E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurogrupi i ndare per Greqine

Ministrat e Financave të Eurozonës janë paraqitur të ndarë mbi rishikimin e kushteve të ndihmës greke të propozuara nga ministri në ikje Georgios Zanias. Kërkesat e Greqisë për një kohëzgjatje prej dy vjetësh për realizimin e programit të akorduar me trojkën si dhe një lehtësim të reduktimit të pensioneve dhe pagave të sektorit publik nuk janë pranuar nga një pjesë e përfaqësuesve në takimin e Eurogrupit. Finlanda i ka mbyllur menjherë dyert duke thënë se nuk ka skadime më të gjata për Greqinë. Hollanda ka bërë me dije se hapësirat janë shumë të kufizuara. Franca, Italia dhe Austria janë shprehur në favor të një hapje të rrugës për Greqinë. Ndërsa Gjermania ka ndalur në të njëjtin pozicion, Athina duhet të respektojë angazhimet. Pas takimit të ditës së djeshme të Eurogrup, kreu i saj Jean Claude Juncker ka deklaruar se përfaqësuesit e Trojkës do të shkojnë në Athinë që ditën e hënë dhe do të azhornojë memorandumin e akorduar me Greqinë. Ndër të tjera Junker ka thënë se FMN do të derdhë për Greqinë miliardat që kanë mbetur nga programi i parë i ndihmës brenda fundit të muajit. Në Luksemburg ku kanë qenë të pranishëm edhe shefja e FMN-së Christine Lagarde dhe presidenti i BQE Mario Draghi, Eurogrupi ka marrë vendim që Qipro të prezantojë shumë shpejt një kërkesë për ndihmë, ndërsa Spanja nuk paraqiti një kërkesë zyrtare për mbështetjen financiare nga ana e qeverisë. Luis de Guindos u shpreh pas takimit se bëhet fjalë për një formalitet dhe se këtë kërkesë do ta paraqesin në ditët në vijim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›