E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkruhet Memorandumi për promovimin e industrisë shqiptare të software-it

Universiteti Politeknik i Tiranës synon të jetë qendër e industrisë shqiptare të software-it. Aty po ngrihet në bashkëpunim me mbështetjen gjermane, i pari Software Cluster shqiptar (partneritet). Qëllimi kryesor i Cluster-it është promovimi i bashkëpunimit ndërmjet aktorëve kryesorë të industrisë shqiptare të software-it, sektorit privat, sektorit publik, institucioneve akademike/universiteteve.

Zhvillimi i këtij Cluster-i do të mbështetet edhe nga bashkëpunimi shqiptaro-gjerman, që u formalizua sot, me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit midis Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit të UPT-së, përfaqësuar nga rektori, Z. Jorgaq Kaçani dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GTZ), përfaqësuar nga Drejtuesi i Programit, Z. Erik Ruh. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Ambasadori gjerman në Shqipëri, Z. Bernd Borchardt.

Ky është një zhvillim tjetër në kuadrin e forumit trepalësh të themeluar nga qeveria që përfshin institucionet publike, sektorin privat dhe institucionet akademike/universitetet.

Kryetari i këtij forumi, Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit z. Genc Pollo, tha ndër të tjera: “Sot, me nisjen e Software Cluster hedhim një hap tjetër drejt synimit tonë për të shndërruar Shqipërinë në vend prodhues të software-ve, në një qendër rajonale të krijimit të software-ve, e në një vend eksportues të këtyre programeve kompjuterike. Forumi trepalësh me Qeverinë, biznesin dhe universitetet po funksionon në partneritet të plotë për të realizuar Shqipërinë Digjitale“.

Universiteti Politeknik i Tiranës ka një rol kryesor në sigurimin dhe edukimin e burimeve njerëzore të ardhshme për firmat shqiptare të software-it, si dhe në programet mësimore, të cilat përcaktojnë cilësinë, kapacitetin, si dhe konkurrueshmërinë e industrisë së IT-së. Universitetet sigurojnë shpërndarjen e teknologjive më të fundit dhe përfaqësojnë një burim të rëndësishëm inovacioni. Universiteti është anëtar aktiv i Cluster-it Shqiptar të Software-it dhe siguron mbështetjen për infrastrukturën teknike dhe fizike të Cluster-it.

GTZ, ndër sektorët e ndryshëm, mbështet edhe zhvillimin e industrisë shqiptare të software-it, nëpërmjet promovimit të Cluster-it Shqiptar të Software-it, ngritjes së kapaciteteve dhe trajnimeve, zhvillimit të tregut të brendshëm dhe promovimit të eksporteve në industrinë e ICT-së (TIK, Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit). Në qendër të promovimit të industrisë shqiptare të software-it, qëndron Cluster-i Shqiptar i Software-it, i themeluar zyrtarisht në 16 Korrik 2010.

Bashkëpunimi midis GTZ dhe UPT synon zhvillimin e mëtejshëm të industrisë shqiptare të software-it, nëpërmjet shkëmbimit dhe promovimit të programeve akademike midis dy vendeve në industrinë e ICT-së, trajnimin dhe kualifikimin e burimeve njerëzore në industrinë e IT-së, si dhe zhvillimin dhe implementimin e shërbimeve inovative të ofruara nga Cluster-i Shqiptar i Software-it.

Industria e IT-së dhe sidomos software-i, ka një rëndësi strategjike për ekonominë shqiptare, sepse software-i është një teknologji ndërsektoriale që ka një impakt të madh në industritë e tjera përsa i përket produktivitetit, efikasitetit dhe konkurrueshmërisë. Industria e software-it është një industri strategjike dhe një motorr i rritjes, inovacionit dhe konkurrueshmërisë. Kompanitë shqiptare të software-it kanë mundësi të konsiderueshme jo vetëm në tregun vendas, por edhe në atë ndërkombëtar dhe Shqipëria ka avantazhe konkurruese në industrinë e IT-së. Kjo industri luan një rol të rëndësishëm në krijimin e mundësive për punësim për të rinjtë dhe për njerëzit e kualifikuar, duke ndihmuar në këtë mënyrë reduktimin e fenomenit të “largimit të trurit”. Qeveria shqiptare, duke njohur rëndësinë e industrisë së software-it, e ka përcaktuar atë si një “industri strategjike” dhe kjo është reflektuar edhe në Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Shoqërisë së Informacionit.


20/07/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›