Kryeministri Berisha ne inaugurimin e hidrocentralit te Tervolit
“Të guxojnë e të projektojnë kudo ndërtimin e punimeve të vogla energjetike. Qeveria do të firmosë me ta, që të kenë energji falas për të gjithë kohën që ata do të nxjerrin shpenzimet e ndërtimit. Qeveria do të garantojë blerjen me çmim tregu të të gjithë energjisë së tepërt, që atyre nuk u duhet për fshatin apo fshatrat e tyre”. Kjo ka qenë thirrja që Kryeministri, Sali Berisha u drejtoi të gjithë komuniteteve lokale dhe bizneseve, apel ky i bërë publik gjatë ceremonisë së inaugurimit të hidrocentralit të Tervolit, komuna Pishaj, Gramsh.
Kjo vepër është një investim privat tërësisht shqiptar, me vlerë 8 milion euro dhe ka një fuqi të instaluar prej 12 MW dhe një prodhim vjetor të energjie elektrike 40.000 kwh.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri përgëzoi investitorin dhe ekipin e inxhinierëve dhe teknikëve për realizimin e kësaj vepre në standardet më të mira, për ndërtimin e së cilës janë hapur 3 kilometra tunel në masiv shkëmbor, me diametër 6.5 metra.
Kryeministri Berisha, duke përmendur potencialet e mëdha ujore që ka kjo zonë, tha se ajo do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme të prodhimit të energjisë ujore. HEC-i i Tervolit është vetëm një ndër 14 hidrocentralet që janë kontraktuar të ndërtohen në rrethin e Gramshit dhe vepra më e madhe e energjisë ujore, kaskada e Devollit.
“Gjithashtu, HEC-i Tervolit është shembulli më i mirë kundër zërave skeptikëve ndaj vendimit të qeverisë për dhënien me koncesion të ndërtimit të hidrocentraleve, me qëllim shfrytëzimin e të gjitha potencialeve ujore të vendit dhe shndërrimin e tyre në vlerë energjetike. Vendim, të cilin Kryeministri e konsideroi se po dëshmohet një sukses në rritje”, vuri në dukje Berisha.
Në vijim të qëndrimit të tij në komunë, kreu i ekzekutivit u takua me komunitetin lokal, të cilët i garantoi se qeveria do të qëndrojë fuqishëm pas çdo iniciative të tyre për zhvillimin e zonës.
“Gramshi nuk ka shumë tokë, por e ka ndër më pjellorët në Shqipëri dhe ne do ta shndërrojmë atë në një nga epiqendrat e fuqishme të frutave, ullinjve dhe arrorëve. Është rreth i krijuar natyralisht për arrorët, me ujëra të shumta. Dhe mbi të gjitha, do të bëhet urbanizimi i plotë i tij, do të ecim drejt Skraparit e Korçës. Me rrugën e re që po ndërtohet distanca me Elbasanin shkurtohet dhjetë kilometra”, vlerësoi Kryeministri Berisha.