E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini, të njëjtin fund politik me Kristaq Ramën e Spiro Kolekën

PD-ja e cilëson kreun e PS-së, si autorin e shpifjeve që shoqëruan marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë si dhe autorin e lajmeve që zhurmuan vizitën e kryeministrit Karamanlis, siç bëri edhe me orën e Bushit, duke u nisur krejtësisht nga interesa meskine, por që cënojnë interesat kombëtare. Ndaj këtij pinjolli të nomenklaturës enveriste, 28 qershori do të rezervojë të njëjtin fund politik

TIRANE - Partia Demokratike akuzoi dje kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, si autorin e artikujve të botuar në shtypin e shkruar, që synojnë të manipulojnë opinionin publik në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar me 27 prill për përcaktimin e kufirit ujor me Greqinë. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Partisë Demokratike, sqaroi se gjithçka është trillim i Ramës dhe për këtë tha ajo si Ministria e Jashtme ashtu dhe ajo e mbrojtjes kanë sqaruar të gjitha detajet e marrëveshjes së arritur mes dy vendeve.
“Rama faktoi se është ai autori i artikujve të gazetave të tij për marrëveshjen për përcaktimin e kufirit ujor më Greqinë. Pra njësoj siç bëri me orën e Bushit e përdori këtë gjë për të zhurmuar vizitën e suksesshme të Karamanlisit. Ai përsëriti në monologun e pasdarkes, në emisionin e ‘Studio e Hapur’ të Ora News të gjitha akuzat e formuluara çdo ditë në mediat e tij. Ai deklaroi se marrëveshja nuk është transparente, se nuk dinte pikën bazë të përdorur për matjet, ndonëse 2 herë nga autoritetet kompetente është shpjeguar qartë para medieve”, tha zëdhënësja e PD-ës.
Zëdhënësja e selisë blu u shpreh më tej se, “në monologun e tij 3 orësh, Rama vetëm për një gjë kishte të drejtë, në sulmet dhe urrejtjen kundër Berishës, sepse ky i përmbysi pushtetin mizor komunist të babait të Ramës dhe e bëri këtë pikërisht në kohën kur ai nga karrigia e anëtarit të presidiumit të kuvendit popullor firmoste edhe pas rënies së murit të Berlinit për ekzekutime të intelektualëve dhe qytetarëve kundërshtar të regjimit diktatorial. Rama si pinjoll i familjeve të nomenklaturës komuniste nuk mund të harrojë kurrë, nuk mund t’i falë kurrë Berishës përmbysjen e sistemit komunist, pushtetin e babait e dajave të tij anëtarë të Byrosë Politike. Por Sali Berisha siguron se më 28 Qershor do t’i rezervojë Ramës fundin e paraardhësve të tij”, nënvizoi më tej zëdhënësja e PD-ës.
Deklaratat e Partisë Demokratike, vijnë pas sqarimit të plotë në media të Ministrisë së Jashtme dhe asaj të mbrojtjes, në lidhje me çdo detaj të përcaktuar në marrëveshjen dypalëshe. Më herët të dy dikasteret rihodhën poshtë pretendimet për ndryshim të kufijve detarë, me argumentin se në bazë të konventës ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit është përdorur parimi i barazlargimit.
Nga ana tjetër, disa media të afërta të opozitës, në kuadër të ndjekjes së politikave antikombëtare, ashtu siç i ka udhëzuar dhunuesi më i madh i medieve, Edi Rama, vazhdojnë të thurin shpifje dhe trillime të pabaza, se Shqipërisë i është marrë territori i saj ujor dhe se sipas tyre, këtë argument e fakton edhe më tepër përdorimi nga pala shqiptare i hartave greke, gjë e cila është hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga strukturat shqiptare shtetërore, duke i cilësuar ato shpifje dhe mashtrime të turpshme.
L. Q.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›