Kryeministri Berisha merr pjesë në sesionin e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zhvilluar për herë të parë në Tiranë
Kryeministri Berisha mori pjesë paraditen e sotme në hapjen e sesionit të vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zhvilluar për herë të parë në Tiranë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Riccardo Migliori, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, Sekretari i Përgjithshëm i AP të OSBE-së, Lamberto Zannieri, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, z. Eugen VVolfarth, ambasadorë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, si dhe mbi 200 pjesëmarrës nga 56 vende anëtare të OSBE-së.
Mbajtja e mbledhjeve të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Tiranë vjen në një kohë kur Shqipëria mban Presidencën e Këshillit të Evropës, si dhe përgatitet të festojë 100-Vjetorin e Pavarësisë së saj.
Kryeministri vlerësoi si shumë të rëndësishme mbajtjen e këtij sesioni të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Shqipëri, duke theksuar se ky aktivitet përbën një perlë në kurorën e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Asambleja Parlamentare e OSBE dhe OSBE në tërësi, theksoi Kryeministri, ka qenë për Shqipërinë një partner i shkëlqyer dhe ka dhënë një kontribut thelbësor në promovimin dhe zhvillimin e demokracisë në vendin tonë.
Kryeministri nënvizoi se Shqipëria i detyrohet shumë Asamblesë Parlamentar të Këshillit të Evropës dhe OSBE-së për ndihmën dhe kontributin e tyre gjatë gjithë këtyre viteve, veçanërisht në proceset zgjedhore. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se, në zgjedhjet e vitit 2009, të cilat u vlerësuan si zgjedhjet që plotësuan kriteret dhe standardet kryesore të OSBE-së dhe që nuk pati asnjë të dhënë për manipulim rezultatesh OSBE dhe Këshilli i Evropës u bënë avoketër të shkëlqyer të kësaj të vërtete të madhe dhe dhanë kontributin e tyre në stabilitetin e vendit.
Në fjalë tij, Kryeministri Berisha bëri edhe një apel për situatën në Siri. “Bëj thirrje të bëhet gjithçka dhe kjo Asamble të bëhet promotor i një ndërhyrjeje të fuqishme, për t’i dhënë fund kësaj gjakderdhjeje të madhe që ndodh sot në Siri, për t’i dhënë fund provokacioneve të këtij diktatori që përpiqet, si çdo diktator tjetër në vështirësi, të nxjerrë konfliktin jashtë territorit të tij, për të ndihmuar Turqinë dhe Jordaninë që përballen me një presion të madh refugjatësh. Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e vet modest”, u shpreh Kryeministri.
Në përshëndetjen e tij në këtë sesion të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj t’u uroj një mirëseardhje të përzemërt në Tiranë. Ne jemi në vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Sesioni juaj këtu në kryeqytetin tonë përbën një perlë në kurorën e këtij 100 vjetori. Ju jeni sot këtu në një vend që, për vite, dënoi këtë organizatë për paranojën e diktatorit që sundonte. Ju jeni në një vend në të cilin në vitin 90, Kushtetuta e tij kishte ndaluar liritë dhe të drejtat themelore. E themeluar mbi parimin më të rëndësishëm të lirive dhe të drejtave njerëzore, mbledhja juaj këtu përbën dëshmi të një suksesi të madh të kësaj organizate, në promocionin, mbrojtjen e këtij parimi universal. Ndaj dhe dua t’ju falënderoj dhe të shpreh gjithashtu admirimin tim, respektin tim më të madh për punën e shkëlqyer të kësaj Asambleje në vite, një avokate e fuqishme, një mbrojtëse dhe promovuese e lirive dhe të drejtave themelore e njerëzore, e paqes, stabilitetit e mirëkuptimit.
Asambleja parlamentare e OSBE dhe OSBE në tërësi, me zyrat e saj, ka qenë për vendin tim një partner i shkëlqyer, ka dhënë një kontribut thelbësor në promovimin dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri, në promovimin dhe zhvillimin e proceseve demokratike në rajon, por edhe të paqes, stabilitetit dhe mirëkuptimit. Ne ndihemi shumë të nderuar që ju jeni sot në Tiranë
Zonja e zotërinj,
Unë e di se jo pak nga ju, e keni vizituar Shqipërinë edhe vite më parë. Shkurtimisht, dua t’ju njoh me zhvillimet në këtë vend në këto vite lirie. 20 vjet më parë, vendi im renditej si vendit i tretë më i varfër i planetit, krahas Angolës dhe Ugandës, sipas statistikave ndërkombëtare. Sot Shqipëria nuk është ende një vend i pasur, por renditet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme e të larta. Vendi që ishte simboli i hiper kolektivizimit total, sot mbi 84 për qind të prodhimit të brendshëm e ka nga sektori privat. Shqipëria ende nuk është një vend i zhvilluar, por ka arritur disa nga treguesit më sensitiv, më të rëndësishëm të vendeve të zhvilluara dhe këta janë treguesit që, pikë së pari, kanë të bëjnë me individin, me qytetarin, me njeriun. Ajo sot ka një vdekshmëri foshnjore një shifrore, ka një vdekshmëri amtare 1 shifrore, ka mortalitetin e përgjithshëm të popullatës më të ulët se të gjitha vendet e tjera ish komuniste, të ngjashëm me Portugalinë e Finlandën. Shqiptarët, në vitin 2001, kishin banesa për 1000 banorë me pak se secili komb evropian në vitin 80. Shqiptarët, në vitin 2011, lënë pas në banesa për 1000 banorë, 5 kombe anëtare të BE-së dhe anëtare të OECD-së. Shqiptarët nuk kanë sot një nga sistemet shëndetësore me cilësi më të lartë, por kanë një nga sistemet shëndetësore me akses më të lehtë. Renditen të tretët në Evropë për sa i përket aksesit të lehtë në sistemin shëndetësor.
Shqiptarët trashëguan një prapambetje të qartë në arsimin e lartë dhe pësuan një rënie të madhe në arsim. Sot, nga viti 2005 në vitin 2012, numri i studentëve, nga 12 për 1000 banorë, është mbi 50 për 1000 mijë banorë, nga 52 mijë studentë, Shqipëria numëron sot 162 mijë studentë. Sot rekrutimi i maturantëve është mbi 71 për qind, rekrutimi i atyre që mbarojnë arsimin e detyruar e ndjekin shkollat e mesme, është 92 për qind.
Shqipëria ka ndier sigurisht pasojat e krizës, por sërish nuk ka njohur recensionin. Sipas Komisionit Evropian, Shqipëria ka pasur edhe në këto vite krize një rritje ekonomike mesatare, 4 herë më të lartë sesa mesatarja e rajonit.
U ndala këtu për t’u bërë një tablo të përpjekjeve të Shqipërisë për të arritur nivelin e vendeve të zhvilluara. Sërish nuk e kemi rrugën të shtruar, nuk e kemi të sheshtë, ajo është një rrugë me gropa e xhunga, por jemi më të sigurt se kurrë të bëjmë gjithçka për të shpejtuar ritmet e zhvillimit të vendit.
Shqipëria përpiqet dhe do të vijojë të përpiqet të japë një kontribut të vetin në paqen e stabilitetin në rajon. Ne ndërtojmë marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet e rajonit. Si anëtarë të NATO-s, jemi të vendosur të japim kontributin tonë në të gjitha zonat ku Aleanca e Atlantikut të Veriut vepron.
Zonja e zotërinj,
Shqipëria i detyrohet shumë Asamblesë Parlamentar të Këshillit të Evropës dhe OSBE-së për ndihmën dhe kontributin e tyre gjatë gjithë këtyre viteve. Nga viti 2005 deri më sot, Shqipëria ka mbajtur zgjedhje të cilat, siç tregojnë raportet, kanë dëshmuar standardet e OSBE/ODIHR. Por dua të theksoj këtu se, në zgjedhjet e vitit 2009, të cilat u vlerësuan si zgjedhjet që plotësuan kriteret dhe standardet kryesore të OSBE-së dhe që nuk pati asnjë të dhënë për manipulim rezultatesh apo numërim të parregullt, ju u bëtë avoketër të shkëlqyer të kësaj të vërtete të madhe dhe dhatë kontributin tuaj në stabilitetin e këtij vendi.
Po ecim drejt zgjedhjeve të tjera. Unë jam këtu, të dashur miq, për t’u angazhuar para jush se do të bëj gjithçka si qeveri për standardet më të mira të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ndaj ju ftoj, juve këtu, ftoj përfaqësues nga vendet tuaja, të vijnë t’i vëzhgojnë këto zgjedhje, të na nderojnë me praninë e tyre dhe, jam i bindur se do të gjenden në një vend që do të nderojë të gjitha normat, standardet e OSBE-së për zgjedhje të lira.
Zonja e zotërinj,
Organizata u themelua në një parim universal të lirive dhe të drejtave njerëzore. Kur vështron hartën OSBE-së, është organizata më e madhe në botë që u përmbahet këtyre vlerave. Organizata e Kombeve të Bashkuara është sigurisht më e madhja dhe dokumentet i ka të shkëlqyera, por kur vjen problemi te liritë dhe të drejtat, mekanizmat e saj nuk e lejojnë të përmbushë atë mision, t’u garantojë qytetarëve të planetit atë çka Karta e saj ka stipuluar në unanimitet nga kombet, në vitin e themelimit të saj.
Ndalem këtu, sepse këto muaj, këto kohë, bota përjeton një kasaphanë të vërtetë të një kombi të vjetër, kombit sirian, një diktator paranojak vret çdo ditë, me të gjithë forcën ushtarake, qytetarët e tij dhe fatkeqësisht, nuk ka marrë përgjigjen e merituar. Dua të ndalem në një moment; në rast se NATO nuk do të kishte ndërhyrë në Ballkan, “kasapi” i Ballkanit do të grinte mbi 1 milionë shqiptarë. Në rast se Sadami nuk do të përmbysej, sërish në pushtet do ishte ai ose i biri, duke bërë ato që ai bënte mbi kombin e vet. Në rast se libianët nuk do të ndihmoheshin, Gedafi dhe Saidi do të ishin në pushtet. Ndaj është e domosdoshme që ky popull që po martirizohet çdo ditë, të ndjejë ndihmën e fuqishme të kombeve të lira. Në rast se rrimë duke soditur, sigurisht Assad-i do të vazhdojë kasaphanën e madhe që po vazhdon. Ndaj bëj thirrje të bëhet gjithçka dhe kjo Asamble të bëhet promotor i një ndërhyrjeje të fuqishme, për t’i dhënë fund kësaj gjakderdhjeje të madhe që ndodh sot në Siri, për t’i dhënë fund provokacioneve të këtij diktatori që përpiqet, si çdo diktator tjetër në vështirësi, të nxjerrë konfliktin jashtë territorit të tij, për të ndihmuar Turqinë dhe Jordaninë që përballen me një presion të madh refugjatësh. Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e vet modest.
Duke mbyllur këtë fjalë, dua të theksoj se viti i ardhshëm është një vit i madh për qytetërimin perëndimor dhe mbarë njerëzimin, është viti në të cilin 1700 vjet me parë, bashkë - perandorët ilirë të perandorisë romake, Kostandini dhe Licilius, dekretuan lirinë fetare. Është e rëndësishme të bëjmë gjithçka për të festuar këtë ngjarje të madhe, si një apel, si një thirrje për të respektuar gjithnjë e më shumë besimin e njëri - tjetrin. Shqiptarët e kanë këtë trashëgimi të shkëlqyer dhe janë të vendosur ta konsolidojnë më tej atë. Faleminderit”.
05/10/2012