjen e deputetit Fatmir Fazlli Xhindi për vrasjen e këtij të fundit. Zoti i dhashtë forcën dhe qetësinë kësaj familje për të përballuar humbjen e njeriut të tyre të afërt.
...