Kryeministri Berisha ngushëllon familjet e viktimave të aksidentit rrugor në Fushë Arrëz
Kryeministri Berisha vizitoi sot katër familjet e viktimave të aksidentit rrugor të ndodhur ditën e djeshme në Fushë Arrëz.
Kryeministri ngushëlloi familjen Mustafa në Fushë Arrëz, e cila nga kjo tragjedi ka humbur tre pjesëtarë të saj. Kryeministri theksoi se ky ishte një aksident i rëndë dhe humbja e tre familjarëve të dashur është një tragjedi dhe dhimbje e madhe për familjen Mustafa, e cila ndodhet në zi, por sot në zi ndodhet e gjithë Shqipëria. “Jemi të gjithë së bashku për ta përballuar këtë gjëmë. Uroj që të gjeni forcën dhe kurajon për të përballuar këtë dhimbje të madhe”, u shpreh Kryeministri.
Më pas, Kryeministri vizitoi dy familje të tjera në fshatin Shkozë, familjen Gjini dhe familjen Marku, të cilët gjithashtu kanë humbur njerëzit e tyre më të dashur nga aksidenti i rëndë rrugor. Kryeministri ngushëlloi të afërmit e familjes Marku për humbjen e madhe. “Për ju si vëlla, për nënën, motrat, kjo është dita më e zezë e jetës. Dita më e rëndë, më e vështirë. çfarëdo që të shprehin fjalë, ato nuk mund të shprehin brengën e thellë, pikëllimin e madh për humbjen e nënës, djalit, për humbjen e të dashurve tuaj. Por këtë dramë e fatkeqësi e ndani sot me të gjithë shqiptarët, të cilët qajnë e luten për ju. Uroj që të plagosurit që ndodhen në spital të shërohen sa më shpejt. Ne do të bëjmë gjithçka për t'i ndihmuar. Të gjithë shqiptaret do të donin të ishin këtu me ju, për të marrë copëza dhembje nga dhembja juaj. Sot, në çdo vatër shqiptare, zija juaj është dhimbja e vërtetë”.
Ngushëllimet e tij, Kryeministri Berisha i shprehu edhe tek familja Gjini: “Erdha për të ndarë këtë dhimbje me ju, e cila nuk përshkruhet me fjalë. Asgjë nuk e kompenson dot humbjen e Paulinit dhe të tjerëve që u ndanë nga jeta dje. I gjithë populli ka qenë me ju, pasi aksidenti ishte shumë tragjik. I nderuar për jetë kujtimi i djalit tuaj”.
Më pas Kryeministri ka ngushëlluar edhe familjen Frroku, familja e shoferit të autobusit, i cili humbi jetën pasi mbërriti në Spitalin Ushtarak. Kryeministri u shpreh se “kjo është një gjëmë shumë e rëndë, zi shumë e madhe, të cilën e ndani jo vetëm me njeri tjetrin, por me gjithë shqiptarët. Uroj të gjeni forcë për t'i dhënë kurajë familjes të kalojë këtë dhembje të madhe”.
18/07/2010