Qeveria shpall ditën e djelë ditë zie pas aksidentit automobilistik në Fushë-Arrëz
Zëdhënësja e Kryeministrit, Znj. Erla Mëhilli, njoftoi sot në një konferencë për shtyp, vendimin për shpalljen e ditës së djelë si ditë zie.
Gjatë deklaratës për shtyp zëdhënësja tha se “në aksidentin e rëndë tragjik që ndodhi sot pasdite me autobusin e linjës së Fushë-Arrëzit, kanë humbur jetën fëmijë, burra e gra, 13 qytetarë si dhe u plagosën 15 të tjerë. Kjo është një zi e rëndë për familjet e viktimave, qytetarët e Fushë-Arrëzit, Pukës dhe mbarë Shqipërisë. Qeveria dhe mbarë Shqipëria ndajnë dhimbjen, pikëllimin dhe zinë me familjet e viktimave dhe të afërmit e tyre. Qeveria vendos të shpallë ditën e djelë, datë 18 korrik 2010 ditë zie, si dhe të marrë përsipër të gjitha shpenzimet e varrimit të viktimave. Zija do të shoqërohet me një minutë heshtje, si dhe me vendosjen e flamujve në gjysmë shtizë në institucionet shtetërore”.
17/07/2010