Kryetarja e Kuvendit bashkë me krerët e komunave të Tiranës shpërndajnë ndihma për banorët e zonave të përmbytura.
Në mbështetje të aksionit humanitar në zonat e përmbytura në Shkodër kanë ardhur edhe komunat e qarkut të Tiranës si dhe komunat e Tetovës.
Kryetarët e këtyre komunave së bashku me Kryetaren e Kuvendit dhe deputetë të qarkut Tiranë, shpërndanë sot në Fshatin e Ri në Bushat dhe në Malin e Jushit, 40 ton ushqime, ujë, veshje, batanije, mushama e ushqime për gjënë e gjallë.
Në këto zona situata është përmirësuar, por ende ka hekatar të tërë të mbuluar nga uji.
Kryetarja e Kuvendit tha se situata do të vazhdojë të ndiqet orë pas ore dhe se ndihma e mbështetja do të vijojë deri sa gjendja të kapërcehet plotësisht.
Ajo falënderoi të gjithë kryetarët e komunave të Farkës, të Bërzhitës, Petrelës e komunave të tjera që kanë ndihmuar e mbështetur banorët e këtyre zonave në këto momente të vështira.
Në takimet me banorët, ata thanë se shtabi i emergjencës, pushteti lokal deputetët kanë qenë çdo ditë me ta dhe se mbështetja dhe ndihma në veshje, ujë e ushqime nuk u ka munguar asnjë ditë.