E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha niset sot për në Strasburg për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Demokracinë që zhvillohet nga Këshilli i Evropës

Kryeministri Berisha do të niset sot për në Strasburg, ku do të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Demokracinë, që zhvillohet nga Këshilli i Evropës. Ky Forum, i cili zhvillohet në periudhën 5-11 tetor, do të trajtojë një seri temash mbi demokracinë dhe të ardhmen e saj si; “Modelet e vjetra dhe realitetet e reja”, “Të rinjtë dhe demokracia”’, “Demokracia gjithëpërfshirëse”, “Vlerat Universale, Sfidat Globale dhe Realitetet Rajonale”. Në këtë Forum do të marrë pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit, znj Jozefina Topalli.

Në këtë Forum marrin pjesë personalitete të shquara të politikës, ekonomisë, shoqërisë civile, drejtësisë etj. nga Evropa dhe mbarë bota si; Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE-së Jean-Claude Mignon,  Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës Thorbjørn Jagland, President i Parlamentit Evropian Martin Schultz, Ministri i Financave të Gjermanisë Wolfgang Achauble, etj.

Kryeministri Berisha, në emër të Presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës do t’i drejtohet Forumit me një fjalë, në sesionin e ditës së hënë me temë “A kanë nevojë tregjet për demokracinë dhe anasjelltas?”.

Kryeministri, në fjalën e tij, do të fokusohet në ndryshimet madhore të vendit,  konsolidimin e demokracisë dhe tregun e lirë dhe zhvillimin ekonomik, të cilat kanë në bazë të tyre lirinë.


07/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›