Kryeministri Berisha në mbledhjen e Shtabit të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile në Shkodër
Këtë fatkeqësi natyrore, ne duhet ta shndërrojmë në një seri mundësish të reja për Shkodrën dhe të vazhdojmë të punojmë po me këtë përkushtim të madh që ju keni punuar deri tani
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në mbledhjen e Shtabit të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile në Shkodër. Duke iu drejtuar ministrave prezent, deputetëve, ushtarakëve, dhe drejtuesve vendor, kryeministri Berisha i falënderoi ata për punën e shkëlqyer që kanë bërë për kalimin e situatës së emergjencës, pa asnjë humbje në jetë njerëzish. Kryeministri Berisha gjithashtu, vlerësoi maksimalisht edhe punën e strukturave lokale, të cilët I janë gjendur pranë qytetarëve të ndodhur në nevojë, por duke koordinuar njëkohësisht edhe punën shumë të rëndësishme për shpërndarjen e ndihmave. Gjatë kësaj mbledhje kryeministri Berisha theksoi se me kapërcimin e fazës emergjente, dalin detyra te reja përpara pë banorët në vështirësi, prandaj duhet që të vazhdohet të punohet me të njëjtin përkushtim deri në normalizimin e plotë të situatës. Kryeministri Berisha theksoi gjithashtu, se pas kësaj faze emergjente, duhet që të nisë hartimi i projekteve madhore për zonën e Shkodrës, në mënyrë që mrekullia ujore që rrethon këtë zonë, të mos shndërrohet në fatkeqësi natyrore. Kryeministri Berisha kërkoi që një vëmendje e madhe t’i kushtohet veçanërisht fëmijëve, duke i siguruar bazën mësimore që ata mund të kenë humbur, por edhe trajtimin me psikologë për të përballuar traumat që mund të kenë pësuar nga kjo përmbytje.
Në fjalën e tij, më gjerësisht kryeministri Berisha u shpreh:
Këtë javë qeveria miraton parimet, mbi të cilat do të bëhen vlerësimet dhe kompensimi i tyre. është në detyrën tuaj, është në detyrën e qeveritarëve vendorë, është në detyrën morale të kryepleqve të fshatrave, që të bëjnë vlerësimin më objektiv. Qeveria, shteti, ka të gjitha mundësitë të dëmshpërblejë qindarkë për qindarkë dëmet e krijuara. Por asgjë nuk do ta nxinte më shumë këtë proces dhe moralin e tij se sa tentativat për të abuzuar. Ndaj edhe thirrja ime për qeveritarët vendorë, thirrja ime për të gjithë dokumentet inventarizuese që ekzistojnë, të fillojë me një vlerësim të ndershëm dhe objektiv. Unë e di, janë jo të pakta familjet, të cilat u është mbytur ç’kanë patur në katin e parë dhe u them atyre që absolutisht qeveria një për një do t’ju çdëmtojë. Unë e di se janë jo të pakta familjet që kanë humbur pasuri të tjera, kanë humbur grurin e mbjellë, kanë humbur misrin e depozituar, kanë humbur ushqimin për bagëtinë, pra plot gjëra. Që të gjitha ne do t’i kompensojmë. Por edhe një herë thirrja ime është jashtë çdo lloj abuziviteti, jashtë çdo lloj përpjekjeje për të nxirë këtë proces, i cili për hir të së vërtetës kishte në mënyrë të padiskutueshme anën e vet dramatike dhe katastrofave, por kishte nga ana tjetër edhe eficenën e plotë të një shteti, eficencën e plotë të një pushteti në të gjitha nivelet, të një solidariteti të paparë ndonjë herë nga mbarë shqiptarët. Duke ardhur këtu te ju, po lexoja një mesazh, nga një zonjë nga Durrësi, e cila më shkruante: ”Zoti kryeministër do të dhuroj një mullar bar me kusht që t’i jepte familjes më të varfër”. Pra ka qenë një solidaritet shumë përmasor, ka qenë një solidaritet i madh ndërkombëtar, të cilin Shkodra nuk e ka njohur kurrë në historinë e vet. Hekuri rrihet sa është i nxehtë, çka do të thotë se ne duke përdorur metoda satelitore dhe të gjitha metodat për të studiuar dinamizmin e ujërave, inxhinierët zooteknikë duhet menjëherë të ulen, Komiteti Ndërministror të blejë të gjitha pamjet satelitore, dinamikën e tyre, nga dita e parë, gjer në ditën e fundit të përmbytjes. Mbi bazën e këtij studimi ne duhet të ndërmarrim një proces të ri, atë të përpjekjes maksimale që mrekullia ujore që rrethon Shkodrën dhe Rrethinat të mos mund të shndërrohet ose të përjashtohet në shkallën më maksimale, shndërrimi i saj në fatkeqësi natyrore. Kjo kërkon një studim shumë serioz. Nuk është fjala këtu për disa projekte, dobia e të cilave tashmë dihet. është e qartë se by-passi duhet të funksionojë si argjinaturë, shkon dy-trefishi i çmimit, por njëkohësisht jep atë mbrojtje që duhet japë. është e qartë se thellimi i Bunës, por edhe disiplinimi i derdhjes së ujërave, se ne nuk ndër mend kurrë të shterojmë liqenin as të cenojmë ekosistemin, por ne na duhet të operojmë në limitet e mundshme të ruajtjes së ekosistemit dhe liqenit dhe natyrisht një gjë është fakt, një shekull më parë Buna ka qenë më e thellë, ka qenë e lundrueshme dhe liqeni ka qenë ndoshta jo tamam ky që është, se e vërteta është se ka një ekspansion drejt Malit të Zi, por ka qenë pak a shumë ky që është.
është bërë një punë shumë e madhe me argjinaturën e Kirit, sërish duhet studiuar sepse ai është një lumë shumë i pamëshirshëm, dhe i ka krijuar Shkodrës vuajtje të mëdha në të shkuarën. Ajo argjinaturë, nëse ka nevoja të tjera, duhet të plotësohet. Këto janë projekte të mëdha dhe janë projekte, të cilat kanë efektin e tyre pozitiv. Një projekt jashtëzakonisht serioz mbetet ultësira, mbetet Dajçi, Bushati, Ana e Malit, Velipoja. Aty mbrojtja duhet të bazohet vetëm një sistem kullimi, tërheqje, drenimi, digash, argjinaturash se përndryshe me këto ndryshime klimaterike ne mund ta humbasim dhe ne nuk duhet të humbasim as edhe një pëllëmbë tokë. Ne duhet të bëjmë të gjithë përpjekjet për ta mbrojtur. Historia e tyre jo e largët është kënetë. Ne nuk do të pranojmë të kthehen në kënetë, jo absolutisht. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet, do të ndërtojmë të gjithë sistemin dhe këtu është gjithë çështja e studimit të dinamizmit. Në rast se ka ndodhur që për t’i shpëtuar lartësive më të mëdha të ujit, apo kërcënimeve të tij më serioze janë hapur argjinaturat për t’i dhënë hapësira më të mëdha, këtu është detyra jonë. Nuk i qortoj unë ata që e kanë bërë këtë pasi, e kanë bërë me një qëllim të mirë, me qëllim për të parandaluar një katastrofë, por detyra jonë është që këto të mos jenë hapje spontane, të jenë porta në rast nevoje, ama duhet të jenë të argumentuara, duhet të jenë të studiuara, duhet të jetë gjithçka në kontroll të plotë dhe total. Duhet që Ministria e Bujqësisë për këtë vit të përqendrojë të gjithë potencialet e saj të kullimit në këtë zonë. Nuk është bërë pak, në Myzeqe është bërë mjaft, emisari është rindërtuar nga e para pothuajse; po kështu punimet në Maliq duhet të vazhdojnë se edhe aty nuk kemi tokë për të falur, për ta rikthyer edhe një herë në kënetë siç mund të pëlqejnë gjahtarët. Ne na duhet toka.Ndaj edhe këtë fatkeqësi natyrore, ne duhet ta shndërrojmë në një seri mundësish të reja për Shkodrën dhe po me këtë përkushtim të madh që ju keni punuar, që kanë punuar anëtarët të Forcave të Armatosura, të Policisë së Shtetit, të Rezervave të Shtetit, ekipet e Mjekësisë, bordet e kullimit, prefektura me punonjësit e saj, qarku me punonjësit e tij, bashkia me punonjësit e saj, Garda, po me këtë përkushtim që kanë punuar gjer më sot shtabet lokale, Task Force. Unë i pyeta qeveritarët vendorë të Dajçit dhe u ndjeva mirë kur më thanë se shumica e kryepleqve të Dajçit, ishin anëtarë të Partisë Socialiste dhe se po përmbushin detyrën e vet, me dinjitet të madh ndaj qytetarëve pa asnjë dallim partiak. U ndala në këtë moment se mendoj, se në rast se ka një moment në të gjithë lashtësinë e traditës njerëzore në fatkeqësi, është solidariteti dhe përpjekja e përbashkët për përballimin e saj. Sidoqoftë, e vërteta është se këtu në Shkodër, në Bushat, në Dajç, në Anë Mali, në Trush, në Velipojë, në Gur të Zi, në Bërdicë, është punuar me një frymë solidariteti pa dallim të asnjë lloj përkatësie, përveç se qytetarët përballë një fatkeqësie natyrore, të cilën duhet ta përballonim me efiçencën më të madhe. Duhet të shpëtonim jetët e njerëzve, duhet të shpëtonim maksimumin e gjëve të gjalla që mund të shpëtonim dhe kjo është realizuar dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Kështu që ditët që vijnë janë sërish ditë të një pune intensive. Gradualisht njerëzit do të rikthehen në shtëpitë e tyre, të dala tani nga përmbytja, por aty ata kanë një seri vështirësish. Në mënyrë të veçantë, vështirësi shumë serioze u krijohet më gjënë e gjallë dhe ne, ju, duhet të planifikoni, të programoni të gjithë ndihmën dhe mbështetjen imediate dhe rezervat, sepse atyre u janë mbytur tërësisht kashta e misri, ushqime të tjera që i kanë të domosdoshme, përzierjet për lopët dhe për gjënë e gjallë, kështu që të shohim, të sigurojmë sa më shumë bazë ushqimore dhe ta vendosim atë në zona sa më të mbrojtura.
Jashtëzakonisht e rëndësishme është sanifikimi i zonave. Unë ndoqa më interes thirrjet e bëra për të mos përdorur ujë pusesh. Edhe kjo është e domosdoshme. Por duhet të çojmë ujë për të pirë, duhet të çojmë ujë për të larë, mbase tani është koha të mendoni për vendosje rezervuarësh uji, stabël, në zonat më të populluara dhe me autobote t’i furnizojmë në mënyrë të vazhdueshme, duke marrë ujë të pastër në Shkodër, në ujësjellësit e qyteteve që nuk kanë patur përmbytje dhe njerëzit të plotësojnë nevojat e tyre, nuk është problem i uji i pijshëm, pasi ne ujë të pijshëm dërgojmë, por sasitë e ujit që duhet janë shumë më të mëdha. Të fillojë klorifikimi i puseve, të informohen banorët se cila është koha që do një pus për të ardhur në kriteret dhe mundësitë e përdorimit të tij, t’u vihen tabela sanitare te puset, “Nuk pihet, nuk mund të përdoret, ka rrezik”.
Mendoj se kalimi i pjesës më të vështirë të operacionit ishte një sukses i vërtetë, por ne duhet të jemi në të njëjtën shkallë mobilizimi për kapërcimin e plotë dhe total të pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore. Edhe një herë ju përgëzoj ju, ju përgëzoj për punën e madhe që keni bërë, përgëzoj autoritet vendore, deputetët e Shkodrës, zonjën Topalli, të gjithë qytetarët që e kanë përballuar këtë fatkeqësi me një dinjitet epik, me një dinjitet që u ka hije njerëzve të qytetëruar, kryetarët e komunave me të cilët kam komunikuar dhe komunikoj, por që edhe në 2 të natës, gjenden në krye të detyrës. Ata e kanë patur më të vështirë se të gjithë të tjerët, sepse cili do të kishte qenë aksioni dhe veprimi i ynë pa ata? Eshtë e pamundur që në këtë situatë të mos ketë njerëz të pakënaqur, që të mos ketë njerëz që të shpërthejnë për shkak të dhimbjes me të drejtë ose pa të drejtë. Që të gjitha këto, ata kanë qenë të parët me të cilat janë përballuar. Por nga ana tjetër, janë ata të cilët kanë organizuar me eficencë të madhe shpërndarjen e ndihmës në të gjithë këtë zonë. Absolutisht ka patur ka dhe mund të ketë familje të cilat nuk kanë arritur të mbështeten siç kanë patur nevojë, por kjo në mënyrë kategorike jo për mungesë ndjeshmërie, por se me një vëllim të tillë gjigand pune, ka qenë ndoshta e pamundur që të mos ketë edhe raste të tilla, ndonëse ato kanë qenë minimale.
Duhet, zoti ministër i Arsimit, pasi secili ka problematikën e vet, por problematika e fëmijëve është më e rëndësishmja. Familjeve u janë mbytur gjërat, janë mbytur edhe libra fëmijësh, ndaj edhe ne duhet të sigurojmë me shpejtësi të madhe librat, t’ua çojmë librat, të gjemë mënyrën se si do të shpërndajmë librat atyre që u kanë humbur; të kujdesemi edhe për shëndetin e tyre, të kujdesemi edhe për lodrat e tyre, të kujdesemi sepse ata në një mënyrë ose në një tjetër kanë kaluar një situatë të pakëndshme, një traumë psikologjike dhe është e vështirë për ne të rriturit të imagjinojmë perceptimin e tyre për këtë ndaj me psikologë dhe me të gjitha mjetet e tjera ne duhet të bëjmë një trajtim sa më efikas të pasojave të përmbytjes te nxënësit e shkollave, te fëmijët e kopshteve, të fëmijët në tërësi.
Faleminderit!
17/01/2010